• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Tuesday, January 27, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Pse Shqipëria ishte e preferuara e SHBA-së për vendosjen e Njësive Speciale? Gjeneral Tabor: Ja sa do qëndrojnë dhe roli i tyre

by Java News
31/01/2022 17:37
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Gjeneral Major David H. Tabor, Komandant i Komandës së Operacioneve Speciale në Europë dha një intervistë EKSKLUZIVE për gazetarin Thimi Samarxhiu në emisionin “Zona Zero” në Top News ditën e sotme.

Tabor tregoi se pse Shtetet e Bashkuara zgjodhën Shqipërinë për të ngritur një shtab të bazës të Forcave të Operacioneve Speciale.

Ai gjithashtu zbuloi se sa do të jetë kohëzgjatja e kësaj njësie dhe roli i saj. Pse SHBA zgjodhi Shqipërinë dhe Rusia Serbinë?

Thimi Samarxhiu: Gjeneral Major David Tabor, faleminderit që gjetët mundësinë dhe kohën për këtë intervistë për t’i dhënë përgjigje shumë pyetjeve që janë ngritur pas vendimit tuaj.

Gjeneral Major David Tabor: Më lejo t’ju them, Thimi, se ju jam shumë mirënjohës që po më jepni mundësinë të flas me ju dhe t’i komunikoj popullit shqiptar dhe kujtdo se cilat janë qëllimet dhe planet tona. Më lejoni ta nis duke thënë se asgjë nga këto nuk do të kishte qenë e mundur pa mbështetjen e jashtëzakonshme të qeverisë shqiptare dhe të popullit shqiptar. Jemi shumë mirënjohës për këtë mundësi që do të kemi për vitet në vijim. Të falënderoj edhe një herë për kohën dhe pres me kënaqësi pyetjet. Shpresoj, gjithashtu, edhe të takohemi një ditë, shumë shpejt besoj.

Thimi Samarxhiu: Dhe pyetja e parë është pse Komanda e Operacioneve Speciale të SHBA-së për Evropën zgjodhi Shqipërinë për të ngritur një shtab të bazës të Forcave të Operacioneve Speciale?

Gjeneral Tabor: Po. E di se kjo është pyetje e rëndësishme për këdo. Mendoj se është e rëndësishme të theksoj se kjo është një komandë rajonale që do të shërbejë për angazhimin e forcave tona me shumë aleatë dhe partnerë në të gjithë rajonin. Sinqerisht, pasi shqyrtuam shumë vende, vumë re pozicionin qendror që ka Shqipëria, përforcuar edhe nga partneriteti i shkëlqyer që kemi pasur me forcat shqiptare të operacioneve speciale, duke shtuar këtu edhe mbështetjen e jashtëzakonshme të qeverisë shqiptare dhe të popullit shqiptar për ta bërë këtë gjë realitet.

Thimi Samarxhiu: Cili do të jetë roli i kësaj njësie?

Gjeneral Tabor: Siç e përmenda, kjo do të jetë një komandë në mbështetje të operimit dhe kontrollit të forcave tona të angazhuara në të gjithë rajonin. Do të jetë një bazë relativisht e vogël, afërsisht 10 deri në 15 vetë, që do të vendosen në Shqipëri mbi bazë rotacioni në ndihmë të angazhimit që ne kemi jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende si Kosova, Bosnja, Serbia, Kroacia dhe në të gjithë rajonin. Duke qenë më të pranishëm, do të mund të ndërtojmë një marrëdhënie më solide në të gjithë këtë zonë.

Thimi Samarxhiu: A është ky mision afatshkurtër, afatmesëm apo afatgjatë?

Gjeneral Tabor: Sa na përket neve, ky është një proces që nuk e ka një datë mbarimi. Ne mendojmë se po e nisim si një proces afatgjatë dhe mbi këtë bazë do të punojmë bashkë me aleatët tanë të mrekullueshëm aty në Shqipëri. Siç e theksova, kjo ka ardhur si kërkesë e qeverisë shqiptare. Pra, për sa kohë shqiptarët janë të lumtur me praninë tonë aty, po aq të lumtur do jemi edhe ne, sigurisht, që të qëndrojmë.

