Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka reaguar pasi raketat ruse kanë goditur një fshat në Poloni, duke shkaktuar vdekjen e dy personave.
Stoltenberg ka thënë se është me rëndësi të vërtetohen gjitha faktet.
“Fola me presidentin e Polonisë, Duda, për shpërthimin në Poloni. I shpreha ngushëllimet e mia për humbjet e jetës. NATO po e monitoron situatën dhe aleatët po konsultohen nga afër. Është e rëndësishme që të gjitha faktet të vërtetohen”, ka shkruar Stoltenberg në Twitter.
Më herët, Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka thënë se është i “shokuar”, pas raportimeve se raketat kanë goditur në Poloni, duke shkaktuar vdekjen e dy personave.
“I shokuar me lajmin se një raketë apo armatim tjetër ka shkaktuar vdekjen e personave në Poloni. Ngushëllime familjeve. Ne qëndrojmë me Poloninë. Jam në kontakt me autoritetet polake, anëtarët e Këshillit Evropian dhe aleatët tjerë”, ka shkruar Michel në postim në Twitter.
/e.d