Nga Edi Rama*
Duke dëgjuar me radhë të gjithë parafolësit, opinionit publik mund t’i krijohet ideja se sipas nesh, të gjitha gjërat janë në rregull. Ajo që unë dua të them qysh në fillim është se jo të gjitha gjërat janë në rregull.
Ne sigurisht, sikundër u nënvizua nga ministrat që bënë këtu një përmbledhje shumë sintetike të punëve të këtyre gjashtë muajve, kemi bërë shumë dhe faktikisht i jemi përgjigjur me punët e bëra objektivave që kemi vendosur për këtë periudhë. Por ne nuk jetojmë në një guaskë të shkëputur nga realiteti dhe jemi të kërcënuar seriozisht nga rreziku që të perceptohemi si të tillë nga njerëzit.
Njerëzit nuk hanë shifra, njerëzit nuk e mbushin tavolinën e bukës me statistika, njerëzit nuk i veshin fëmijët me suksese dhe në fund të muajit, njerëzit nuk llogarisin shifrat, statistikat dhe rezultatet tona, por shikojnë ekonominë e tyre familjare. Kjo do të thotë se është shumë e rëndësishme për ne që të jemi shumë më pranë, sesa kemi arritur të jemi deri sot, me njerëzit dhe me procesin e qeverisjes. Ne të jemi mishërimi i ambicieve, shpresave, por edhe i dhimbjeve të tyre.
Nuk është e thjeshtë, por është e domosdoshme. Ne jetojmë sot, në një situatë të ndërlikuar në shumë aspekte dhe kemi detyrën të qeverisim pa opozitë. S’kemi opozitë. Ajo që kemi është një gërdi individësh dhe grupesh të çoroditura, që në pamje të parë duket sikur e bën më të lehtë punën tonë, por në thelb e bën më të vështirë. Sepse një opozitë që nuk të sfidon në intelekt, por të sfidon fizikisht, është një hata e madhe përsa i përket nevojës që ka çdo qeveri në botë që të jetë e zhvilluar në intelekt. Një opozitë që nuk shkon në Parlament si në një Kuvend, por shkon si në një tapet mundjeje, është një hata e madhe, sepse, ndërkohë që ne jemi zgjedhur për të çuar përpara alternativa, gjendemi në kushtet ku duhet të përfshihemi në një sport që nuk ka lidhje jo vetëm me politikën, por as me sportet e njohura si të tilla nga federatat ndërkombëtare. Një opozitë që ka vizion të vetin shpifjen dhe ka program të vetin sharjen është një opozitë shumë e rrezikshme për ne, jo për rezultatet e zgjedhjeve, por për fuqinë tonë për t’u motivuar dhe për të bërë më të mirën.
Sfida kryesore që ne kemi, është të jemi në lartësinë e duhur përsa i përket motivimit, përsa i përket aftësisë për të lexuar si duhet realitetin e njerëzve dhe përsa i përket fuqisë për të bërë maksimumin tonë të mundshëm.
Këtu u thanë gjëra të vërteta, por ne tani e kemi të nevojshme që të hyjmë në një fushatë të mirëfilltë, me angazhimin maksimal të të gjitha forcave tona, që nga niveli i kryesisë së partisë, i qeverisë, i Asamblesë Kombëtare dhe i të gjitha niveleve të dyta të organizimit, për të shkuar qark më qark, bashki më bashki, fshat më fshat dhe për të folur me njerëzit, jo thjesht për ç’ka kemi bërë, por për ç’ka njerëzit presin prej nesh sot dhe për të dëgjuar me shumë vëmendje që të kuptojmë atë që është më e rëndësishmja në këto kushte. Në kushtet kur opozita nuk vjen në Parlament për të sjellë zërin e njerëzve, në kushtet kur opozita nuk shfaqet në tribunat e debatit për të përfaqësuar njerëzit. Të mos e harrojmë për asnjë moment që ne kemi marrë një mandat që në thelbin e vet ka bashkëqeverisjen me njerëzit.
