Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Bashkia Sarandë organizuan konsultimin publik për projektin “Rivitalizimi i shëtitores ‘Naim Frashëri’”, që është pjesë e programit “Për zhvillimin e Integruar Urban dhe Turistik” që financohet nëpërmjet qeverisë shqiptare dhe Bankës Botërore.
Të pranishëm ishin përfaqësues të aktorëve të interesit që preken nga projekti, të Këshillit Bashkiak, etj.
Diskutimi u përqëndrua në aspektet sociale dhe mjedisore të projektit të hartuara në përputhje me udhëzimet e Bankës Botërore. Shëtitorja “Naim Frashëri”. Projekti parashikon zbatimin e politikave sociale dhe mjedisore në përputhje me udhëzime të Bankës Botërore.
Shfrytëzimi sa më i mirë i hapësirave publike, mbrojtja e identitetit të qytetit të Sarandës, aspektet funksionale në shërbim të banorëve dhe pushuesve të shumtë në sezonin veror të shëtitores, rehabilitimi i infrastrukturës nëntokësore të nevojshme, krijim e lehtësirave për ankorimin e varkave të peshkimit dhe ato turistike ishin disa nga diskutimet kryesore në këtë takim dhe marrin zgjidhje nëpërmjet projektit të hartuar.
Projekti për rehabilitimin e shëtitores “Naim Frashëri” ka kaluar nëpër disa konsultime publike. Ato janë një instrument që Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka përdorur me qëllim rritjen e pjesëmarrjes qytetare dhe nxitjen e bashkëpunimit të komunitetin.
Projektideja finale u zhvillua disa muaj më parë në mjediset e Bashkisë Sarandës duke u dhënë mundësinë qytetarëve që të njihen me detajet e projektit. Po ashtu është gati edhe projekti i zbatimit.
Projektideja e transformon shëtitoren në një hapësirë publike shumëfunksionale dhe në shërbim të banorëve e pushuesve gjatë sezonit. Parashikohet restaurimi i fasadave në gjithë gjatësinë me qëllim përmirësimin e estetikës.
Gjithsesi në shëtitore do të mbizotërojnë elementë që e ruajnë identitetin e qytetit si për shembull porta hyrëse e Onhezmit, skulptura të realizuara nga artistë lokalë, sheshi i shatërvanit, pemët ekzistuese dhe zonat e gjelbra, pishina e hapur, etj.
Janë rreth 1.5 milionë euro që janë vënë në dispozicion për rigjenerimin urban të shëtitores. Krahas projektidesë finale, është gati edhe projekti i zbatimit.(ATA)/l.m










