Nga Ylli Pata
Përballja e opozitës në Opinionin e Blendi Fevziut pas deklaratës së fortë të Sali Berishës, ishte një spektakël në vete.
Ishte spektakël më vete, pasi çështja këtu është tek përplasja e partive për të ashtuquajturën elektorat besnik kundër Edi Ramës. Një fjalor polarizues për të treguar se kush është më “katolik” se doktori.
Kjo nuk është aspak politikë, por vetëm një mazokizëm egocentrist për të marrë vota apo simpati të skifterëve.
Një politikë normale opozitare nuk zihet se si do bashkohen gjithë aktorët e faktorët, sikur të jenë zarzavate në tezgat e tregut të fruta-perimeve.
Politika ka një logjikë të ndryshme nga një sofrito ku qepët, karrotat, selinoja bashkohet me mishin apo peshkun për të sjellë një gjellë që të ketë brenda edhe shijen e gones, edhe të Lapajt, si dhe atë të fortë të doktorit, që mund ta mbysësh pak me dy gjethe dafine e me pak sherebelë.
Politika nuk është ragu, por është një pjatë shumë e thjeshtë, përkatësisht një spageti me domate të freskëta apo me fruta deti në verë.
Politika është supstancë jo shumë e të gjithë të çmendurve që e kanë mbushur listën e deputetëve me teze dhe me daja.
Politika është verb, është mesazh, është vision në radhë të parë. Ideja e largimit të Edi Ramës është një inat, është një dëshirë, është një instikt, por nuk është vision.
Opozita që kërkon një Bashkim alla fruta-perime, duhet të dalë me një ide për negociatat me Bashkimin Europian, për aleancat politike të Shqipërisë në lidhje me investimet, të dalë me një ide se si ata e duan ngritjen e industrisë së turizmit, kur sulmuan një nga projektet më të fuqishme të saj.
Pa këtë qëndrim, që është thelbi, problem mbetet aty. Nuk është asgjë sikur ta kundërshtojnë projektin e Zvërnecit e Sazanit, apo të kërkojnë një zvogëlim të investimeve në territor. Por duhet ta artikulojnë, ta argumentojnë. Të tregojnë se si e duan ata ligjin e zonave të mbrojtura apo pse duan të bllokohet Paketa e Maleve.
Ky artikulim duhet të elaborohet politikisht e të kthehet në një debat politik, ku njerëzit të dinë dy pozicionet e të votojnë ata që duan.