A jemi ne, sot, në lartësinë e mandatit tonë në raport me këtë element thelbësor?
Përpjekjet e bëra prej nesh janë të shumta, por rezultatet e këtyre përpjekjeve janë të pamjaftueshme.
Jemi në kushtet kur kemi marrë një rekomandim pozitiv nga Komisioni Europian dhe nëse do të citoja reporterin për Bashkimin Europian në Komisionin e Çështjeve Europiane të Bundestag-ut, i cili tha se asnjë vend përpara hapjes së negociatave nuk ka bërë më shumë se Shqipëria, kjo mbase do të mjaftonte për të thënë që ne i kemi bërë të gjitha, por e vërteta është që ne kemi bërë shumë, po kemi shumë akoma për të bërë.
Kemi shumë akoma për të bërë në të gjitha aspektet, sepse njerëzit kudo, por sidomos në Shqipëri jetojnë me idenë se kur qeveris e djathta ka edhe më keq, kur qeveris e majta ka edhe më mirë. Kur qeveris e djathta, mjafton të mos hanë kokrrën e plumbit në protestë, që të mos gjenden të dhunuar e të abuzuar në të drejtën e tyre dhe janë në rregull. Kur qeveris e majta ka gjithmonë më mirë.
Kjo është një sfidë shumë e madhe, sepse nga ne, njerëzit nuk mund të kënaqen vetëm se nuk i vrasin rrugëve. Nuk mund të kënaqen që nuk i dhunojnë verbalisht, por edhe fizikisht. Nuk mund të kënaqen që nuk i trajtojmë si lecka, kur vjen puna për të vlerësuar meritat e tyre dhe për të respektuar dinjitetin e tyre.
Me të drejtë prej nesh, njerëzit kërkojnë shumë më tepër, sepse ne jemi një forcë e të ardhmes, kurse ata janë një forcë e të shkuarës. Ne jemi forcë që e ka treguar gjatë gjithë historisë së vet, me uljet dhe ngritjet e historisë, se kemi respekt për shtetin. Ata janë një forcë që s’kanë asnjë lidhje me respektin për shtetin.
Duke shkuar më tutje në aspektet e përpjekjeve tona të kësaj periudhe, unë do të nënvizoja faktin që sot njerëzit po shohin se gjithë ajo luftë e vërtetë mbi dhe’ dhe nën dhe’ për të çuar përpara reformën në drejtësi, gjithë ajo përballje ekstreme me çadrën në mes të bulevardit për të çarë rrugën e vetting-ut, jo thjesht ja ka vlejtur, por ka qenë ashtu siç ne e kemi treguar.
Sot, pallati i drejtësisë po shembet. Të korruptuarit brenda pallatit nuk kanë shpëtim. Njerëzit, sot po e shohin sesi po përshkallëzohet i gjithë procesi dhe si po largohen një e nga një, ata që e kanë mbajtur peng pallatin e drejtësisë.
Por thonë, si do shpëtojnë këta me kaq?
Ne duhet të shpjegojmë që këta nuk do shpëtojnë me kaq. Vetting-u është procesi i pastrimit të pallatit të drejtësisë dhe i vënies në funksionim të një sistemi drejtësie që jep drejtësi. Sigurisht që sistemi i drejtësisë që jep drejtësi nuk do lërë askënd nga ata që sot ikin, pa e rithirrur për t’i thënë, “ku i gjete paratë?”
Ashtu sikundër njerëzit përsërisin në mënyrë të vazhdueshme se përse nuk bëhet vetting-u, duke filluar nga qeveria dhe nga politika. Në fakt, vetting-u që po bëhet ka synimin që të pastrojë sistemin dhe është sistemi që e bën pastaj për të gjithë, edhe për mua, edhe për këdo qoftë tjetër, atë që sot vetting-u bën për gjykatësit dhe për prokurorët.
