Kryeministri Edi Rama ishte sot në Vlorë, ku zhvilloi një takim me strukturat e Partisë Socialiste dhe përfaqësues të pushtetit vendor të Bashkisë Vlorë dhe Bashkisë Selenicë lidhur me reformën territoriale.
Në mbyllje të takimit, Bledi Çuçi, drejtuesi politik i PS në qarkun e Vlorës, tha se ky takim i sotëm nuk ishte për të marrë vendime, por për të dëgjuar dhe kuptuar atë që propozimi për reformën territoriale ka në thelb.
“Sot nuk ishim për të marrë vendim, sot ishim për të dëgjuar dhe për të shpjeguar. Një takim shumë i domosdoshëm, sepse njerëzit vërtet nuk e kuptojnë deri në fund thelbin e reformës, ku janë përmirësimi i shërbimeve dhe rritja e investimeve. Besoj se bëmë shumë mirë, sepse edhe njerëz që janë deklaruar kundër, që dhe sot janë kundër, morën disa përgjigje.
Sot nuk ishim për vendimmarrje, sot isha në rolin e mikpritësit të ministrave përkatës, deputetit përkatës që ka marrë iniciativën dhe kryeministrit, për të dëgjuar njerëzit e Vlorës”, u shpreh Çuçi.











