Nga Bajram Peçi
Merreni me sportivitet ju shqiptarë fyerjen e politikanes Suella Braverman si dhe disa të tjerëve para dhe pas saj! Braverman ishte zanafilla e përdorimit të shprehjes “pushtim“. Retorika në gojën e zonjës tingëllonte si ankesë, frikë medemek dhe jepte për opinionin alarmin se Mbretëria e Bashkuar ndodhet e kërcënuar nga një popull tjetër, që, ruajna Zot, ska ngjarë që nga koha kur vikingët e përdhosën një copë të madhe të ishullit më shumë se 10 shekuj më parë!
Nuk është e re për ne shqiptarët të dëgjojmë shprehje diskriminuese e raciste nga politika në ngërç e Britanisë. Në prag të referendumit për daljen nga BE, ndër argumentet konservatore britanike të fushatës, që u njoh si Brexit, ministri i jashtëm i atyre ditëve, mes të tjerash, merrte e përdorte keqazi edhe Shqipërinë-kandidate, me të cilët britanikët nuk do të donin të ishin në një bashkësi politiko-ekonomike dhe me shqiptarët emigrantë, refugjatë, që vijnë nga krimi, të cilët janë ashtu e kështu…! Sa ndikuan këto broçkullitje te pensionistët konservatorë e prag mosha e tretë, që të fitonte Brexit, mbetet një e panjohur, por njerëzit me mend në kokë nuk kishin pse binin viktima të politikës së ditës, ndërkohë që ata jetonin në një mjedis ku afërsisht gjysmën e popullsisë e përbëjnë afrikanë dhe aziatikë.
Afërmendsh që shumica e këtyre shqiptarëve, që kalojnë kanalin me gomone, janë emigrantë, që do kërkojnë punë ku fitohet më shumë se në fshatin e tyre në Has, në Kukës, në Lumë e në Krumë. Kundrejt pagesës te organizatorët dhe pronarët e mjeteve, anglezë, francezë, belgë apo flamandë qofshin, rrezikojnë jetën, por sidomos financat e familjes, duke rënë në borxh. Disa prej tyre bien në grackën e trafikantëve dhe pa ndërgjegje, por me etjen për fitime të shpejta, nuk përjashtohet mundësisa të bien në botën e krimit, ku më së shumti kuptohet kultivimi i kanabis sativa. Dhe, nëse zotërit e kultivimit dhe tregtimit të kësaj droge gjejnë terren të favorshëm, shkaku janë jo më pak britanikët me organet e tyre të kontrollit të territorit.
Shqipëria është e njihet si një vend i sigurtë, por kjo nuk do të thotë se ajo u jep shtetasve të saj mundësinë ekonomike të jetesës së sigurtë. Ka varfëri e do ketë edhe vite më tej, sepse Ballkani, por Shqipëria veçanërisht, kanë kaluar nëpërmes një historie të dhimbëshme, sunduar prej perandorive feudale e përfunduar në komunizëm e anarki kapitaliste. Britanikët që lindin sot e gjejnë atdheun e tyre me bangat më fuqishme në botë, me pasuri të vënë prej qindra vjetësh, me jetesë në një demokraci të zhvilluar. Madhështia e Mbretërisë së Bashkuar fillon nga pushtimet e vëndeve të tjera dhe tregtimi i skllevërve. Britanikët janë prej shekujsh të familjarizuar me termin “pushtim“. Pasuria e zhvillimi krijoi kushte të lindjes së makinerive dhe rritjes së prodhimit e rendimentit përmes industrisë, që lindi e përsosi skllavërinë moderne, shfrytëzimin e popujve të tjerë. Hidhini një sy hartës politike të kontinentit Afrikan dhe do shihni se shumë nga shtetet e saj ngjajnë si katërkëndësha-kënddrejtë. Ka ngjarë kështu sepse kështu u vendos në Berlin në 1870-tën, Afrika u nda me vizore.
Falë pushtimeve Britania ka qenë perandoria më e madhe që ka egzistuar ndonjëherë. Industrializimi, nisur e zhvilluar nga Anglia, kërkonte lëndë të para, kish nevojë për tregje. Europianët e krishterë, për pushtimin e Afrikës, Indisë e Birmanisë, gjetën dhe justifikimin. Ajo ishte teoria “Mbi origjinën e specieve” e Charles Darvin. Kur ju desh puna, ndonëse besimi i tyre nuk e pranonte teorinë, përzgjedhjen natyrore, mbijetesa e më të fortit, e më të diturit, e më të zhvilluarit, seleksionimi, e paraqitën pushtimin e vëndeve të tjera si një ligj natyror.
Interesat ekonomike të pushtimeve britanike, franceze, spanjolle, portugeze, hollandeze e belge, përpos lëndëve të para në vëndet e pushtuara, çonin kapitalin e tepërt për investime me fuqi punëtore të lirë. “Pushtuesit“ shqiptarë s`kanë çfarë kapitalesh çojnë e investimesh bëjnë në Britaninë e “pushtuar“, përpos se nga puna e tyre, e ligjëshme apo në të zezë, t`u dërgojnë familjeve të tyre ndonjë kursim të mundshëm.
Interesat perandorake britanike, për të siguruar sundimin, e kërkonin që në vëndet e pushtuara të çonin trupa të armatosura, anije ushtarake, makinerinë e njohur të sundimtarit. “Pushtuesit“ shqiptarë nuk kanë të tilla mjete. Armët e tyre të vetme janë krahët si fuqi punëtore.
Koncepti perandorak europian, ku shquajnë ai i Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës, ka qenë (dhe mesa duket, vazhdon të jetë) raca e tyre superiore mbi joeuropianët. Nëse çjerrjet diskriminuese të disa politikanëve britanikë na trajtojnë si joeuropianë, i jap të drejtë Leka Zogut, që në polemikën me analisten e djathtë, Sophie Corcoran, i gjegjet se “…integrimi i shqiptarëve në Mbretërinë e Bashkuar është një përmirësim për shoqërinë tuaj!“
Te lumte koka,zemra dhe patriotizmi o mik i dashur