Ne duhet të jemi patjetër krenarë që Partia Socialiste ka treguar edhe njëherë në rrugën e historisë së saj se është e vetmja forcë, – le të thonë çfarë të duan, – që mendon dhe vepron si forcë e të ardhmes, me të gjitha të metat dhe të gjitha gabimet që bën.
Mendon dhe vepron si forcë e të ardhmes dhe ka shënuar në këtë fazë, me reformën në drejtësi, me vetting-un dhe me këtë përpjekje kolosale dhe të rrezikshme përsa i përket mbijetesës politike, se ne e dimë shumë mirë e këtu ka shumë dëshmitarë që në atë korrikun e famshëm, ishim gati dhe vumë në tavolinë vetë ekzistencën e qeverisë, për ta çuar përpara transformimin e sistemit të drejtësisë që për 25 vjet u bë gangrena e të gjithë organizmit tonë shoqëror.
Sot janë faktet dhe shifrat që flasin, pavarësisht se çfarë zien kazani, që ne jemi në nivelet e mesatares rajonale dhe jemi duke shkuar drejt mesatares europiane përsa i përket kriminalitetit. Është e vërtetë se kur qeveris e djathta, njerëzit thonë ka edhe më keq. Pra, kur qeveriste e djathta, në Shqipëri vriteshin 124 njerëz në 2011-ën, 126 njerëz në 2012-ën, por kishte edhe më keq, mund të vriteshin edhe 200, sepse kur ka qeverisur e djathta, janë vrarë edhe 5000 njerëz. Sot që ne qeverisim, vitin e shkuar janë vrarë vetëm 52 persona. Shkurti që iku, ka qenë muaji i parë në të gjithë historikun e statistikave policore që është mbyllur vetëm me një vrasje.
Ne e dimë që çështja e vrasjeve nuk është çështje statistikash, por jetësh njerëzore, ama duke u krahasuar me vendet e tjera, ne nuk mundet veçse t’i përkasim asaj pjese vendesh që nivelin e vrasjeve e ka më të ulët. Drejt kësaj po shkojmë.
Patjetër që ka shumë për të bërë kundër krimit të organizuar, mirëpo ka një fakt, që nga viti 2008 deri në vitin 2013 janë sekuestruar 27 milionë euro asete kriminale, kur nga viti 2014 deri në momentin që jemi janë sekuestruar 152 milionë euro. Janë pesë herë më shumë asete kriminale të sekuestruara nga lufta kundër krimit të organizuar.
Po ashtu ka ende shumë për të bërë, për të konsoliduar atë që kemi arritur edhe në luftën kundër kultivimit të kanabisit, por po të shohim shifrat ndër vite, është e qartë përsëri se kur qeveris e djathta ka edhe më keq, prandaj jemi mirë, ndërsa kur qeveris e majta ka edhe më mirë, prandaj jemi keq. Ky është fakt.
Sigurisht që ne kemi një problem të trashëguar dhe aktual me korrupsionin në të gjitha nivelet, por ne po i përmbahemi asaj që e kemi shpjeguar disa herë, që lufta kundër korrupsionit nuk mundet dot dhe nuk ka shanse të triumfojë kurrë, nëse është luftë, e cila fokusohet tërësisht tek ndëshkueshmëria e individëve.
Lufta kundër korrupsionit mund të triumfojë vetëm nëse paralelisht me ndëshkueshmërinë garantohet sistemi. Në këto gjashtë muaj, ne e kemi ulur në mënyrë drastike numrin e ndërveprimeve mes qytetarëve dhe administratës. Që do të thotë, kemi ulur në mënyrë drastike mundësitë për korrupsionin, që janë ende sa të duash, por, po të shohim të gjithë ndërveprimet që sot janë shkurtuar në të gjithë sektorët, përmes procesit të derregullimit, po të shohim rritjen e vazhdueshme të ndërveprimeve online, atëherë marrim një ide të qartë të faktit që është ulur volumi i radhëve, sorollatjeve dhe torturave dhe mundësive për të dhënë e për të marrë.
