Edhe pse u fol gjatë për një reformë administrativo-territoriale, duket se qeveria nuk është ende gati për të bërë riorganizimin e njësive bashkiake të vendit. Të paktën kështu parashikohet në ligjin e ri të pushtetit vendor ku thuhet se puna e komunave do të vijojë normalisht, të paktën edhe disa vite.
Në këtë mënyrë, komunat të cilat tashmë quhen njësi administrative do të vijojnë të funksionojnë normalisht si para 21 Qershorit, raporton gazeta “Sot”.
Është neni 95 në të cilin thuhet se deri në vitin 2018 bashkia nuk ka të drejtë të kryejë riorganizimin e tyre. Pra deri në këtë vit administrata do të vijojë punën, ndërsa do të drejtohet nga administratori. I vetmi ndryshim është që kjo njësi do të jetë në varësi të bashkisë, por që funksionet bazë do të vijojnë normalisht.
“Këshillat bashkiake mund të riorganizojnë administratat e njësive administrative duke filluar nga 1 janari 2018. Deri në këtë datë bashkitë janë të detyruara që secila njësi administrative të ketë edhe administratën dhe administratorin e saj”, thuhet në dokument.