Thimi Samarxhiu: A ishte vendimi për instalimin e një shtabi të avancuar në Shqipëri në kuadrin e konkurrencës më të gjerë të fuqive në rajon? Rusia ka tashmë një bazë të avancuar në Serbinë Jugore për shembull.

Gjeneral Tabor: Po, e dimë se çfarë po bëjnë shumë vende, por nuk është kjo ajo që na motivon. Ajo çka na motivon vërtet është stërvitja bashkë me aleatët dhe me partnerët tanë për të krijuar kapacitete edhe më të mëdha. Se çfarë bëjnë vendet e tjera, nuk është se është edhe aq e rëndësishme për ne. Ajo çka u intereson aleatëve tanë po, ajo ka shumë rëndësi për ne. Kështu që ne do të vazhdojmë t’i forcojmë këto marrëdhënie kurdo dhe kudo që të mundemi.

Thimi Samarxhiu: Çfarë lloj ndërveprimi do të keni me Forcat e Armatosura Shqiptare?

Gjeneral Tabor: Jam shumë i entuziazmuar për mundësinë që kemi për të zhvilluar më tej marrëdhëniet e shkëlqyera që kemi me forcat e armatosura shqiptare. Siç e dini, Shqipëria ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në angazhime të mëparshme, si në Irak, ashtu edhe në Afganistan. Përveç kësaj, kemi pasur edhe një sërë stërvitjesh me forcat shqiptare të operacioneve speciale. Kështu që e presim me kënaqësi mundësinë të stërvitemi dhe të mësojmë nga njëri-tjetri dhe që të ndërtojmë kapacitetet e nevojshme që Shqipëria të vazhdojë të jetë kontribuuese për stabilitetin e rajonit e madje edhe në NATO e më gjerë.

Thimi Samarxhiu: Cilat janë implikimet e sigurisë si për Shqipërinë ashtu edhe për territorin e saj?

Gjeneral Tabor: Siç e thashë edhe më parë, Thimi, kjo është një mundësi për të forcuar marrëdhëniet tona dhe unë shpresoj se kështu rritet edhe ndjenja e sigurisë dhe stabilitetit në të gjithë rajonin, sensi i besimit që kanë të tjerët në këtë rajon e madje edhe në NATO dhe më gjerë. Është shumë e rëndësishme të kuptojmë se secili nga është shumë më i fortë nëse jemi të gjithë bashkë sesa secili veç e veç.

Thimi Samarxhiu: Në kuadrin ligjor, cilat janë marrëveshjet ligjore ndërmjet qeverisë shqiptare dhe komandës së forcave speciale për kryerjen e operacioneve brenda dhe jashtë territorit shqiptar?

Gjeneral Tabor: Pyetje interesante, Thimi, që e ka përgjigjen të thjeshtë. Nuk ka ndryshuar asgjë. Ne do të vazhdojmë të operojmë përmes pranisë sonë atje nën përgjegjësinë e qeverisë shqiptare dhe popullit shqiptar, duke punuar përmes Ambasadës sonë dhe Zyrës sonë atje për Bashkëpunim në Fushën e Mbrojtjes. Kështu që për ne është shumë e thjeshtë. Presim me kënaqësi të jemi atje.

Thimi Samarxhiu: A do të ndihmoni Forcat Speciale shqiptare? P.sh. për sa i përket pajisjeve speciale dhe ndonjë mjeti tjetër që u mundëson atyre të rrisin aftësitë e tyre operacionale?

Gjeneral Tabor: Mundësia tashmë ekziston dhe ne jemi të gatshëm që ta shfrytëzojmë afërsinë tonë me këtë rast për të përforcuar kontaktet me forcat speciale shqiptare. Siç e thashë, do të punojmë përmes Ambasadës Amerikane, Zyrës për Bashkëpunim në fushën e Mbrojtjes për të vlerësuar dhe për të përmirësuar vërtet kapacitetet ne bazë të vullnetit të ushtrisë shqiptare në përgjithësi dhe forcave të operacioneve speciale në veçanti.