Kjo nuk do të thotë se jemi aty ku duhet, por do të thotë se i kemi të gjitha mundësitë që të shkojmë aty ku duhet.
Unë prisja nga Elisa Spiropali që të thoshte gjërat për të cilat është zgjedhur, Koordinatore e Bashkëqeverisjes. Prisja nga Elisa Spiropali që të thoshte se cilët kryetarë të Partisë Socialiste duhen shkarkuar sot, jo nesër, për faktin që nuk duan t’ia dinë fare që bashkëqeverisjen, me një instrument që është konkret, platformën e bashkëqeverisjes online, ta vënë në dispozicion të të gjithë njerëzve që rrinë rrugëve për të kapur deputetë, për të kapur miq, kushërinj e shokë, që të marrin një hipotekë. Si mundet që sot, pas gjashtë muajsh, ne të kemi ende bashki ku kryetarët e partisë nuk e kanë marrë vesh se çfarë duhet të bëjnë në këtë aspekt. Deputetët nuk janë zyra pune. Deputetët nuk janë as në mundësinë dhe as në përgjegjësinë që të marrin për dore çdo njeri që do të futet në punë e ta çojnë në punë, të marrin për dore çdo njeri që ka një problem me administratën e t’ia zgjidhë, sepse kjo është e pamundur. Ashtu sikundër deputetëve u duhet dhënë mundësia që të kenë pikën e referimit ku t’i drejtojnë njerëzit, tek shqiperiaqeduam.al. E faktet flasin qartë. Në 5 muaj punë që ka platforma, janë rreth 1000 raste në muaj që trajtohen. Në të gjitha rastet, pa përjashtim, kur qytetarët kanë të drejtë, të marrin të drejtën e tyre dhe kanë shkuar në rreth 80 veta numri i punonjësve, vetëm të hipotekave, përfshirë dhe një pjesë të vogël të ALUIZNI-t, që jo vetëm janë shkarkuar nga puna, por janë në rrugën e prokurorisë, në ndjekje penale, për faktin se nuk i kanë dhënë qytetarëve dokumentin në kohën e duhur.
Mirëpo këtu, partia çfarë bën?
Ku është partia në këtë mes? Ku janë kryetarët e partisë?
Ku janë zyrat e partisë?
Kryetarëve të partisë nuk u ka dhënë njeri, detyrën që të merren me punësime. Ka kryetarë partie që e bëjnë. Duhen shkarkuar.
Nuk u ka dhënë njeri, detyrën që të bëjnë ndërmjetësime për të rregulluar X dhe Y, e lëre më pastaj për të rregulluar vëllezërit e motrat, xhaxhallarët dhe gjithë farefisin e tyre.
Duhen shkarkuar, sepse njerëzit nuk janë qorra, nuk janë as shurdhë, sepse njerëzve nuk u mjafton fare se çfarë thotë Edi Rama në televizor, apo çfarë lexon ministri i Financave për rritjen ekonomike, apo çfarë tregon ministrja e Arsimit për rritjen e performancës, nëse të gjitha këto që thuhen dhe dëgjohen në televizor nuk janë realiteti i qeverisjes në çdo zyrë në terren. Elisa nuk e bëri këtë, sepse nuk ka bërë detyrën si duhet. Kjo është e vërteta dhe unë shpresoj që ta bëjë.
Më tutje dua të them dy fjalë lidhur me taksat. Ne kemi një problem shumë të madh sot. Ne këndohemi çdo ditë, jo vetëm nga opozita, por edhe nga njerëzit, që ne jemi qeveria “taksa, taksa, taksa”. Kjo është e pavërtetë, por nuk mjafton që është e pavërtetë. Duhet që njerëzit ta dëgjojnë e ta kuptojnë që është e pavërtetë.
