Ministria e Shëndetësisë ka publikuar rezultatet e testimit të infermierëve të zhvilluar në datat 24-25 Korrik në pesë institucionet e kujdesit shëndetësor spitalor universitar në Tiranë (Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Spitali Universitar i Traumës, Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi”, Spitali Universitar Obstetriko-Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”, Spitali Universitar Obstetriko-Gjinekologjik “Koço Gliozheni”).
Pjesëmarrja e përgjithshme në këtë vlerësim ishte 88% (morën pjesë 1270 infermierë, nga 1437 të planifikuar). Pjesëmarje e plotë u sigurua nga SU “Shefqet Ndroqi” me 100%, ndërsa pjesëmarrja më e ulët u shënua në SUOGJ “Koço Gliozheni”, me 64%.
Kohëzgjatja e proçesit të vlerësimit të infermerëve ishte 60 minuta, dhe gjatë këtij harku kohor, ato duhej t’i përgjigjeshin 35 pyetjeve.
Kështu rezultatet maksimame, pra 35 pikë, janë marrë vetëm prej 12 infermierëve. Ndërsa, 1-10 pikë kanë marrë 18 infermierë.
Rezultatet më të ulëta janë arritur në kapitujt e “Higjenës”, “Gjumit dhe pushimit”, dhe “Eleminimit intestinal dhe urinar”. Ndërsa, rezultatet më të larta, janë arritur në kapitullin e “Përdorimit të medikamenteve”, si dhe “Shenjave jetësore dhe sigurisë së pacientit”.
Për të gjithë infermieret që nuk arritën të marrin pjesë në këtë raund vlerësimi, do të këtë një mundësi të dytë pas 30 ditësh, ose ditën që është planifikuar vlerësimi i infermiereve në shërbimin spitalor rajonal.











