Kryeministri Rama ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij në ceremoninë e betimit të Ilir Metës si president më 24 korrik.
Ilir Meta pritet të betohet si President i Republikës më 24 Korrik në orën 18:00.
Pjesë nga intervista:
Sokol Balla: Do të jeni në ceremoninë e inaugurimit më 24 korrik?
Edi Rama: Presidenti i zgjedhur është i zgjedhur dhe tani vjen hapur nga radhët e opozitës, jo gjysmë i shfaqur dhe gjysmë jo.
Sokol Balla: Përse u fol që mund të ketë bojkot?
Edi Rama: Nuk merrem fare me çfarë u fol dhe çfarë jo. Këtu është çështje shteti dhe jo e personave dhe pavarësisht nga sjellja zhgënjyese e Presidentit të zgjedhur, respekti për institucionet duhet të vijë i pari dhe me shpresën që i pari që do të respektojë institucionin e Presidentit të jetë Presidenti i zgjedhur.
Sokol Balla: Përgjigjja është po?
Edi Rama: S’e kam vënë asnjëherë në pikëpyetje këtë.
***
Kryeministri Edi Rama nuk ka dhënë asnjë emër apo detaj në lidhje me qeverinë e re që do të drejtojë vendin nga shtatori i këtij viti, por nga ana tjetër, ka treguar dy problemet kryesore që e shqetësojnë aktualisht.
I ftuar në emisionin “Top Story”, Rama është shprehur se dy janë problematikat që kanë zënë axhendën e tij.
E para ka të bëjë me situatën aktuale të energjisë elektrike, ku për shkak të temepraturave dhe thatësirës, KESH dhe OSHEE janë detyruar të blejnë energji elektrike për këtë muaj.
Por në lidhje me problemin e dytë, kryeministri është treguar mjaft i ashpër, duke akuzuar partitë e tjera politike, përfaqësuesit e të cilave ai i ka quajtur si “çakej” që po tentojnë të grabisin ç’të munden, derisa janë ende në poste shtetërore.
“Jemi në një fazë tranzicioni. Duhet të rishikojmë buxhetin dhe duhet të shohim patjetër situatën e energjetikës… Sfida tjetër është ajo e moslejimit të turrjes së çakejve të mbetur në zyrat e shtetit që e përjetojnë këtë fazë si minutat e fundit për të marrë çka do të marrin nga pazari i mbetur pa roje. Kjo është situata që më shqetëson në këto momente.”-tha Rama
***
“Unë nuk kam fajësuar asnjëherë drejtpërdrejt aleatët e deridjeshëm. Thjeshtë kam kërkuar një përpjekje të përbashkët me shqiptarët për të përmbysur një sistem kanceroz që është karakteristikë e partive të vogla”.
Kështu deklaroi mbrëmjen e sotme në Top Story kryeministri Edi Rama teksa tha se mazhoranca e dalë nga 25 Qershori pritet të mbahet në 3 shtylla; në Parlament, Qeveri dhe në parti.
Sipas Ramës, barra më e madhe e përgjegjësisë për 4 vite nuk lidhet me frikën e zhgënjimit të njerëzve, por me nevojën për t’i dhënë atyre atë për të cilën kanë votuar.
Duke folur për Sokol Ballën, Rama zbardhi edhe dy projektet e para të qeverisë që lidhen me transparencën dhe raportin me qytetarët.
“Besoj se me teknologjinë e re njërëzit i kanë mundësitë për të qenë pranë qeverisjes. Ne po punojmë një platformë, “Shqipëria që duam” për t’i dhënë akses të gjithë njerëzve. Nga ana tjetër ne po punojmë për një reformë për mekanizmin e dëgjimit të ankesave. Për ata që kërkojnë përgjigje nga vetë godina e kryeministrisë” – tha Rama.
I pyetur nëse ministrat e ardhshëm do të dorëhiqen nga mandati i deputetit sikurse bënë 4-vjeçarin që lamë pas, Rama tha se kjo gjë nuk është vendosur ende.
Sipas tij, ndarja e mandatit të deputetit nga ai i ministrit është në diskutim këto kohë brenda PS-së.
I pyetur për emrat e rinj në qeverinë “Rama2”, Kryeministri u shpreh se aktualisht nuk ka menduar për emra konkretë.
“Sigurisht që ne do të kemi një qeveri të re në shtator dhe ajo që thash vlen më shumë sesa emrat, për të cilët unë nuk është se kam menduar pasi besoj më shumë tek mënyra sesi ndërrtohet një sistem për të cuar përpara një punë dhe jo tek emrat.”-tha Rama.