Kush dhe si do ta bëjmë këtë?
Mjafton që ta them unë?
Mjafton që ta thotë ministri i Financave?
Nuk mjafton.
Po të shikojmë strukturën e taksave, qeveria jonë ka rritur vetëm dy taksa.
Ata që pinë cigare të mos e hapin fare muhabetin, se atyre jua kemi rritur e do t’jua rrisim që t’i shpëtojmë nga ndarja e parakohshme me të dashurit dhe me partinë.
Flasim për dy taksa;
Taksa mbi të pasurit, që e kemi thënë qysh përpara zgjedhjeve të para, se kush fiton më shumë, do paguajë më shumë, 15%;
Taksa e karburantit që është e vërtetë që e kemi rritur, por duhet që të gjithë ta shpjegojnë pse e kemi rritur dhe pse, pavarësisht se është rritur, krahasuar me çfarë paguanin njerëzit kur çmimi ishte më i lartë, sot me gjithë taksën brenda, janë mesatarisht 100 milionë dollarë që nuk shkojnë për karburant, por rrinë në xhepat e atyre që konsumojnë karburant, sepse ka rënë çmimi.
Çfarë duhet të bënim ne?
Në vitin 2013, kur ne morëm qeverinë dhe thirrëm “zjarrfikëset” për të mos lejuar të ndodhte ajo që e tha dhe Saliu ,“ju pret skenari grek”, – kishte të drejtë, si rrallë herë, sepse e dinte çfarë grope të madhe, të mbushur me benzinë, kishte lënë, – ne nuk paguanim dot rrogat dhe pensionet në fund të nëntorit të 2013-s. Ata na kërkuan atë që kanë kërkuar dhe në vende të tjera dhe në vende të tjera e kanë bërë, ulni pensionet, ulni rrogat.
Si mund të ulnim rrogat dhe pensionet, që në buxhetin e parë të mandatit tonë të parë!
Atëherë duhet të kërkonim burime financiare, po ku do t’i kërkonim këto burime, të taksonim pensionistët, të taksonim familjet e varfra, mësuesit, mjekët, apo infermierët, punonjësit e kamarierët?
Jo, atyre, siç u kishim premtuar, nga 10% që u rrinte lak në fyt ua ulëm taksën. Ndaj vendosëm taksën e karburantit, duke marrë në konsideratë faktin që nga buxhetet e familjeve, nga buxhetet e konsumatorëve të karburantit kishin dalë ndërkohë shumë më tepër para dhe s’kishte ndodhur një hata, duke konsideruar që kjo ishte një mundësi.
Këto janë dy taksat që kemi rritur ne.
Ndërkohë në të gjithë sistemin tonë të taksimit, të gjithë paguajnë më pak. Kush merr deri në 300 mijë lekë nuk ka taksë, zero. Ndërkohë që njerëzit thonë me çfarë do jetojë ky, me 300 mijë lekë, me gjithë ato taksa, në fakt është e kundërta, nuk ka taksa. Ashtu sikundër njerëzit duke qenë të pamësuar, – një pjesë e madhe, – që të paguajnë drita, të paguajnë ujë dhe të jenë korrekt me shtetit, tani që i paguajnë, i llogarisin si taksa. Por ato nuk janë taksa. Janë shërbime. Janë mallra që blihen.
Ne e kemi shpjeguar, por nuk mjafton. Kush ulet me njerëzit në çdo pjesë të territorit dhe t’ua shpjegojë këto gjëra? Vetëm kazani, askush tjetër që u futet nëpër shtëpi, mëngjes, drekë, darkë.
Problemi është bashkitë tona na kanë prerë në mes, sepse ne kemi ulur taksat dhe ndërkohë në gjithë hapësirën ku është çliruar energji e re nga ulja e taksave, janë futur tarifat bashkiake. Bashkitë kanë arsyet e tyre, sepse kanë nevojë për financime, por edhe kjo duhet shpjeguar, edhe kjo duhet kuptuar.
