Nga Fitim Zekthi
Kryeministri Rama ndryshoi në mënyrë gati të plotë të gjithë qeverinë. E goditur nga akuzat për korrupsion ndaj ministres Balluku, e dobësuar nga kërkesa e prokurorisë për të i hequr imunitetin dhe arrestuar ministren Balluku, e ndikuar nga ekspozimi i një korrupsioni të thellë sistemik që niste nga AKSH-i dhe dyshimet për bashkëpunim të ngushtë me krimin e organizuar, dhe nuk dihet se ku mbaron qeverisja e kryeministrit Rama, po luftonte dhe populli lufton për mbijetesë.
Ndryshimet në qeveri ishin të pritshme, por të kryera disa orë pas mbledhjes së grupit parlamentar, ku u tha asgjë për to, dukej se synonin qartazi të krijonin një efekt spektakolar. Edhe herë të tjera më parë në këto vite kryeministri e ka përdorur këtë stil ndryshimesh, duke mos lajmëruar askënd nga ministrat apo drejtuesit e lartë të PS-së, por duke njoftuar befasisht ndryshimet.
Në thelb ndryshimet janë bërë plotësisht për të ruajtur. Në thelb Rama nuk ka ndryshuar asgjë. Ndryshimet dhe spektakolariteti i tyre synojnë të organizojnë më mirë pushtetin e tij, të forcojnë më mirë pushtetin e tij.
Pa hyrë te emrat e larguar dhe afruar, duhet bërë e qartë se kur flitet spektakli nuk do të thotë se është “i rremë” apo thjesht i sajuar. Spektakli, siç e thotë gjerësisht Jean Baudrillard, i referohet një mënyre të veçantë organizimi të politikës përmes dramës simbolike, përmes përplasjes së skenëzuar, përmes narrativave të ngarkuara emocionalisht apo edhe konflikteve të personalizuara (që në këtë rast janë po nuk duken), në mënyrë që analiza strukturore e politikës të zhvendoset në plan të dytë. Në një politikë të spektaklit, dukshmëria bëhet më e rëndësishme se përmbajtja; ajo e tejkalon politikën publike.
Spektakli nuk mohon ekzistencën e konflikteve reale; nuk mund t’i mohojë, por ama ai i riformëson ato. Krizat e thella strukturore të qeverisjes, korrupsionin e lartë te dyshuar te ministres Balluku, akuzat për përfshirjen e krimit të organizuar, marrëdhëniet e këqija me BE-në dhe Gjermaninë, luften e brendshme, luften ndaj drejtësisë, lodhjen e madhe e njerëzve, spektakli përpiqet të mos i trajtojë ose të mos i lejojë të trajtohen në nivelin e shkaqeve të tyre materiale dhe institucionale. Në vend të kësaj, ato dramatizohen, shndërrohen në rrëfime të moralizuara apo në ngjarje mediatike ose në fatet personale të ministrave.
Arkitektura e thellë e pushtetit, mënyra e shpërndarjes së të mirave apo privilegjeve, regjimet e shpërndarjes, vetë struktura e pushtetit dhe raporti me opozitën, mbeten kryesisht të paprekura.
Spektakli, pra, funksionon si një mekanizëm zhvendosjeje. Qytetarët bëhen spektatorë të një drame të vazhdueshme, duke interpretuar simbole, personalitete dhe narrativa, në vend që të jenë pjesëmarrës në një debat të qëndrueshëm mbi strukturat. Në njëfarë mënyre, këtë gjë e ka bërë dhe bën kryeministri Rama me ndryshimet në qeveri. Këtë herë kjo ishte në një shkallë shumë më të lartë, sepse u shkarkua një ministër shumë i fuqishëm si Balluku, por u emërua në vend të saj një njeri që ka punuar ngushtë me të si vartës i saj; sepse u shkarkua ministri i Mbrojtjes Vengu, i cili njihej si njeri i ministres Balluku, dhe u emërua një ndihmës i saj si Ermal Nufi; sepse u shkarkua një ministre si Spiropali, që konsiderohej një forcë reale në PS, dhe u emërua një prej ambasadorëve më të njohur të Shqipërisë në 30 vite.
Balluku ka ikur për të qendruar edhe më fort; qeveria ka ndryshuar plotësisht për të ruajtur edhe më shumë gjendjen e mëparshme, ndërkohë që kryeministri ia ka arritur të çlirojë tensionin publik, të lehtësojë peshën e qeverisë nga akuzat e prokurorisë dhe ka arritur të ndryshojë edhe temat e debatit publik në vend.
Ministra të rinj të emëruar si Nufi, Hoxha, Karakaci, por edhe Lamallari apo Ismaili (të cilët janë më të lidhur formalisht me strukturat e PS-së) nuk kanë asnjë të kaluar politike; askush nuk di asgjë për ta sa i takon ideve apo qëndrimeve politike. Në njëfarë mënyre Rama vazhdon ta depolitizojë qeverinë dhe kështu ne kemi ndoshta qeverinë më të depolitizuar formalisht që nga viti 1990. Gjithë ky depolitizim është në fakt funksion i një politizimi shumë më të lartë.
Ata do të shërbejnë për të ruajtur atë që ishte deri dje, për të ruajtur të gjithë strukturën e pushtetit, strukturën e ndarjes dhe kontrollit të pushtetit deri dje. Nuk ka asgjë më të plotë sesa atë që ruan strukturën e pushtetit, sepse atë ruan strukturën dhe mënyrën e ndarjes së pushteteve dhe privilegjeve (edhe korrupsionit ndoshta). Edhe kjo është në vetvete diçka e lidhur me spektaklin.
Ndryshimet në qeveri tregojnë se kryeministri Rama nuk mund të bëjë dot më asgjë. E gjitha është diçka shumë mediokre dhe padyshim joefektive. Rama zgjodhi të ruajë dhe mbrojë të pambrojtshmen, zgjodhi të veprojë për të kaluar thjesht një moment, jo për të zgjidhur një problem, jo për të ndërtuar diçka që kërkon të zgjidhet. Rama do të vazhdojë kësisoj kursin e përplasjes së fortë me prokurorinë SPAK dhe gjykatën kundër krimit dhe korrupsionit, zgjodhi të hyjë në përplasje me BE-në dhe Gjermaninë, zgjodhi të shtojë vuajtjet politike të veta por edhe vuajtjet politike dhe më tepër se politike për vendin. Të ndryshuarit për të ruajtur në këtë rast është vetëm shfaqës i pamundur.











