Gazeta amerikane “New York Times”, ka hedhur dritë mbi spastrimet që ndodhin në Partinë Komuniste. Sipas disa artikujve kushtuar viti 1961, jepen detaje se si Hoxha largoi nga partia Liri Belishovën dhe Koço Tashkon. Po ashtu bëhet e ditur se kjo lëvizje ishte e lidhur me përplasjet që nisën me Moskën dhe afrimi me Kinën.
3 mars 1961
Jugosllavia redukton përfaqësuesit
Jugosllavia ka njoftuar sot se po redukton stafin diplomatik në Shqipërinë fqinje në masën “minimale të mundshme” për arsye të keqtrajtimit të përfaqësuesve të saj atje. Masa vjen më pak se një javë pasi një zyrtar i legatës jugosllave në Tiranë u dënua nga Shqipëria. Jugosllavët thanë se zyrtari ishte ndaluar në rrugë dhe ishte rrahur nga agjentë të Sigurimit Shqiptar. Kjo vjen gjithashtu pas Kongresit të katërt të partisë shqiptare, ku Jugosllavia u kritikua ashpër dhe u akuzua se ka komplotuar bashkë me Greqinë dhe SHBA për rrëzimin e regjimit të Enver Hoxhës.
5 mars 1961
Shqipëria arreston spiunët sovjetikë
Mes konfliktit me aleatin e saj BRSS për arsye të mbështetjes për linjën e ashpër ideologjike të Kinës, autoritetet në Shqipëri kanë ngritur akuza ndaj dy personave për “spiunazh për Bashkimin Sovjetik”. Lajmi vjen nga burime që konsiderohen të besueshme por nuk mund të identifikohen me emër. Ata thanë se priten arrestime të tjera. Raportimet nga Tirana i emëruan personat si Sufret Metani e Ismet Jako, zyrtarë të ministrisë së Jashtme, të cilët supozohet të kenë kaluar dokumente të Kongresit të fundit të partisë, te një zyrtar i Ambasadës Sovjetike në Tiranë. Akuzat raportohet të jenë bërë pasi dyshja kishte folur me zyrtarin sovjetik. Nëse janë të vërteta, kjo do të ishte hera e parë në Bllokun Sovjetik që një vend burgos një zyrtar për lidhje të supozuara me Bashkimin Sovjetik. Të huajt këtu thonë se rasti konfirmon konfliktin mes BRSS dhe Kinës, të cilën Shqipëria tashmë e mbështet hapur. Partia Komuniste Shqiptare e Hoxhës mbështesin linjën kineze të komunizmit të ashpër ndërsa arrestimet po tregojnë tashmë sfidën e hapur që po i bën BRSS.
6 mars 1961
Manovër akrobatike e satelitit më të vogël dhe Enver Hoxhës
Emri i panjohur i Enver Hoxhës së Shqipërisë tashmë po përflitet për lëvizjen akrobatike të kalimit nga mbështetja e Bashkimit Sovjetik te ajo e rivalit të tyre komunist Pekini. Diktatori i Shqipërisë udhëheq vendin e vetëm satelit të izoluar gjeografikisht nga orbita kinezo-sovjetike. Vendi kufizohet me Jugosllavinë heretike, me Greqinë anëtare të NATO dhe me detin Adriatik të dominuar nga Italia, që më tej çon në Mesdhe ku gjendet Flota Gjashtë gjigante e SHBA. Shqipëria është vendi më i vogël e më i varfër komunist, është jo vetëm i rrethuar nga armiq, por dhe një mik të vetëm që i ka mbetur, e ka shumë larg. Hoxha erdhi në fuqi pas pushtimit italian dhe pas prishjes me Beogradin nisi të adhurojë Stalinin. Por Stalini vdiq dhe tentativat e Hrushovit për riafrim me Titon nuk i pëlqyen Hoxhës. Kryeministri sovjetik madje vizitoi Shqipërinë në 1959 por nuk arriti të fitojë besimin e marksistëve të thekur. Shumë udhëheqës të vendeve satelite parashikonin se Hoxha do të vritej së shpejti apo ai është ende