Nga Albert Nikolla
Kriza politike që ka ngërthyer krejt pështafin ideologjik opozitar, besoj se është prodhim autentik i viskozitetit politik e ideor të të gjitha rrymave ngadorendëse të Opozitës. Kjo ka rënë pré e njëfarë skizofrenie politike pasi dasitë brenda saj janë aq të shumta e të papritura saqë nuk ka parashikues që vë bast mbi hopet tekanjoze të propozimeve të saj që marrin flakë nga dita në ditë bash si “pushka e jevgut”. Turbullimi i pamjes së piketave politike ka bërë që Opozita të mos ketë më asnjë orientim se çfarë është “e mirë” dhe çfarë është “e keqe” për të, e sidomos për të ardhmen e vendit. Çka thotë sot, nuk e thotë nesër; çka thotë grupi i Lulit, nuk e mbështet grupi i Mulit. Veç kësaj, Luli kujdeset që çdo cifël mendimi të marrë më parë pëlqimin e Plakut pasi nëse, pa dashje, ndonjë gjë përshkon tej përtej vrimat e gardhit të Shqup-it pa lejen e Plakut, bëhet hataja. Kjo hallakatje e skizofreni politike rrjedhin njëherazi, shumë ngadalë, në një përzierje të përbashkët që duket më shumë si paçamurr sesa një reflektim politik që duhet të jetë tipik për një grupim politik në kërkim të së mirës. Në këtë fushë Sartri shikon edhe rrezikun më të madh të viskozitetit që mund të jetë edhe politik: “… viskoziteti shfaqet menjëherë si antivlerë, ose më saktë si një lloj ekzistence e parealizuar, po që në të njëjtën kohë është kërcënuese, sepse sulmon ndërgjegjen në mënyrë të vazhdueshme e të rrezikshme”. Në këtë gjendje pështjellimi ndodhet sot Opozita.
Një një situatë të tillë, Kryeministri Rama është gati i detyruar të këshillojë Opozitën për një bashkërendim të mendimeve të saj të hallakatura. Ramës i kanë kërkuar takim të gjitha rrymat opozitare dhe ai po e kryen këtë mision me ndjenjën më të lartë të përgjegjshmërisë duke ofruar qasje politike krejt dashamirëse e duke i pritur në zyrën e tij, gjë që ishte e paimagjinueshme me kreun e qeverisë prej 2005 deri 2013, asokohe opozitarët vriteshin në bulevard para Kryeministrisë. Vështirësia e një qasje politike që të kënaqë të gjitha palët është tejet mundimshme pasi edhe kërkesat e këtyre fraksioneve janë thuajse të kundërta me njëra tjetrën. Çrregullimet e mendimit politik opozitar tashmë janë formësuar në një lloj trilogjie groteske ku grupi i parë ulet në tryezë dhe bie në ujdi për Reformën Zgjedhore; grupi i dytë – qëndrestarë kuvendorë – i ka dhënë jehonë listave të hapura si “shpëtim për kombin” dhe nuk pyet më për Opozitën formale lulishtare; grupi i tretë kuvendor – i veshjeve estetike të qepura vetë – ka zbuluar se i duken pak 140 deputetë dhe e shikon shpëtimin ekonomik të vendit tek shtesa prej 10 deputetësh. I trullosur nga kjo tymnajë që i doli para sakaq, Luli ka nisur fushatën e denigrimit të anëtarëve të grupit opozitar të PD-së që nuk e ka braktisur kuvendin – të vënë në listë prej tij –, duke i quajtur të lidhur me krimin, bixhozxhinj, të shitur tek PS-ja e lloj lloj fyerjesh meskine. Në këtë panoramë të trishtë Ramës i bie barra e dyfishtë që veç drejtimit me sukses të Qeverisë përballë sfidash e emergjencash të jashtëzakonshme, të udhëheqë edhe dialogun mes fraksioneve opozitare pasi një opozitë e shëndetshme është një e mirë për vendin.
Mendjet e shkurtëra politike të fraksioneve opozitare, mjerisht na duhet të pohojmë, kanë një stil të të bërit politike që lidhet vetem me të tashmen, me imediaten. Sipas tyre çka është e sigurtë sot, çka leverdis dhe sjell përfitim të menjehershëm, përfaqëson sot njësinë matëse që ata përdorin. Në të kundërt, Kryeministri Rama po i thërret në skenën e përgjegjësisë se zgjedhja e drejtësisë dhe angazhimit për një reformë zgjedhore dinjitoze është në të mirë të Shqipërisë dhe të vetë Opozitës.
“Njihe veten” shkruhej në tempullin e Delfit. Një këshillë e thjeshtë në dukje, por në të kundërt, e guximshme për t’u vënë në jetë, por është e vetmja rrugë që e liron Opozitën nga frikërat dhe pasiguritë. Në thelb është kjo që Rama po i kërkon Opozitës: merruni vesh mes jush dhe unë jam gati për çdo zgjidhje. Po aq e thjeshtë – por e vështirë për t’u kryer – është edhe këshilla për të jetuar angazhimin politik në plotni. Të shumtë janë opozitarët që kënaqen duke jetuar në sipërfaqen politike, duke pluskuar, prandaj duhet ta kuptojnë se shpejt mund të vihen përfund nga kreshta e detit të konkurrencës politike. Thelbi qëndron pikërisht në të zbriturit në thellësi të politikës aty ku mendohet për të ardhmen e vendit jo vetëm të partisë, dhe Partia Socialiste, më mirë se asnjë parti tjetër, po e dëshmon këtë përkushtim për Shqipërinë.