Thimi Samarxhiu: Cili është vlerësimi juaj për aftësitë e Forcave Speciale Shqiptare?

Gjeneral Tabor: Do t’i kthehesha edhe një herë përvojës që kemi pasur me forcat speciale shqiptare në Irak, në Afganistan dhe në operacionet stërvitore kohët e fundit. Mund t’ju them se kemi të bëjmë me një forcë të përkushtuar dhe, siç themi zakonisht ne këtu, në operacionet speciale amerikane, ajo që ka më shumë rëndësi janë njerëzit, jo pajisjet. Aty ku ka njerëz të zotë, që janë të fokusuar te misioni, që i përkushtohen sigurisë dhe stabilitetit dhe paqes në rajon, gjithçka është e mundur. Pra, kemi një bazë të mirë me forcat shqiptare të operacioneve speciale dhe presim me kënaqësi mundësinë që t’i ndihmojmë që të bëhen ajo çka ata vetë duan të bëhen.

Thimi Samarxhiu: A do të ketë Shtabi që do të krijohet në Shqipëri njësi speciale nga vende të tjera të NATO-s si Kroacia, Hungaria, Maqedonia e Veriut, Greqia ose Mali i Zi?

Gjeneral Tabor: Ne kemi bashkëpunim shumë të mirë vërtet me aleatë të tjerë të NATO-s dhe me vende të tjera partnere në të gjithë rajonin. Kjo komandë që ne po ngremë është një qendër komandimi për operacionet tona speciale në Evropë dhe si e tillë nuk kemi në plan që pjesë e saj të jetë edhe ndonjë vend tjetër aleat. Sigurisht që në bashkërendim me ushtrinë dhe me qeverinë shqiptare, do të jemi të gatshëm që ta konsiderojmë këtë nëse do të ketë interes reciprok. Duhet, gjithashtu, të them se edhe aleatë të tjerë të NATO-s kanë marrëdhënie me Shqipërinë dhe me ushtrinë shqiptare dhe besoj që në këtë rast jemi në gjendje që ta mbështesim njëri-tjetrin reciprokisht. Kështu që nëse do të lindin mundësi të tilla, ne jemi pa dyshim të gatshëm që t’i eksplorojmë, por nuk është se po nisemi me planin që të ndërtojmë një tip shtabi qendror më të madh për aleatët që shkon përtej thjesht një qendre komande të Shteteve të Bashkuara për operacionet speciale.

Thimi Samarxhiu: A është në plan vendosja e forcave luftarake ose stërvitore diku tjetër, në rajon apo më gjerë?

Gjeneral Tabor: Sigurisht, ka gjithmonë mundësi, kudo. Siç e thashë, ne kemi bërë shumë stërvitje në Shqipëri dhe Shqipëria ka marrë pjesë në disa nga ushtrimet tona stërvitore dhe besoj se kjo ka për të qenë një nga mundësitë më të mira që lind me ngritjen e kësaj komande. Do të ketë më shumë kontakte me forcat ushtarake shqiptare dhe më shumë përfshirje të tyre në ushtrime të NATO-s, qofshin ato ushtrime që bëhen brendapërbrenda Shqipërisë apo qofshin edhe ushtrime të tjera në kontinent, apo edhe kudoqoftë në botë, nëse ekziston dëshira. Një nga stërvitjet tona të mëdha, ku do të marrë pjesë Shqipëria është ushtë stërvitja e përvitshme “Trojan Footprint”, bashkë me tre vende të tjera në Evropë. Kështu që presim me shumë kënaqësi që të mund t’i rrisim mundësitë ekzistuese, duke i shfrytëzuar këto mundësi për rritjen e kapacitetit, sigurisë dhe stabilitetit në të gjithë rajonin dhe në të gjithë Evropën.