Ndërkohë vijmë tek punësimi dhe është një shembull që unë dua ta bëj shumë të qartë për të gjithë. Ministrat e dëgjojnë përditë. Duhet ta dëgjojnë të gjithë. Ne kemi një problem për të zgjidhur me drejtorët e institucioneve në territor. Një problem shumë serioz. Ne nuk mund të themi sot që e kemi mbajtur zotimin tonë deri më tani, që drejtimin e institucioneve do ta marrin më të mirët që ka komuniteti. Nuk e kemi mbajtur ende këtë zotim dhe kush paguan për këtë? Paguan Partia Socialiste. Paguan në imazh dhe në kredibilitet.
Me drejtorët e zyrave të punës kemi shembullin më kuptimplotë. Që nga momenti kur ministrja, ministri dhe ministria ka vendosur objektiva dhe ku çdo drejtor, vendin e punës e ka të lidhur me objektivin e ku, nëse objektivi nuk arrihet, drejtori largohet, rezultatet janë të pabesueshme në raport me çfarë ishin.
1369 punësime vetëm në muajin mars, vetëm nga zyrat e punës. Duke i ndjekur shifrat çdo ditë, deri të enjten ishin 2020 të punësuar vetëm nga zyrat e punës për muajin prill. Kjo do të thotë që ne mund të realizojmë objektivin që vetëm nga zyrat e punës të mund të punësojmë 25 000 njerëz deri në fund të vitit 2018. Kjo, sepse janë vendosur objektiva të qarta dhe njerëzit nuk i mban partia në punë, i mban rezultati.
E njëjta gjë duhet të ndodhi në të gjithë territorin. Çfarë do me thënë që ne bëjmë konkurs për sistemin e burgjeve të Shqipërisë përmes Akademisë së Sigurisë dhe dalin pikët e konkursit dhe kryetar partish, lart e poshtë vënë në diskutim këtë proces, pse? Hajde të kapim njërin këtu që e kemi afër ta fusim në punë në burg. Kjo nuk ka për të ndodhur dhe ne duhet të jemi ata, të cilët garantojmë mandatin në këtë aspekt. Ne nuk mund të kemi dy standarde. Ne nuk mund të kemi dy fytyra. Ne nuk mund të kemi dy zëra, një zë për mikrofonin dhe një zë kur fiket mikrofoni. Një zë për ata që na japin votën, duke na besuar të ardhmen e tyre e të fëmijëve tanë këtu dhe një zë aty, nëpër ato mbledhjet e ngushta të degëve nëpër territor, ku trajtohen burimet njerëzore sikur janë malli i atij grupi njerëzish.
Po të shikojmë sot mbrapa në sistemin tonë shëndetësor, në sistemin e shërbimit të spitaleve nuk ka të krahasuar. Nuk ishte 400 vjet përpara, por ishte 4 vjet përpara, kur shkoje në spital e nuk e njihje dot kush ishte mjeku, kush ishte infermierja, kush ishte pacienti, kush ishte sekseri e kush ishte një kalimtar i rastit në korridorin e spitalit, sepse të gjithë ishin njësoj. Nuk kishin përparëse dalluese, pa llogarit të gjithë aspektet e tjera. Por kur qeveris e djathta, ka dhe më keq, kështu që nuk është problem kjo. C’rëndësi kanë këto përparëset, pastërtia, shërbimet, ato gërshërët e ndryshkura që u futeshin në bark nënave që duhet të lindin në maternitet! 50000 operacione në vit, nga të cilat mbi 50% me infeksione postoperacionale prej thikave të ndryshkura, që kishin atje që prej kohës së dashurisë shqiptaro-kineze e që nuk sterilizoheshin, pune e madhe! Rëndësi kishte vetëm të dilje gjallë.