në pushtet me gjithë varfërinë ekstreme të vendit dhe po e lidh fatin e vendit me Kinën. Kina ka krizë urie në vendin e saj por megjithatë ka blerë drithë në tregje të tjera për ta çuar në Shqipëri. Në të kaluarën Shqipëria ka qenë me rëndësi strategjike për BRSS pasi ata kishin ndërtuar një bazë nëndetësesh në ishullin e Sazanit nga e cila Stalini mund të niste fushatën e tij kundër Greqisë dhe më vonë për të kërcënuar Titon nga prapa krahëve. Por me revolucionin e armëve e raketave rëndësia strategjike e Shqipërisë u zvogëlua teksa Rusia mund të kërcënonte Evropën me raketat e saj të rangut të mesëm dhe nuk tregoi dëshirë për të dërguar nëndetëse në Mesdhe, ku dominojnë forcat Aleate. Pra humbja e Shqipërisë kishte vetëm një disavantazh politik. Hoxha ka treguar aftësi surprizuese për të dëmtuar paraprakisht opozicionin ndaj tij. Korrikun e shkuar ai eliminoi një komplot të drejtuar nga njëfarë admiral Sejko, dhe dy muaj më vonë shkarkoi dy figura të partisë të quajtur Tashko e Belishova për “aktivitete armiqësore”. Hoxha përdor burimet e tij të kufizuara për të mbajtur të kënaqur policinë e ushtrinë e vendit në mes të urisë e varfërisë. Komplotet dhe kundër-komplotet duken të zakonshme për Shqipërinë por çuditërisht regjimi ende mbahet në këmbë me anë të frikës e terrorit. Gjithashtu vendet fqinje nuk dëshirojnë të prishin gjendjen delikate të rajonit dhe të rrezikojnë që Shqipëria të kthehet në pikën e nisjes së konflikteve.
1 dhjetor 1960
Blloku Sovjetik josh Jugosllavinë, lëvizja lidhet me konfliktin kinez
Sovjetikët dhe komunistët evropiano-lindorë po bëjnë një fushatë të hapur mirësjelljeje ndaj Jugosllavisë, në një kthesë që besohet se është e lidhur me diferencat e thellë që po shfaqen me Kinën gjatë konferencës së udhëheqësve komunistë në Moskë. E përfshirë në shfaqjen e miqësisë sovjeto-jugosllave ishte dhe paraqitja e Vjaçesllav Molotov dhe bashkëshortes së tij në një pritje jugosllave në Vienë. Molotov është tashmë delegat në Agjencinë Ndërkombëtare Bërthamore në Vienë dhe ka qenë një figurë e rëndësishme në konfliktin e vitit 1948 mes Stalinit dhe Titos. Prezenca e Molotov në pritjen e dhënë nga ministri i Jashtëm jugosllav Koca Popoviç u konsiderua si një lëvizje e Moskës për të demonstruar ndjenjat miqësore ndaj Jugosllavisë. Domethënia politike e gjesteve sovjetike vjen nga fakti se konflikti kryesor mes Moskës e Pekinit është mbi etiketimin e ‘revizionizmit’ jugosllav. Pekini vazhdimisht e ka quajtur Jugosllavinë si ‘rrezik për pastërtinë e ideologjisë komuniste’ edhe pse nganjëherë pikëpamjet jugosllave përputhen me ato të Hrushovit. Në kontrast me miqësinë e shprehur ndaj Jugosllavëve BRSS dhe blloku sovjetik nuk i kushtoi fare vëmendje delegacionit shqiptar në bisedimet e Moskës, të drejtuar nga kreu i partisë Hoxha dhe kryeministri Mehmet Shehu, kur ata ndaluan në Budapest gjatë rrugës për në Tiranë. Largimi nga Moska i shqiptarëve, të cilët janë të vetmit evropiano-lindorë që mbështesin ideologjinë e Kinës, u konsiderua me domethënie. Ata u pritën shkurtimisht në një darkë nga Partia Komuniste hungareze dhe vazhduan më tej rrugën për në shtëpi, pa shumë zhurmë.