Kryeministri Rama zbardhi edhe një pjesë të reformës në administratë teksa tha se çështja e pronave nuk do të kalojë më përmes një kalvari institucionesh.
“Nuk do të ketë më me qytetarët ta jep njëri, nuk ta jep tjetri” – tha Rama duke paralajmëruar unifikimin e Hipotekës, Agjencisë së Pronave dhe ALUIZNI-t në një trupë te vetme.Intervista
Sokol Balla: Jemi me autorin e “Rilindjes”, fituesin e zgjedhjeve të 25 qershorit, si ju duket vetja 53 vjeç shofer me timonin në dorë?
Edi Rama: Mua shumë urime, që japin kënaqësi por urimi i ditës ishte që gëzohu se sot je një vit më i ri se vitin tjetër. Në këtë perspektivë s’është keq.
Sokol Balla: Mund të thoni diçka për përmasat e fitores?
Edi Rama: Unë e kam përjetuar si një peshë të madhe përgjegjësie që nuk është se zvogëlohet, por ndjehet gjithmonë e më shumë ditë pas dite. E besoj thellësisht që fitorja është e Shqipërisë dhe shqiptarëve, ndërsa e imja është barra e përgjegjësisë. Është përgjegjësi që e kemi kërkuar dhe nuk na e kanë dhënë me zor. Njerëzit na e kanë dhënë sepse besojnë se ne meritojmë të provohemi të vetëm në timon, jo se kemi bërë një mrekulli për këtë mbështetje kaq të madhe.
Sokol Balla: Kam përshtypjen që kur thatë se mund të përfundojmë si PD, rrezikoni të përfundoni ashtu vërtetë. Jeni të përgatitur për një zhgënjim të madh pas katër vitesh?
Edi Rama: Nuk kam fajësuar drejtpërdrejtë aleatët e deridjeshëm. Kam nënvizuar domosdoshmërinë me shqiptarët për të ndërhyrë në sistem një qasjeje kanceroze në administratë. Barra nuk lidhet me frikën e zhgënjimit të njerëzve, por me nevojën e brendshme për t’ju dhënë atyre atë për të cilën nga kanë votuar dhe ajo çka kam thënë është që ne duhet ta kuptojmë kështu siç është këtë përgjegjësi, duhet të mobilizohemi për të patur soliditet në tre shtyllat që do të mbajnë shumicën e re, në grupin parlamentar, qeveri dhe parti dhe bashkë me njerëzit. Besoj që sot janë kushtet që njerëzit të jenë shumë më pranë qeverisë dhe të jenë aktorë të drejtpërdrejtë në bashkëqeverisje. Ne po punojmë për një platformë bashkëqeverisjeje ku do t’i japim akses të plotë njerëzve. Po punojmë për një reformë që do të nise nga reformimi i mekanizmit të dëgjimit të njerëzve që kërkojnë zgjidhje nga vetë kryeministria duke e shtrirë këtë në çdo ministri për të realizuar një lidhje të drejtpërdrejtë derisa të ndërtojmë një sistem funksional mes ministrave, deputetëve dhe njerëzve që të komunikojnë drejtpërdrejtë për çdo gjë që shohin të papërshtatshme në sjelljen e administratës.
Sokol Balla: Kjo do të kërkojë ndarje pushtetit brenda vetë partisë. Çfarë rregullash, do të riaplikoni ndarjen e mandateve të deputetit nga ministri?
Edi Rama: Kjo është në diskutim. Po diskutojmë për të patur një qeverisje integrale dhe jo një qeverisje të qeverisë. Të trija pjesët, parlamenti, qeveria dhe partia
Sokol Balla: Kjo mund të interpretohet sikur po krijon një opozitë brenda partisë, ndërkohë që opozita pritet të jetë e ashpër.
Edi Rama: Këtu nuk bëhet fjalë për të krijuar një shëmbëlltyrë të opozitës, por bëhet fjalë për të dëgjuar njerëzit. Ideja është për të krijuar një situatë presioni të përhershëm ndaj atyre që përfaqësojnë shtetin në të gjithë nivelet dhe veçanërisht në zyrat e shërbimeve. Ata duhet të marrin një mesazh të qartë që qytetari është në bashkëqeverisje.
Sokol Balla: Thatë që po mendoni nëse do të ketë ndarje mes mandatit të deputetit dhe pozicionit në ministrit. Çfarë do të ndodhë me kabinetin qeveritar? A do të ketë ministra që do të mbajnë pozicionet e tyre? Cili është kriteri? A do të ketë ndryshime në qeveri?
