Qeveria e Kosovës është zmbrapsur nga synimi për ta kthyer me Kushtetutë Forcën e Sigurisë së Kosovës në Forcë të Armatosur, shkruan Koha Ditore. Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i cili në deklaratat e mëhershme ishte shprehur optimist se do të gjejë mbështetje për këtë tek partneri serb në koalicionin qeverisë, Lista Serbe, tani ka paralajmëruar se në rast të mungesë së “mirëkuptimit” për amendamente kushtetuese, Qeveria do të procedojë me ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për FSK-në. Analistë dhe përfaqësues të opozitës këtë veprim e kanë cilësuar si dorëzim të kryeministrit përballë Listës Serbe.
Ndërkaq për opozitën, Qeveria e Kosovës ka hequr dorë qysh moti nga themelimi i Forcave të Armatosura. Anëtari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë, Rexhep Selimi, ka theksuar se formimi i Forcave të Armatosura të Kosovës nuk mund të bëhet pa ndryshime substanciale të Kushtetutës së vendit. Ndërkaq, shefja e Grupit parlamentar Nisma për Kosovën, Valdete Bajrami, ka theksuar se kjo zmbrapsje e kryeministrit dhe e Qeverisë duke qenë e dirigjuar prej Listë Serbe, dëshmon se kryeministri aktual është në gjendje të bëjë çdo gjë vetëm e vetëm të mos ia prish disponimin Listës Serbe e Beogradit.