Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se si kryetar i PS është i gatshëm që ti përgjigjet pozitivisht nismës së Presidentit Nishani, për një tryezë të partive parlamentare.
“Është përsëri momenti për të këmbëngulur për dialogun. Ka një nisëm të Presidentit që ne e kemi përkrahur. Ne jemi të gatshëm për tu ulur në dialog pa kushte. Nga pala tjetër ka një vonesë. Shpresoj që kjo vonesë të mos ndikojë në dështimin e këtij takimi”, ka deklaruar Rama.
Sipas kreut të qeverisë, Basha s’duhet të ketë frikë nga tryeza e të gjitha partive parlamentare, si dhe nga shkëmbimi i opinioneve.
“Është një frikë e pajustifikueshme. Jemi në një situatë ku po rritet vëmendja e partnerëve ndërkombëtarë, ku askush nuk arrin ta perceptojë këtë situatë, kur të gjithë ata presin të mbahen zgjedhjet sipas Kushtetutës. Nuk shoh krizë politike e as shoqërore. Shoh krizë dramatike të PD-së. Jemi të gatshëm të kontribuojmë që ajo të dalë nga qerthulli ku ka hyrë. Me 18 qershor populli do të bëjë zgjedhjen e tij”, u shpreh Kryeministri.
Kreu i qeverisë me këtë rast ka komentuar edhe zgjedhjen e Presidentit të ri. Rama ka nënvizuar se i takon këtij koalicioni aksit PS- LSI për të përcaktuar zgjedhjen e Presidentit.
javanews.al/ma.me