Edi Rama: Ne do të kemi një qeveri të re në shtator dhe ajo që thashë vlen më shumë sesa emrat, për të cilët nuk kam menduar pasi besoj shumë tek mënyra sesi ndërtohet një sistem, jo emrat. Jemi në një fazë tranzicioni të panatyrshme, ndërkohë që janë disa sfida të rëndësishme, si ajo e rishikimit të buxhetit, edhe për shkak të thatësirës, po ashtu sfida e moslejimit të turrjes së çakejve të mbetur në zyrat e shtetit që e përjetojnë këtë fazë si mënyra e fundit për të marrë gjithçka nga një hambar pa roje.
Sokol Balla: E thatë edhe vetë që është një tranzicion i pashembullt. Keni ministra të LSI-së, keni edhe ministra teknikë që thatë se do i shkarkoni më 26 qershor.
Edi Rama: Nuk thashë që do t’i shkarkoj, por që do të largohen. Roli i tyre ishte një rol i nevojshëm, por edhe për të lehtësuar në kushte të vështira dhe për shkak të një tradite të vështirë barrën e presionit dhe të paranojës që ka çdo opozitë kur hyn në zgjedhje në Shqipëri. Ata e luajtën rolin e tyre, misioni i tyre ka përfunduar dhe jemi në një situatë paradoksale që shpresoj që të zgjidhet një orë e më parë.
Sokol Balla: Si e gjykoni përformancën e ministrave teknikë? Në shtator katër ministrat e LSI do të largohen dhe do t’i lënë vendin ministrave të mazhorancës së re, në kuadër të reformës në administratë, do të ketë pastrime tek drejtuesit e dikastereve të LSI?
Edi Rama: Nuk jam unë vlerësuesi i performancës së ministrave teknikë. Unë e kam thënë që nga ai moment nuk do të përfshihesha më në atë proces dhe fitova lirinë për të bërë fushatën pa ngarkesën e menaxhimit të zgjedhjeve. Task-forca ka punuar mirë, ka patur disa eksese të pashmangshme. Roli i Policisë së Shtetit ka qenë shembullor, i lëvduar nga OSBE/ODIHR edhe pse në presion gjatë zgjedhjeve nga Presidenti i zgjedhur dhe merita i shkon drejtorit Haki Çako. Në asnjë mënyrë nuk do të bëjmë një proces që do të godasim politikisht, por logjikisht dhe moralisht çdo sektor, strukturë, mekanizëm, individ që nuk është i denjë për të qenë pjesë e administratës shtetërore. Shërbimin Civil ne duam ta forcojmë dhe me siguri edhe kush në Shërbimin Civil është i padenjë, nuk diskutohet që përmes mekanizmave ligjorë do të largohet dhe pastaj do të shohim nëse do të largohet për shtëpi apo burg.
Sokol Balla: Përmendet ODIHR, ndërkohë në raportin paraprak ishte shumë kritik për procesin zgjedhor. U përmend shumë fenomeni i shitblerjes së votës, kështu reagoi edhe PD, edhe LSI. A u dëmtua ky proces nga shitblerja?
Edi Rama: Unë mendoj të kundërtën. ODIHR përmend që për herë të parë kemi në Shqipëri goditje për blerje vote dhe jam i bindur që nëse gjërat shkojnë në proces gjyqësor, atëherë mësimi do të merret edhe për ata që mund të jenë përfshirë në këtë proces dhe nuk janë kapur me presh në duar. Ne kemi pas sondazhet tona dhe sa i përket PS, kemi marrë saktësisht pak a shumë me përqindje, me presje dhjetore atë që kemi pritur nga publiku. E kemi marrë sepse kemi qenë të organizuar. Kemi patur makinerinë më të mirë elektorale këtë herë dhe angazhimin më të mirë si skuadër.
Sokol Balla: Do të ketë rikthime në kabinet të ministrave që u larguan gjatë këtij viti, përfshirë edhe ata të marsit?
Edi Rama: Nuk flas do me emra sepse nuk jemi në atë fazë. Ne kemi ngritur disa grupe dhe unë po merrem me platformën e bashkëqeverisjes që do të jetë e hapur për qytetarët përmes teknologjisë. Një grup tjetër po punon për reformën strukturore.
Sokol Balla: Do të jetë kabinet më i vogël?
