Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu në konferencën e përbashkët me ekspertët e Komitetit Teknik, ka deklaruar sekompania Pfizer do t’i përmbahet kontratës me palën shqiptare, dhe javën tjetër sipas Ministres kjo kompani pritet që të sjellë në vendin tonë sasinë prej 10 mijë dozash të vaksinës. Manastirliu shtoi se prioritarë për ta marrë vaksinën janë 5 mijë mjekë e personel shëndetësor i rriskuar, për të vijuar me të moshuarit në azile dhe ata mbi 75-vjeç. Ajo shtoi se qendra vaksinimi do të ketë edhe në rrethe.
“Po presim të mësojmë se kur do vijnë vaksinat nga Covax. Ndërkohë nga marrëveshja me Pfizer presim 50 mijë doza, në janar do vijnë 10 mijë doza. Do vaksinojmë 800 mijë qytetarë, e kemi në plan. Ne jemi besimplotë se kontrata me Pfizer do zbatohet sipas kalendarit të parashikuar, në javën e tretë të janarit mbërrijnë dozat. Po vijojmë për vaksinimin e stafeve të 4 spitaleve Covid, janë rreth 1 mijë punonjës, nga ana tjetër janë 5 mijë mjekë dhe infermierë në frontin e parë të përballjes me virusin në urgjenca e spitale. Pasi të mbarojmë me ta janë kategoria e të moshuarve në azile dhe të moshuarit mbi 75 vjeç. Nuk do kemi vetëm një qendër vaksinimi në Tiranë, por edhe të tjera në rrethe”,- shtoi ajo.
g.kosovari