Parlamenti i Greqisë hoqi imunitetin e Dimitris Avramopoulos ish-kryetar i bashkisë së Athinës dhe aktualisht ligjvënës i partisë Konservatore në pushtet, Demokracia e Re.
Ky vendim i hap rrugën hetimeve të mëtejshme të autoriteteve për ish-Komisionerin Europian, në lidhje me çështjen e korrupsionit “Qatargate”, një nga skandalet më të mëdha që ka goditur unionin.
Avramopoulos i ka mohuar akuzat për shkelje apo lidhje me këtë çështje, në kuadër të së cilës disa zyrtarë të Bashkimit Europian janë akuzuar se kanë marrë ryshfet nga Katari.
Një gjykatës belg lëshoi një urdhër-arresti evropian për Avramopoulos në muajin qershor, me akuza për pjesëmarrje në një grup kriminal, korrupsion publik dhe pastrim parash, sipas një dokumenti qeveritar të parë nga Reuters.
Deri në votimin e së enjtes, 73-vjeçari ishte mbrojtur nga arrestimi dhe ndjekja penale falë imunitetit parlamentar që kanë ligjvënësit.
Avramopoulos shërbeu si Komisioner Evropian për Migracionin nga viti 2014 deri në 2019.
Autoritetet belge thonë se kanë sekuestruar rreth 1.5 milionë euro cash gjatë kontrolleve të lidhura me çështjen “Qatargate”, e cila doli në dritë në vitin 2022.
Një pjesë e parave u gjetën të futura në një valixhe të madhe në një hotel në Bruksel.
Hetuesit thonë se Katari ka paguar para ose ka kryer pagesa përmes organizatave jofitimprurëse për të ndikuar në politikbërjen e Bashkimit Evropian.











