Nga Skënder Minxhozi
Mes Ramës dhe Metës nuk rrjedhin ujra të qeta. Siç e tha edhe kreu i LSI para disa ditësh, ata janë larë këtë verë në një det dhe kaq… Vetëm sezoni i ri politik duket se solli rivendosjen e kontakteve mes dy aleatëve, të cilët duken të ftohur mes tyre për një varg arsyesh, që kanë prodhuar tashmë disa tonelata letër dhe bojë gazetash, në formë artikujsh, lajmesh, insinuatash dhe provokacionesh gjithfarësh.
Por çarja mes PS dhe LSI nuk duket dhe kaq parimore, ideologjike apo edhe fokusuar tek personat e Edi Ramës dhe Ilir Metës. Prej muajsh dy partitë kanë nuanca qëndrimesh të ndryshme, në lidhje me një numër problemesh konkrete, që jo gjithmonë nënkuptojnë aleancat fluide të kateve të larta të politikës apo kulisat e errëta që përgatisin lëvizjet e mëdha politike. Për shembull, qysh nga fillimi i punës së kësaj qeverie, LSI ka pasur një qëndrim pak a shumë acid ndaj programit të Ramës në shëndetësi, ashtu siç ka mbajtur qëndrime të dyzuara sa i përket taksimit progresiv apo punës së policisë. Kanë qenë qëndrime që kanë pasur dinamikat, interesat dhe motivet e tyre të ndryshme nga njëra-tjetra. Shpesh aspak parimore, por ndoshta edhe meskine e korruptive.
Sot në komisionin e ekonomisë, dy deputetë të LSI, Kadeli dhe Spahiu, kanë kundërshtuar sërish planet e qeverisë për të shtrënguar masat ndëshkimore për informalitetin e bizneseve. Edhe kjo oponencë është vënë menjëherë në vitrinë nga mediat, duke i mëshuar edhe një herë sherrit veror mes Ramës dhe Metës. Ndërkohë që e vërteta, si nocion i gjerë dhe shpeshherë i paperceptueshëm me sy të lirë, qëndron diku në mes dhe ka arsyet e veta të dukshme e të padukshme.
Në këtë mënyrë, të thuash se PS e LSI dolën të pakënaqura mes tyre nga zgjedhjet e 21 qershorit është një gjë, kurse të shohësh sesi deputetët e dy forcave politike kanë qëndrime jo rrallë të ndryshme në lidhje me ligje konkrete, kjo është diçka krejt tjetër. Fakti që u bënë rreth gjashtë vjet që partia e Metës menaxhon marrëdhënie delikate me aleatët e saj politikë në bashkëqeverisje, përbën një rrethanë që rregullisht ka gjeneruar keqkuptime, të cilat i kanë tejkaluar shpesh shkaqet konkrete që i lindën. Prandaj duhet dalluar me qetësi dhe kthjelltësi ajo çka është parimore dhe serioze, në diferencat mes dy partive të majta, nga ajo që është fiziologjike, rutinore dhe burokratike.
Edhe më e rëndësishme është kjo tani, kur LSI duket se po kushtëzon procesin e modifikimeve kushtetuese që po shfaqen në horizontin e reformës në drejtësi. Një qëndrim kryekëput i ndryshëm nga kulisat e vogla parlamentare, që nuk kanë as frymë parimore dhe as rreshtim politik apo ideologjik. Por vetëm bërryla meskinë dhe interesa personale. Bashkëjetesa mes aleatëve në qeverisje, është gjithmonë një ekuilibër i vështirë, ku interesat banale shpesh ngatërrohen me lëvizjet e mëdha. Edhe PS e LSI nuk bëjnë përjashtim nga ky rregull universal.









