Raportuesi i BE-së për Shqipërinë Andreas Schieder theksoi sot, 29 tetor, se Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë është tashmë operacional, por funksionon me kufizime për shkak të vendeve vakante, pas procesit të vettingut.
Ai nënvizoi nevojën për të zgjeruar fushën e trajnimeve në gjyqësor dhe për të përmirësuar burimet njerëzore dhe financiare. Vlerëson gjithashtu progresin e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit në nivelet e larta, siç evidenton raporti i Komisionit Europian.
Sipas Schieder, është shumë me rëndësi që Shqipëria ka miratuar strategjinë antikorrupsion, 2024-2030.
“SPAK është një nga institucionet që është themeluar, është jashtëzakonisht i pavarur ligjërisht dhe në mënyrën e operimit të vet, unë jam politikan dhe gjithmonë kjo hapësirë kërkon diskutim, mirëpo duhet të pranojmë se institucionet e pavarura marrin vendimet e tyre, dhe në fund nuk është SPAK-u që i fut njerëzit në burg, por janë gjyqtarët që vendosin për rastet. Ka kritikë për numrin e kufizuar të personelit dhe kohëzgjatjes së mandateve, është çështje ku duhet punuar, ku bëhet fjalë për ndjekjen penale dhe paraqitjen apo thirrjen në gjykatë, lidhet me burimet dhe vështirësinë e rasteve”, deklaroi ai duke veçuar problematikat dhe progresin e bërë.
Nuk la pa përmendur raportin e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 11 majit.
“Ka edhe probleme të tjera që janë adresuar në raportin e OSBE/ODIHR-it, ligji për zgjedhjet dhe transparenca që duhet të jetë te mediat, që duhet rregulluar. Po ashtu rregullorja për financimin e fushatave”, tha Schieder.
Nga ana tjetër, Taulant Balla tha se:
“Ne kurrë, nuk duhet të bëjmë ndonjë deklaratë apo të hyjmë në ndonjë rast që i takon drejtësisë. Ne me rezolutën që do të miratojmë nesër në Kuvend, vlerësojmë rezultatet e arritura nga SPAK, si rezultate të mira dhe nxisim vazhdimin e punës. Apeli im është që edhe kolegët e opozitës ta votojnë nesër rezolutën. Jemi në kohën që mes partisë dhe Shqipërisë, të zgjedhim Shqipërinë”, kështu u shpreh kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.
Sa i përket reformës në drejtësi, tha se ajo është historike. Ndërsa për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, tha se janë vlerësuar nga OSBE/ODIHR-i si konkurruese.
“Këta europianët i lexojnë vetë raportet për Shqipërinë, nuk ka nevojë t’ua themi ne në shqip. Kur kam qenë në opozitë e kam bërë ndoshta edhe unë këtë gabim, që t’ua lexoj gabim raportin, por koha ka treguar se është moment historik, ta shohim anëtarësimin si fitore të Shqipërisë, jo shumicës”, e mbylli fjalën e tij Balla.











