Tre ministrat kryesorë të qeverisë Rama kanë nisur raportimet e tyre para deputetëve socialistë dje në mbledhjen e Grupit Parlamentar.
Ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri dhe ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, kanë bërë një prezantim të reformave dhe rezultateve që janë arritur në ministritë që ata drejtojnë.
Problematikat që mbulojnë këto tre ministri kanë qenë objekt i akuzave të opozitës lidhur me koncesionet, investimet në energjetikë, por dhe koncesionet në shëndetësi si ai i “check-up”, apo dhe rimbursimi i ilaçeve.
PYETJET
Në përfundim të fjalës së ministrave, Kryeministri Rama u ka dhënë përgjigje edhe dyshimeve rreth koncesioneve që qeveria i quan partneriteti privat-publik. Për kreun e qeverisë, maxhoranca është e detyruar të shkojë në këtë partneritet për shkak të pamundësisë financiare të buxhetit për të përmbushur nevojat e qytetarëve për shërbime më të mira. Rama është larguar nga mbledhja e Grupit, pasi kishte takimin e planifikuar me dy eurodeputetët, Flekenstein dhe Kukan.
Mimoza Hafizi ka përshëndetur raportimin e ministrave para deputetëve, por është shprehur se më parë deputetët duhet të ishin njoftuar për rendin e ditës së mbledhjes së grupit.
Deputeti Ben Blushi ka kërkuar të mësojë nga ministri i Financave Cani nivelin e borxhit publik. Në përgjigjen e tij, ministri Cani është shprehur se niveli aktual i borxhit është 73%, por ai ka sqaruar se qeveria socialiste e gjeti borxhin zyrtarisht 66 për qind.
“Por pas auditimit që u bëmë Financave, kishim një marzh prej 5% të fshehur të tij, që kështu ai ishte 71 për qind. Falë kredisë së marrë nga FMN dhe BB, ne e kemi çuar borxhin në 73%, por bazuar në rritjen ekonomike progresive, borxhi do të fillojë të ulet që këtë vit”, është shprehur Cani.
Dy deputetët Fatmir Toçi dhe Besnik Bare kanë kërkuar anulimin e disa koncesioneve në HEC-e dhe naftë, të cilat janë në shkelje të ligjeve mjedisore, por edhe të pronësisë.
Ministri Gjiknuri i është përmbajtur faktit se anulimi i koncesioneve që kanë përfunduar dhe janë në ndërtim kanë kosto të lartë për buxhetin e shtetit nëse anulohen, sepse rrezikon gjoba të larta në gjykatën ndërkombëtare të arbitrazhit.
Raportimi i ministrave në mbledhjen e Grupit Parlamentar ishte kërkesë e deputeteve Arta Dade dhe Mimoza Hafizi, që u pranua nga Kryeministri të mërkurën e kaluar në mbledhjen e qeverisë me kryetarët e komisioneve parlamentare.
DEBATI NË GRUPIN PARLAMENTAR TË PS
Ben Blushi: Duhet të na kishit lajmëruar për këtë raportim të ministrave që të ishim të përgatitur. Dua një sqarim nga ministri i Financave se sa është aktualisht niveli i borxhit, sa e gjetëm dhe cili ka qenë premtimi ynë elektoral për të?
Shkëlqim Cani: Niveli i borxhit është 73 për qind. Dua të sqaroj se si kemi shkuar në këtë nivel. Ne e gjetëm borxhin zyrtarisht 66 për qind. Por pas auditimit që u bëmë financave, kishim një marzh prej 5% të fshehur të tij, që kështu ai ishte 71 për qind. Falë kredisë së marrë nga FMN dhe BB, ne e kemi çuar borxhin në 73 për qind, por bazuar në rritjen ekonomike progresive, borxhi do të fillojë të ulet që këtë vit.
