Nga Ben Andoni
Zgjedhjet e jashtëzakonshme të 11 qershorit në Kosovë dhe propaganda zgjedhore kanë sjellë në vëmendje të publikut sesa i paarsyeshëm ishte koalicioni i deritanishëm mes PDK-së dhe LDK-së. Formacioni i parë që mbart si vlerë trashëgiminë e Luftës së UÇK-së rrinte me një formacion politik, simboli i të cilës ishte president i parë i Kosovës Rugova dhe njëfarë simboli totemik i vetë Kosovës. Urrejtja e tyre që u fashit për pak plasi sërish me nota të larta në këto ditë të fundit me prishjen e koalicionit.
Gjithsesi të dy forcat shumë herë indirekt dhe kohët e fundit direkt kohën më të madhe e harxhuan jo për qeverisje por thjesht për t’iu përveshur njëra-tjetrës, duke akuzuar që nga përgatitjet e dosjeve kundër UÇK-në e duke vazhduar me të tjerat.
Të konsideruara dhe realisht dy partitë më të mëdha në vend dhe ato që kanë vendosur shpesh për fatet e Kosovës, respektivisht Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, deri më tani s’janë treguar fare transparente pasi nuk i kanë bërë publike listat e kandidatëve për deputetë, ndonëse ato tashmë janë dorëzuar në KQZ për certifikim. Ka akuza nga shoqëria civile se kjo po bëhet si rezultat i pakënaqësive të brendshme, por edhe si rezultat i përfshirjes në to të personave me shumë aktakuza, për të cilët vetë përfaqësuesit e SHBA-së jo pak herë kanë kërkuar largimin e tyre me forcë. Por ndërsa një palë thotë se kjo s’është një lajm aspak i mirë për Kosovën, ekspertët e çështjeve juridike thonë se një individ akuzohet kur të përfundojnë të gjitha procedurat!!!
Ndërkohë tri partitë të cilat ishin në opozitë dhe aleatë në legjislaturën e fundit, VV-ja, AAK-ja e “Nisma”, kanë shpallur listat e tyre, dy të ashtuquajturit mamuthët politikë: PDK-ja e LDK-ja ende nuk i kanë zyrtarizuar për opinionin publik kandidatët për deputetë. Në justifikimin e tyre, përfaqësues të këtyre subjekteve shprehen se listat do të dalin fill pas verifikimit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Qeveria serbe ndërkohë mbështet hapur Listën Serbe që drejtohet nga Sllavko Simiç, paçka se në zgjedhjet e parakohshme në Kosovë do të marrin pjesë 6 subjekte politike serbe, në mesin e tyre plot 4 parti, një koalicion dhe një iniciativë qytetare.
Reforma zgjedhore
Një ndër mangësitë e procesit që po zhvillohet në Kosovë ka të bëjë me mungesën e reformës zgjedhore. Kryeministri në ikje Isa Mustafa ka fajësuar direkt PDK-në me arsyetimin se: “ata që e bënë koalicion janë nën panik, pak para mesnatës, nuk ishin të interesuar për reformë. Ata donin ta çonin vendin në zgjedhje, pasi që e dinin që rënia e tyre është e madhe dhe po përpiqen të shpëtojnë çka mund të shpëtohet. Ata nuk u pajtuan edhe që Pakon Fiskale 2 ta kapërcejmë në Qeveri. Ne nuk do të lejojmë që Kosova të lëndohet edhe njëherë nga një proces i vjedhur elektoral i cili do të prodhonte institucione jolegjitime”.
Reforma zgjedhore në Kosovë prek as më shumë e as më pak por plot 13 nene të Kushtetutës, që kanë nevojë t’i nënshtrohen amendimit për hir të reformës zgjedhore, të paktën sipas asaj që Presidenti Hashim Thaçi, ka thënë pak muaj më parë. Ai, vetë, në këtë kuadër, inincoi një takim me përfaqësues të subjekteve politike, ku kanë marrë pjesë përfaqësues të partnerëve kryesorë të koalicionit qeverisës, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kuptohet se opozita e deritanishme e refuzoi procesin e reformës, ndërsa tashmë është në koalicion zgjedhor me PDK-në.
