Kryeministri Edi Rama ka qenë paraditen e së shtunës në Shkodër, ku ka pasur një takim me votuesit.
Gjatë fjalës së tij, Rama i është përgjigjur edhe aleatit të tij Ilir Meta, për qeverinë e besimit.
Rama tha se qeveria nuk është si hotel Rozafa, që të ikin disa dhe të vijnë disa të tjerë.
“E keni dëgjuar që thonë hajde ikim ne dhe të vijnë këta. Po pse çfarë është qeveria, hotel Rozafa? Po kur thonë nuk është çështje karrigesh?! Të jesh kryeministër i vendit nuk është se je i privilegjuar sepse ke suitën e hotel Rozafës dhe tani thonë: dil nga suita të futen dhe këta të bëjnë një dush se kanë 50 ditë në çadër”, tha Rama.
“Shqipëria që kemi është Shqipëria që ndahet në 18 qershor: do vazhdojmë luftën për Shqipërinë që duam apo do kthehemi mbrapsht te Shqipëria që kishim. Ajo që kishim është Shqipëria e ngujuar në një çadër në mes të bulevardit. Ju e dini mirë, kush ngujohet, ka një arsye për tu fshehur, ka një faj për të larë. Kush ngujohet ka një motiv shumë të fortë për të refuzuar të ballafaqohet me njerëzit. Ngujimi në atë çadër është ngujimi që vjen prej një frike shumë të madhe, frika nga drejtësia”, tha më tej Rama.
“Motivi ynë për të shkuar në zgjedhje në 18 qershor është çlirimi i drejtësisë për ti dhënë një hov më të madh punësimit. Të gjithë janë të nevojshëm, por jo të gjithë mund ta kuptojnë rëndësinë themelore të asaj date. Jam shumë krenar që ne kemi sot një qeveri që është shembull, jo e para në historinë e këtij vendi, por është shembull në rajon dhe e para në Europë që ka 50% gra. Ajo që duam është tu japim akses në punë të gjithëve, por pa diskutim grave dhe vajzave që janë sot të diskriminuara. Kam gjithmonë trishtim kur vij në Shkodër. Ne kemi bërë sa kemi mundur, por mund të bënim shumë më tepër. Kemi bërë një nga godinat simbol të traditës, por mund të kishim bërë edhe këtë (tregon një gropë), nëse Bashkia do kujtohej që është detyra e saj. Kemi rindërtuar teatrin, kemi ndërtuar stadiumin dhe muzeun e Marubit. Për këto të treja nuk kemi pasur nevojë për leje nga Bashkia, se harrojeni se do merrnim leje. Këtyre në Bashki që u thonë se socialistët nuk e duan Shkodrën, thojini të shkojnë deri në Malësinë e Madhe, Fushë Arrëz dhe Pukë. Ne nuk i ndajmë njerëzit në tanët dhe në të atyre, për ne kanë të gjithë të njëjtën vlerë”, vijoi më tej Rama. /b.d