13 shkurt 1961
Komunistët shqiptarë hapin kongresin e partisë
Vendi më i vogël dhe më i izoluar komunist pritet të hapë nesër kongresin e katërt të partisë, të shtyrë dy herë tashmë. Diskutimet në të mund të tregojnë për konfliktin e kohëve të fundit mes Kinës e BRSS për hegjemoni në Shqipëri, që është një nga vendet më të varfra por me rëndësi strategjike në detin Adriatik. Me gjithë zhurmat për disidencë apo spastrime brenda partisë, asgjë konkrete në lidhje me përplasjen nuk ka rezultuar nga Tirana. Ka sinjalizime se Moska mund të jetë duke e dhënë te Pekini postin e saj.
Faktorët
Disa nga sinjalet për këtë zhvillim janë marrja e përgjegjësisë nga Kina për financimin e zhvillimit të Shqipërisë. Dhjetorin e shkuar Moska njoftoi programin e ndihmës ekonomike për bllokun lindor. Por Shqipëria e cila merrte ndihmat më të mëdha për kokë nga BRSS, sivjet nuk u përmend fare. Në vend të kësaj delegacioni i lartë shqiptar ishte këtë muaj në Pekin ku nënshkroi gjashtë marrëveshje ekonomike, përveç raportimeve se kinezët kanë dërguar në Shqipëri disa mijëra ton drithëra. Kreu i partisë shqiptare Enver Hoxha po jep sinjale për ruajtjen e postit me gjithë zemërimin e dukshëm të sovjetikëve me linjën e tij të ashpër staliniste si brenda vendit dhe në çështjet ndërkombëtare. Revista shqiptare ‘Rruga e Partisë’ ka ngritur lart gjeneralin Hoxha duke e quajtur bir besnik i popullit, që gëzon mbështetjen e tij të pakufizuar. Shqiptarët tashmë nuk lavdërojnë shumë Bashkimin Sovjetik por nuk i kanë kursyer lavdet për Pekinin. Në një mesazh urimi për ditëlindje për kreun e partisë kineze Mao Ce Dung, Hoxha shkruante ‘populli i madh kinez’ para se të shkruante ‘populli i lavdishëm sovjetik’ ndërsa lavdëronte partinë kineze si një ‘luftëtare e papërkulur në ruajtjen e pastërtisë së marksizëm-leninizmit’. Tashmë dihet që shqiptarët u vunë nën sulme e kritika në takimin e 81 partive komuniste në Moskë për pikëpamjet e tyre ‘dogmatike e sektariane’. Në konferencë delegacioni drejtohej nga Hoxha por ata u kthyen para mbylljes së bisedimeve, duke nxitur spekulimet për një konflikt personal me Hrushovin. Tashmë kongresi shqiptar do të diskutojë për planin pesë-vjeçar ekonomik. Ai ishte parashikuar të zhvillohej dy muaj më herët por në shtator u njoftua përjashtimi i dy zyrtarëve të lartë nga postet e partisë. Koço Tashko, kreu i Komisionit të Kontrollit dhe Liri Belishova, sekretarja e Komiteti Qendror, u dëbuan nga partia. Lëvizjet supozohet se kishin lidhje me debatin ideologjik Moskë-Pekin, mbi largimin e sovjetikëve nga linja tradicionale komuniste dhe i konceptit të Pekinit se luftërat janë të pashmangshme. Në tetor një takim i Komitetit Qendror shtyu kongresin për në dhjetor dhe më pas Radio Tirana njoftoi se ai do të mbahet në shkurt. Nuk ka shumë gjasa për përjashtim të Shqipërisë nga Blloku Sovjetik, teksa Moska ka zgjedhur linjën e injorimit të çdo lëvizjeje të Tiranës. Vlera kryesore për Moskën ishte dhënia e postit ushtarak në Adriatik dhe e bazave të nëndetëseve në Mesdhe. Këto supozohet se do të mbeten në dispozicion të Moskës për sa kohë që do të ruhet fasada e unitetit.