Thimi Samarxhiu: Gjeneral shumë faleminderit. Ju uroj punë të mbarë dhe Ju presim në Tiranë

Gjeneral Tabor: Thimi, faleminderit edhe një herë. E vlerësoj vërtet shumë këtë mundësi që më dhatë për të folur me ju, për të folur me popullin shqiptar dhe shpresoj të takohemi së shpejti për një kafe në Tiranë e të njihem edhe me qytetarë të tjerë të mrekullueshëm shqiptarë. Ju falënderoj edhe një herë dhe ju uroj një ditë të bukur!/m.j

Next Post
Galaja e Festës së Pranverës 2022 e CMG-së i paraqet audiencës botërore bukurinë e kulturës kineze

Galaja e Festës së Pranverës 2022 e CMG-së i paraqet audiencës botërore bukurinë e kulturës kineze

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Kreu i NATO-s: Na duhen garanci të forta sigurie, që Rusia kurrë më mos të guxojë të prekë asnjë kilometër

Rutte: Serbia të dënojë autorët e Banjskës dhe sulmin ndaj KFOR, Vuçiç duhet të mbajë premtimet

January 27, 2026
Pas telefonatës me Trump, Carney mohon të jetë tërhequr nga fjalimi i tij në Davos: E kisha me të vërtet atë që thashë

Pas telefonatës me Trump, Carney mohon të jetë tërhequr nga fjalimi i tij në Davos: E kisha me të vërtet atë që thashë

January 27, 2026
Ish-ambasadori zbulon ‘të fshehtën’ e takimit emergjent Rama-Kurti: I ka përcjellë mesazhin e…

Ish-ambasadori Arben Çejku: Vizita e Ramës në Izrael ishte e guximshme dhe pragmatike

January 27, 2026
Ndryshimet në Kodin Penal, Lamallari: Dekriminalizimi i ‘shpifjes’ për gazetarët, mbrojtje e lirisë së shprehjes! Parkimi dysh, vepër penale..

Ndryshimet në Kodin Penal, Lamallari: Dekriminalizimi i ‘shpifjes’ për gazetarët, mbrojtje e lirisë së shprehjes! Parkimi dysh, vepër penale..

January 27, 2026
Tragjedia në diskon në Zvicër, kryebashkiaku i Crans-Montanas: Po më kërcënojnë me vdekje, kam nisur terapinë

Tragjedia në diskon në Zvicër, kryebashkiaku i Crans-Montanas: Po më kërcënojnë me vdekje, kam nisur terapinë

January 27, 2026
Epoka e artë e Trump/ Çupi: Ardhja e tij ishte domosdoshmëri, bota ndryshoi që kur fitoi zgjedhjet

Vizita në Izrael/ Çupi: Kryeministri Rama ‘eksportoi’ modelin shqiptar të harmonisë fetare

January 27, 2026
Lapaj nga Lezha: Të çohemi kundër barbarisë se nuk kemi gjë në terezi

Lapaj nga Lezha: Të çohemi kundër barbarisë se nuk kemi gjë në terezi

January 27, 2026
“Mos u kujtoni vetëm për zgjedhjet në 2029!”/ Balla: Duhet një marrëdhënie e re dhe më e fortë mes Kuvendit dhe Diasporës!

“Mos u kujtoni vetëm për zgjedhjet në 2029!”/ Balla: Duhet një marrëdhënie e re dhe më e fortë mes Kuvendit dhe Diasporës!

January 27, 2026
Përplasja e trenave, Spanja do të paguajë 20 milionë euro për familjet e viktimave

Përplasja e trenave, Spanja do të paguajë 20 milionë euro për familjet e viktimave

January 27, 2026
26 persona bien në pranga nga policia e Minneapolis/ Po protestonin para hotelit ku qëndronte komandanti i ICE-së

26 persona bien në pranga nga policia e Minneapolis/ Po protestonin para hotelit ku qëndronte komandanti i ICE-së

January 27, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In