Ishshefi i kabinetit dhe sekretari personal i Ramiz Alisë, Guro Zeneli, njeri i besuar dhe bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit të parë në sistemin pluralist në Shqipëri, rrëfen detaje dhe ngjarje të zakonshme brenda kështjellës komuniste. Gjatë një interviste për gazetën Sot, Guro Zeneli flet për një debat mes shefave komunistë për një pastruese, e cila ishte ulur në vendin e gabuar.
“Dua t’ju tregoj një rast, që ju të kuptoni se sa njerëzor ishte Ramizi. Një pastruese fshinte dhomën e Ramizit dhe të gjithë shefave të tjerë. Ishte një grua nga Tirana. Ajo vinte në orën 4 të mëngjesit. Unë e respektoja shumë. Ajo na shërbente kafenë çdo mëngjes. Më donte shumë, dhe unë nga ana ime e respektoja shumë. Siç duket, ishte lodhur dhe ulet te kolltuku i udhëheqësve. Në atë kohë hyri një udhëheqës tjetër, nuk po ia them emrin, i cili ishte shumë i rreptë, dhe i bërtet gruas. “Këta kolltukë nuk janë për t’u ulur ti!”, i thotë ai, gruas. Ajo filloi të qante me dënesë. Ishte grua e moshuar. I thashë, mos qaj se këtu është Ramiz Alia. Ai është udhëheqës, ne do i bindemi. Ia tregoj Ramizit atë që ndodhi. Ai përgjigjet me humor: Pse, ai kishte frikë se mos i merrnin karrigen?! U bë debat mes shefave, por kjo situatë u kthye më pas në humor. Edhe gruaja u qetësua. Kjo tregon anën njerëzore të Ramizit. Ai kishte shumë kulturë. Kishte mbaruar Universitetin e Moskës për filozofi dhe gjuhësi”, shprehet ai.
Zeneli thotë se Alia kishte frikë se përgjohej nga Sigurimi i Shtetit. Sipas tij, atë e kishin inat pasi ishte i zgjedhuri i Enverit, dhe madje kanë dashur ta vrasin: “Ramizi ishte shumë i vëmendshëm. Mehmeti ka dashur ta arrestojë Ramizin. Ramizin kanë dashur ta arrestojnë në ’73 në Vlorë. Donin ta eliminonin. Ramizi ishte më i besuari i Enverit”.