Edi Rama: Ka ardhur koha që ne mund të bëjmë atë që kam thënë para 4 vitesh që nuk do të ketë më ALUIZN-i veç, hipoteka veç dhe Agjenci Kthimi Pronash veç. Do të punojmë që çdo qytetar që shkon në një zyrë për të marrë një shërbim, për të gjithë dokumentet që duhet t’i japë shtetit, por vetë ajo zyrë ku kërkon shërbimin duhet të garantojë gjithë dokumentet e tjerë. Qytetari duhet të sjellë vetëm dokumentet që lidhen me bankat apo me jashtë vendit.
Sokol Balla: Kriza në PD, gara që ka nisur duket se vendos në pikëpyetje vazhdimin e marrëveshjes me Bashën?
Edi Rama: Unë shpresoj që jo.
Sokol Balla: Selami e Patozi thotë që do ta rishikojmë.
Edi Rama: Unë besoj që nëse ka patur një akt të duartrokitshëm për Shqipërinë nga PD në katër vite, ka qenë ajo marrëveshje.
Sokol Balla: Do të thotë që Basha është i parapëlqyeri juaj në garë?
Edi Rama: Flas për marrëveshjen, nuk flas për parapëlqime. Ajo marrëveshje ka dalë edhe si rezultat i një momenti që është vërtet, që kupa u mbush me një politikë të caktuar dhe një krizë që reflektonte atë politikë mundësoi marrëveshjen për një politikë të re.
Sokol Balla: Humbja e Kavajës, ishte ndëshkim ndaj modelit Elvis Rroshi?
Edi Rama: Nuk kemi bërë analizë të zgjedhjeve në Kavajë. Mendoj që në Kavajë janë bërë punë të mira për qytetin dhe komunitetin dhe ajo që ka rëndësi është që u bënë zgjedhje më të mira si asnjëherë tjetër në Shqipëri dhe në Kavajë. Ne do të bëjmë analizën tonë.
Sokol Balla: Tom Doshi do të bashkëpunoni me të?
Edi Rama: Ne do të bashkëpunojmë me të gjithë sepse për mua është mbi të gjitha e rëndësishme që të çojmë përpara një proces ku fiton Shqipëria, shqiptarët. Nuk jam i interesuar për luftëra dhe konflikte, polemika dhe ndërkohë edhe unë vetë kur them që duhet të shohim nga vetja, të kërkojmë çfarë mund të përmirësojmë tek vetja. Ne duhet që të mobilizojmë maksimumin dhe ta gjejmë këtë tek vetvetja. Përsa më takon, ne do të kemi dorën e shtrirë të bashkëpunimit në mënyrë konstante dhe politika që do të bëjmë do të jetë politikë e punës. Ne do të flasim me punë dhe kemi mundësi të bëjmë transformime shumë të rëndësishme, të sulmojmë edhe ata sektorë ku kemi qenë të kufizuar, jo vetëm për shkak të LSI-së. kemi shumë punë dhe shumë detyrime karshi njerëzve saqë nuk kemi energji për të humbur për të bërë politikë të llojit të vjetër.
Sokol Balla: Edhe LSI ndryshoi kreun e saj?
Edi Rama: LSI është ndryshe, nuk ka garë, është ekzekutim.
Sokol Balla: Tashmë Zonjën e Parë do ta kemi një drejtuese të opozitës?
Edi Rama: Çfarë të të them?!
Sokol Balla: Metën e këshilluat që të ridimensionojnë rolin si president i vendit, këshillë apo kërcënim?
Edi Rama: As këshillë dhe as kërcënim! Ishte një lutje për të riparuar dëmet e mëdha që i bëri figurës së presidentit me mënyrën e përfshirjes në fushatë. Është një president konsensual dhe jo personazh konfliktuar dhe duhet të rigjejë qetësinë dhe dashurinë për të gjithë dhe të mos kemi situata që do të na vinin në pozitë të vështirë.
Sokol Balla: Do të jeni në ceremoninë e inaugurimit më 24 korrik?
Edi Rama: Presidenti i zgjedhur është i zgjedhur dhe tani vjen hapur nga radhët e opozitës, jo gjysmë i shfaqur dhe gjysmë jo.
Sokol Balla: Përse u fol që mund të ketë bojkot?
Edi Rama: Nuk merrem fare me çfarë u fol dhe çfarë jo. Këtu është çështje shteti dhe jo e personave dhe pavarësisht nga sjellja zhgënjyese e Presidentit të zgjedhur, respekti për institucionet duhet të vijë i pari dhe me shpresën që i pari që do të respektojë institucionin e Presidentit të jetë Presidenti i zgjedhur.
Sokol Balla: Përgjigjja është po?
Edi Rama: S’e kam vënë asnjëherë në pikëpyetje këtë.
