Pas vizitës në Turqi ku u prit me nderimet më të larta shtetërore nga Presidenti Erdogan, Kryeministri Edi Rama do të jetë nesër (8 Janar 2021) në Athinë ku do të takohet me Kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis dhe ministrin e Jashtëm Nikos Dendias. Kjo është një vizitë informale, ndryshe nga ajo në Turqi, ku Rama dhe Erdogan nënshkruan marrëveshje të partneritetit strategjik.
Por mediat greke i shikojnë këto lëvizje të Kryeministrit shqiptar si “lojë me dy porta”. Gazeta Protothema shkruan se teksa Ankaraja po i qëndron kauzës për mos shtrirjen e Greqisë me 12 milje në Egje, nga ana tjetër Kryeministri Rama ka thënë se zgjerimi me 12 milje i Greqisë në Jon është një e drejtë e saj. Por kjo çështje, pra mes Shqipërisë dhe Greqisë, do të zgjidhet në Gjykatën Ndërkombëtare.
Sipas Protothema, ky qëndrim i Ramës nuk është pëlqyer nga Ankaraja zyrtare. E njëjta gazetë shkruan se Kryeministri shqiptar Edi Rama konsiderohet “aleati më besnik” i Presidentit turk Erdogan në rajonin e Ballkanit. Por “kthesa” e Ramës që pranoi thirrjen e Greqisë për të shkuar në Gjykatë Ndërkombëtare për “detin”, vijon artikullin gazeta, ka të bëjë me perspektivën europiane të Shqipërisë.
“Z.Rama ka të gjitha arsyet për të luajtur me ‘kartën europiane’, dhe kjo është arsyeja pse në fund të fundit arriti marrëveshje me Nikos Dendias për zonat detare. Por tani Athina është e shqetësuar nga presioni i Ankarasë ndaj z.Rama për të hequr dorë, që vjen në një kohë me qëndrimin e Presidentit shqiptar Ilir Meta që ka akuzuar Ramën për diplomaci sekrete me Athinën”, shkruan gazeta Protothema.
Për të gjitha këto fakte, kjo gazetë shkruan se vizita e Kryeministrit Rama në Athinë të premten ka një interes të veçantë, që paralelisht edhe me veton e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut që njësoj si Shqipëria pret çeljen e negociatave, favorizon planet e Turqisë.
/a.r