“Qeveria hesht për kamerat e policisë së Fushë Krujës, për të mbrojtur Taulant Ballën për praninë e tij atje gjatë kërcënimit me pistoletë në kokë të nënkomisar Emiljano Nuhut”, deklaroi sot deputeti i partisë Demokratike, Gent Strazimiri në një dalje për mediat..
“Policia dhe prokuroria janë përfshirë në operacionin e fshirjes së gjurmëve dhe shkatërrimit të provave që implikojnë Taulant Ballën në krimin e kërcënimit të nënkomisar Emiljano Nuhut”, u shpreh Strazimiri, i cili shtoi se, “Partia Demokratike i kërkoi dje Edi Ramës dhe Fatmir Xhafës t’i tregojnë publikut çfarë është bërë me kamerat e Policisë së Fushë Krujës dhe me kamerat rreth saj”.
Sipas tij, “në vend të përgjigjes, Edi Rama ka angazhuar të gjithë makinerinë e propagandës për të hequr vëmendjen nga dëshmia kyçe e nënkomisar Nuhut: se Taulant Balla, Artur Bushi dhe Rrahman Rraja kanë qenë të pranishëm, kur atij i është vënë pistoleta në kokë për të mbyllur çështjen e djalit përdhunues të deputetit të Edi Ramës”.
“Partia Demokratike njohu dje shqiptarët me denoncimet e punonjësve të policisë dhe të SHKB-së, që varet direkt nga Fatmir Xhafa, se me kërkesë të Taulant Ballës, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu, urdhëroi në korrik fshirjen e çdo kamere që mund të provojë praninë e deputetëve socialistë në policinë e Fushë Krujës më 21 korrik”, tha Strazimiri.
“Punonjës të policisë kanë denoncuar se si grupi i ngritur nga Drejtori i Policisë së Qarkut Durrës, Alfred Çepe, me detyrë specifike fshirjen e kamerave dhe serverave të bizneseve pranë Policisë, ka kërcënuar me tatimorë, banditë dhe armë këdo që ka refuzuar të bashkëpunojë për shkatërrimin e provave”, u shpreh ai.
“Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj nuk përgjigjen se çfarë është bërë me kamerat e policisë së Fushë Krujës, sepse sa herë atyre iu kapet në krim një deputet brenda në komisariat, kamerat ose fiken, ose fshihen, si në rastin e përplajses me armë të bandës së Armando Prengës në komisariatin e Laçit”, tha Strazimiri.
/b.d