Sot, qeveris e majta. Mund të jetë shumë më mirë. Ky është thelbi e ky është fakt. Mirëpo ky është i gjithi një proces, sa i lidhur me shifrat, me statistikat, me rezultatet, aq i lidhur me lidhjen me njerëzit. E për këtë arsye, ne do të bëjmë këtë fushatë, ku do të tregojmë çfarë kemi bërë, por dhe do të japim llogari për çfarë nuk kemi bërë, si dhe do kuptojmë si do t’i shpëtojmë një kërcënimi shumë të madh për Partinë Socialiste e për qeverinë tonë. Kërcënimit që ne të etiketohemi përfundimisht si arrogantë.
Pse thonë njerëzit që ne qeverisim me arrogancë?
Këtë duhet ta kuptojmë e duhet ta ndajmë cilat pjesë të qeverisjes sonë konsiderohen arrogante sepse është e drejtë e sepse ne bëjmë reforma që janë të dhimbshme dhe cilat pjesë të qeverisjes sonë është padrejtësisht arrogante me njerëzit. Këtë ne duhet ta ndajmë.
Kukësi ishte një mësim shumë i madh për të kuptuar përgjegjësinë tonë, për të kuptuar çfarë ne nuk bëmë si duhet dhe çfarë duhet të bëjmë në vijimësi, për të mos u përsëritur gabimi që, duke u nisur për një qëllim të mirë, pa marrë mundimin për ta shpjeguar qëllimin, të gjendesh përballë një reagimi që në fund fare të lë në ballë etiketën e arrogantit. Që do të thotë se ne nuk duhet të kalojmë më ligje të lloj-lloji, pa i bërë më parë transparente për publikun. Ne i kemi bërë, ato janë të publikuara, por nuk është detyra e njerëzve të rrinë me celular në dorë apo përpara kompjuterit që të kërkojnë. Është detyra jonë t’jua themi, është detyra jonë t’jua nënvizojmë çfarë po bëjmë.
Ashtu sikundër është detyra jonë, në këtë moment që flasim, që të garantojmë që vetting-u në polici të mos krijojë turbulli mes atyre që janë pjesë e këtyre trupave dhe që kanë nevojë, jo thjesht të dëgjojnë, por dhe të asistohen një për një, për ta kuptuar dhe për ta plotësuar atë pjese të detyrimit që ka ligji. Ashtu sikundër është detyra jonë bëjmë këtë gjë me të gjitha grupet e interesit, me të gjitha komunitetet.
Unë dua ta nënvizoj edhe njëherë që, duke filluar nga java e parë e majit, – datat i di Kryetari i Asamblesë, – të gjithë ne do të bëjmë fushatën tonë, njësoj si fushatë zgjedhore, me të njëjtin intensitet, me të njëjtën thellësi penetrimi në territor dhe me të njëjtin vullnet. Nuk do fitojmë vota, sepse nuk kemi kundërshtarë përpara e nuk do ketë zgjedhje në fund të qershorit, por duhet të fitojmë çdo mendje e çdo zemër që hapet për të na dëgjuar dhe duhet të hapim çdo mendje që është e mbyllur, për të na dëgjuar dhe çdo zemër që, qoftë për arsye të mos kuptimit, qoftë për fajet tona, është mbyllur.
Nëse ne shohim sot sondazhet, ne nuk kemi nevojë të bëjmë asgjë, mjafton që të jemi gjallë dhe ne fitojmë zgjedhjet. Mirëpo qëllimi ynë nuk është ky. Ne nuk e kemi marrë gjithë këtë përsipër që të mundim Lulin, se do ishte njësoj sikur Reali i Madridit të ekzistonte për të mundur Vaqarrin.
Ne e kemi marrë këtë përsipër për të ndryshuar Shqipërinë, për të bërë Shqipërinë që duam, me shtet, me punë dhe me mirëqenie.
