Kryeministri Edi Rama që ka udhëtuar dje drejt Serbisë ku mori pjesë në Forumin e Sigurisë të vendeve të Ballkanit ka pasur pjesë të axhendës së tij edhe promovimin e librit “Kurbani” në gjuhën sebe. Në aktivitetin e mbajtur në Hotel Crown Plaza, merrnin pjesë publicistë dhe gazetarë serbë e shqiptarë. Por, gjithashtu është vënë re prania e Ministrit të Jashtëm serb Ivica Daçiç si edhe i 2 ministrave të tjerë. Gjatë fjalës së mbajtur me këtë rast Rama ka thënë se nuk ka ndërmend të shkruajë më libër si kryeministër. Ai ka rrëfyer edhe për përvojën e tij si politikan.
Një punë e Mrdjan Bajic (Mergjan Bajic) një skulptor nga Beogradi, mik i Edi Ramës që nga vitet e Parisit zë vend në ballë të kopertinës ku me “shkrim dore” shkruhet në serbisht “Flijim” është kopertina në gjuhën serbe e librit “Kurban” të kryeministrit, libër që u shkrua pasi ai humbi Tiranën si kryebashkiak.
Gjatë fjalës së mbajtur në promovimin e librit, Rama u shpreh se nesër shënohet dhe 2-vjetori i ngjarjes së “dronit” duke iu referuar incidentit në stadiumin e Beogradit.
“Dikush më kujtoi se nesër është 2 vjetori i dronit. Kujtoni si ishte atmosfera atëherë dhe tani. Në çdo media u transmetua si lufta e re ballkanike. Më kujtohet fytyra e Aleksandrit kur përmenda Kosovën, thashë më vete çfarë i bëra të shkretit djalë, do më vdesë para syve, por tashmë gjërat kanë ndryshuar”, është shprehur Rama.
Kryeministri gjithashtu foli dhe për ditëlindjen e tij që vitin e kaluar rastisi ta festohen në pallatin presidencial të Francës ku po mbahej takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor.
“Kur Daçiç më këndoi për ditëlindje në Elize askush s’po e besonte, kujtuam se mos ishte provokim. I thashë Holande se në Ballkan nuk bëhen festa pa muzikë, e ai kujtoi se doja orkestër. Dërgova Ditmirin tek Iviça duke menduar se nuk do pranonte. Ai tha: Cilën këngë? E gjithë salla me publicistë e gazetarë serbë dhe tre ministra qeshën”, përfundoi Rama.