Ben Blushi: Si ka mundësi që ju thoni se është rritur lista e ilaçeve të rimbursueshme, por ilaçet që kanë të bëjnë me sëmundje të rënda, si kanceri, nuk i gjen në spitalet shtetërore, por vetëm në tregun privat që shkojnë deri në 400 euro një kurë.
Ilir Beqaj: Janë mbi 470 medikamente të përfshira në skemën e rimbursimit, ndërsa në spitale nuk ka mungesa të ilaçeve edhe për trajtimin e disa sëmundjeve të tjera tumorale si: kanceri i pulmonit, kanceri rektal, i lëkurës, i heparit etj. Barna me rimbursim janë pacientët e prekur nga hepatiti B dhe C.
Mimoza Hafizi: Shumë mirë që u bë ky raportim i ministrave para grupit parlamentar. Kam qenë unë dhe zonja Dade që e kërkuam këtë që të bëhej një rregull, por zonja Dade sot mungon, por dua të them se do të kishte qenë mirë që të ishim lajmëruar më parë me axhendën e mbledhjes së sotme që të ishim më të orientuar për atë që do diskutonim. Doja të thosha dhe dy fjalë për qëndrimin tim ndaj zbatimit të statutit sa i takon zgjedhjes së kryetarit të PS-së.
Gramoz Ruçi: Tematika e kësaj mbledhjeje, nuk përfshin diskutime për çështjet e statutit dhe Kongresit.
Edi Rama: Dy fjalë për partneritetin publik-privat se më duhet të largohem, pasi kam takimin e programuar me dy eurodeputetët, Flekenstein dhe Kukan. Këtë partneritet nuk është se jemi jashtë programit tonë qeverisës, ka qenë edhe ky pjesë e programit. Të gjithë jemi koshientë se nevojat e vendit për përmirësime infrastrukturore apo dhe shërbime janë shumë të mëdha, dhe me buxhetin e shtetit do të duhej një kohë e gjatë për t’u realizuar, sepse shumat janë të konsiderueshme, në disa qindra milionë euro. Që t’i përmirësojmë këto shërbime dhe t’u vijmë sa më shpejt në ndihmë qytetarit, kemi hyrë në këtë marrëdhënie partneriteti publik-privat. Nuk është shpikja jonë, shumë vende e aplikojnë këtë.
Besnik Bare: Dua të trajtoj një problematikë që është krijuar për shkak të disa koncesioneve problematike. E kam fjalën për HEC-in e Langaricës, Nivicës dhe Valbonës, të cilat janë në konflikt të hapur me ligjin për mjedisin. Kur ishim në opozitë i kemi denoncuar si koncesione që kanë dëmtuar mjedisin, por edhe për interesat klienteliste të tyre. Sot nuk po mbajmë asnjë qëndrim. Unë nuk shoh arsye që të mos i anulojmë kur ka shumë argumente ligjore.
Fatmir Toçi: Dua të ngre një shqetësim që vjen nga zona naftëmbajtëse e Gorishtit, ku pas dhënies me koncesion gjatë qeverisjes së Berishës, jo vetëm që nuk janë bërë investimet, por janë pushuar nga puna rreth 200-300 naftëtarë me përvojë që kanë mbi 35 vjet eksperiencë në këtë fushë dhe që nuk kanë marrë as asistencë. Ne u kemi premtuar në fushatë që do të anulojmë koncesionet, jo vetëm që kemi lënë njerëzit pa punë, por janë krijuar probleme mjedisore, si dhe probleme pronësie. Çfarë do të bëhet me to?
Damian Gjiknuri: Për Langarica 1, kur erdhëm në pushtet, ishte në përfundim. Për Nivicën dhe Valbonën, ende nuk ka leje ndërtimi nga KKT-ja sepse janë në procesin kur ministritë e linjës po japin raportet e tyre. Për ato koncesione që ka filluar puna apo ka përfunduar, ne nuk mund të anulojmë asgjë sepse korniza ligjore nuk na favorizon, duke nënkuptuar këtu ankimimin në arbitrazhin ndërkombëtar.
Aristi Lumnezi / Panorama