Reforma zgjedhore kosovare që të funksiononte duhej të prekte sistemin, pragun, zonat dhe listat zgjedhore, por në fakt gjithçka nuk kishte sens derisa në proces nuk merrte pjesë opozita. Njësoj si në Shqipëri mungesa e konsensusit të përbashkët e bënte të brishtë por edhe të pamundur këtë, ndërkohë që Kosova vuan shumë politizimin e organeve zgjedhore dhe të gjithë strukturës që merret me zgjedhjet: Këshillave të vendvotimeve, Komisioneve Komunale Zgjedhore dhe vetë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Një imperativ përbënte edhe pragu zgjedhor dhe ndarjet e zonave zgjedhore në 6 apo 7 zona syresh si edhe fati i
i hapjes apo mbylljes së listave zgjedhore.
Pse partitë politike kosovare janë ende pa platforma politike?
E gjithë kjo tollovi reflektohet dhe nga mungesa e programeve të partive, që individualisht në këtë kohë janë zhytur në konflikte sa i përket emrave. Mbi të gjitha partitë politike kosovare nuk kanë një rakordim përfundimtar sa i përket platformës politike, përmes së cilës do të synojnë të kërkojnë votat e qytetarëve. Dy koalicionet e mëdha, që janë krijuar në Kosovë, ku në njërën anë është ai i formacioneve politike që kanë marrë pjesë në luftë të tilla si PDK- AAK-Nisma dhe përballë LDK-ARK etj., që pretendojnë se janë duke punuar në këtë drejtim, por ende nuk kanë përcaktuar gjithçka.
Me çfarë kuptohet politika kosovare më shumë po humbet duke punuar njëra parti kundër tjetrës. NISMA që vetëm ka akuzuar këto kohë dhe që inincoi mocionin e mosbesimit po duket se thjesht ka qenë sebepi sepse gjithçka duket punë e PDK-së. Të dyja bashkë ende s’kanë një platformë të qartë politike. Por e habitshme është se edhe vetë Lëvizja Vetëvendosje, tashmë formacion i mirëfilli politik, nuk ka arritur që programin e saj ta detajojë, ndërkohë që formacioni ka qenë shumë aktiv sa i përket programacionit deri më tani.
Por një gjendje e Kosovës e jep shumë mirë ajo që thotë profesor Qosja në intervistën e dhënë për “Dita”: “Në Kosovë sikur po legalizohet një i ashtuquajturi racizëm social: shpërfillja e të varfërve, shkelja e të drejtave të punëtorëve prej punëdhënësve privatë, kurse në sektorin shoqëror shfrytëzimi i punëtorëve të varfër prej disa punëdhënësve privatë, pasiguria e përgjithshme e tyre – e të varfërve, e të shpërfillurve, shpunësimi i lehtë, i paarsyeshëm i atyre të paktëve që janë punësuar! Kosova është institucionalisht e bllokuar prej egoizmit të kastës sunduese, e cila përfaqëson veten, interesat e veta e jo popullin. Sa lojën, sa komedinë, sa tragjikomedinë e luajnë sot në Kosovë oligarkët politikë shpesh në bashkëpunim me oligarkë financiarë! Sa hajnin, sa horrin, sa mashtruesin, sa zhvatësin, sa falsifikatorin, sa rrogëtarin e sa të padinjitetshmin e të padinjitetshmen i kanë ngritur ata në partitë e tyre, në pushtetin e tyre dhe në diplomacinë e tyre të quajtur diplomaci e Kosovës! Njëri prej këtyre sundimtarëve të kastës politike – kryeministri kishte krijuar shtabin e tij me të cilin i përndiqte, i përgojonte, bënte çmos që t’i komprometonte intelektualët e opozitarët e tjerë, partiakë, që merrnin guximin ta kritikonin”.
Sa do mundet të ndryshojë diçka? Gjasat janë për pak e shumë pak, sepse politika kosovare nuk duket se do ndryshojë shumë dhe me këto zgjedhje. (JavaNews)