Sokol Balla: Politikanë me përvojë kanë mbetur jashtë Parlamentit. Blushi mbeti jashtë, Shpëtim Idrizi mbeti jashtë, ndjeni keqardhje për këtë.
Edi Rama: Kush ka shkuar në shtëpi ka shkuar se e meriton, jo se e kam dërguar unë, e ka dërguar populli. Nuk kam asnjë keqardhje. Është një moment i rëndësishëm për ta lexuar ashtu siç duhet. Ne kemi shumë sfida të forta dhe gjithë këto të tjerat janë në plan jo të dytë, por të tretë për mua. Ne kemi sfidën që të çojmë përpara reformën në drejtësi dhe t’u tregojmë shqiptarëve që koha e reformave në letër ka përfunduar. Shqiptarët duhet të shohin gjykatës që të jenë të pandehur të drejtësisë. Kemi sfidën për të çuar ekonominë mbi 5 përqind, që ta ndjejnë të gjithë. Kemi sfidën e çuarjes së rilindjes urbane dhe po diskutojmë programin për rilindjen rurale. Kemi sfidën e madhe të çarjes përpara të reformës në arsim dhe rritjes së cilësisë së gjithë sistemit në atë që njerëzit marrin. Kemi sfidën që të ndërtojmë shtëpinë e shtetit mbi themelet që kemi hedhur. Të gjitha këto të tjerat janë të rëndësishme për gazetat dhe televizorin. Ata mund të kenë gurë në trastë për ne, por ne kemi vetëm lule për ta.
Sokol Balla: Sot ka patur një reagim të kryemadhit, i ashpër dhe më ra në kontrast me fjalën tuaj për metën. Falenderuat LSI për bashkëqeverisjen, por keni marrë reagime të ashpra nga LSI, do të thotë që çdo pajtim i përket të shkuarës, jeni kundërshtarë?
Edi Rama: Unë jam ai që isha! Unë jam ai që thosha që kontributi i Ilir metës në koalicion ka qenë vendimtar dhe i qëndroj kësaj.
Sokol Balla: Kë do të veçonit nga ministrat e LSI?
Edi Rama: Veçoj vetëm njërin për të cilin nuk ndjej keqardhje që është Ylli Manjani. Nga pikëpamja personale dhe profesionale i kam falenderuar ministrat e LSI-së.
Sokol Balla: Nuk e përjashtoni një moment bashkëpunimi në të ardhmen?
Edi Rama: Unë jam këtu ku isha. Nuk jam larguar unë. Unë them që sot jemi zgjedhur për atë që kërkuam, kërkuam timonin pa të tjerë në prehër. Tani në demokraci jemi, në prehër nuk janë, por janë pasagjerë, por këtu është aftësia dhe merita e atyre që kanë timonin.
Sokol Balla: Ju nuk përjashtoni mundësinë e një afrimi të mundshëm. Për reforma të mëdha, që kërkojnë numër të madh votash, do të keni nevojë për partitë e tjera…
Edi Rama: Unë dua që PS të qeverisë me forcën e shembullit, fuqia jonë nuk buron nga forca ime, por nga shumica më e madhe që ka votuar ndonjëherë një parti të vetme. Kemi marrë 9 deputetë më shumë.
Sokol Balla: I morët sepse 200 mijë demokratë nuk dolën në zgjedhje.
Edi Rama: Unë flas ca kemi marrë ne, jo se çfarë kanë bërë ata. Kemi marrë më shumë vota, jemi rritur në raport me vetveten. Nëse kanë ndenjur demokratët në shtëpi, ka lidhje edhe me ne, siç ka lidhje që ka shumë demokratë që na kanë votuar ne.
Sokol Balla: Duhet t’i qëndroni premtimit që ata demokratë dhe socialistë në emigrim të votojnë herën tjetër.
Edi Rama: Ata që janë jashtë nuk votuan dot jo për fajin tonë. Do të bëjmë regjistrimin dhe nëse do të kemi dakordësimin për të ndryshuar kodin zgjedhor, do të votojnë pas katër vitesh.
Sokol Balla: Ju trëndafilin e morët e vendosët mes dy gishtave. Shmangët shumë simbolet e PS. Pati njëlloj fushatë populizmi. A keni menduar të ndryshoni emrin e PS në Rilindje?
Edi Rama: Rilindja është program i Partisë Socialiste.
Sokol Balla: Gramoz ruci, kryetar kuvendi?
Edi Rama: Për mua 100 përqind po, tani shpresoj mos kem telefonatën pas emisionit që të më thotë: Prit se nuk më ke pyetur mua