Në fund të kësaj fushate, ne do të vlerësojmë çfarë ndryshimesh do të bëjmë në qeveri në shtator, nëse do duhen bërë. Cilët ministre apo ministra, cilat ministri apo sektorë nuk janë në lartësinë e kësaj nevoje, që jo thjesht të tregojnë shifrat dhe statistikat, por të kenë vendin e tyre në mendjet e në zemrat e atyre që na kanë dhënë besimin.
Në fund të kësaj fushatë do të shikojmë se cilët anëtarë të kryesisë së partisë duhet të largohen nga kryesia dhe cilët janë ata të rinj që duhet të vijnë në kryesi. Do të shikojmë sesi ka punuar Sekretariati i partisë dhe cilat ndryshime duhen bërë. Do të shikojmë cilët janë kryetarët e partisë që do të largohen nga drejtimi i partisë në gjithë territorin për mospërmbushje të detyrave dhe detyra kryesore është bashkëqeverisja. Sa funksionon ura e bashkëqeverisjes në bashkinë ku ti je kryetar dhe sa njerëz në hall zgjidhin halle përmes asaj platforme, falë nxitjes që i bën ti dhe që i bën partia në atë territor njerëzve, për t’u drejtuar në atë platformë e jo për t’i rënë dyerve lart e poshtë, për të gjetur miq e shok e kushëri. Patjetër do vlerësojmë sa i shtrirë është rrjeti familjar, ose i kushërinjve të kryetarit të partisë në administratën lokale. Edhe kryetari, edhe kushërinjtë nuk funksionon. Një nga të dy. Ne nuk kemi asgjë me kushërinjtë. Thjesht kryetari duhet të sakrifikojë e të iki, të punojë në sektorin privat dhe të lëri kushërinjtë të punojnë, ose kushërinjtë duhet të ikin.
Ne duhet të kalojmë në votëbesim popullor të gjithë kryetarët e bashkive të Partisë Socialistë dhe duhet të organizojmë votëbesimin popullor përmes instrumentit tonë të demokracisë dixhitale, për të cilën kemi një punë të jashtëzakonshme për të bërë sepse është një instrument i jashtëzakonshëm, të cilin ne kemi arritur ta vëmë në funksionim në një pjesë shumë të vogël. Duhet të thërrasim komunitetet që të votojnë çfarë mendojnë për kryetarët e bashkive. Që të gjithë kryetarët e bashkive duhet t’i nënshtrohen votës popullore për një votëbesim, për të ditur ku jemi, përpara sesa të hyjmë në vitin zgjedhor.
Ne duhet të jemi të vetëdijshëm që kemi një përgjegjësi të madhe. Kush e ka përgjegjësinë për grupet e këshilltarëve të Partisë Socialiste nëpër bashki, që bllokojnë punët e bashkive, sepse kryetari i bashkisë është i PD-së apo i LSI-së. Kush e ka përgjegjësinë që në Çorovodë nuk jepet ndihma ekonomike, pse grupi i këshilltareve të PS-së nuk shkon në votim, për të nxjerrë kunjin me kryetarin e bashkisë. Histori që na e ka bërë Saliu, na ka nxirë jetën në bashkitë tona dhe e përsërisim ne. Kush e mban përgjegjësinë për këtë? Ashtu sikundër kush e mban përgjegjësinë që individë të ndryshëm në këshillat socialiste të bashkive flirtojnë me kryetarët e bashkive për interesa personale dhe votojnë kundër vendimit të grupit?
Them që në totalitetin e vet, përgjegjësia mblidhet tek udhëheqësit politikë të qarqeve të Partisë Socialiste. Disa prej tyre kanë jo dy kunguj, por dy bostane të mëdhenj nën një sqetull. Nëse nuk i mbajnë dot, mësimi i mëparshëm është shumë i qartë, do lënë bostanin e qeverisë dhe do mbajnë bostanin e partisë.
*Fjala e Kryeministrit dhe Kryetar i Partisë Socialiste në Asamblenë Kombëtare të PS-së