Një fenomen politik jo pak i dukshëm është vënë re tre javët e fundit në Partinë Demokratike. Një nga yjet në ngjitje të PS-së së Bashës, as më pak e as më shumë po Sekretarja për Marrëdhëniet Publike, Grida Duma, thuajse është zhdukur fare nga qarkullimi. Thënë ndryshe, nga ai protagonizëm, që, me hyrjen edhe në parlament, pritej të ishte akoma më dinamik, nga ana e sociologes që pritej të luante dhe rolin e Jozefinës të bërë dalje nga Basha.
Nuk duket më në konferencat live të selisë blu, panelet televizive apo në mexhliset e tjera, ku siç duket figurat dalin sipas një plani të përgjithshëm që del nga homologu i Fugës në selinë blu.
Investimi më i madh i Lulzim Bashës që në zgjedhjet për Tiranën në vitin 2011, që e kishte Gridën si kreun e stafit dhe koordinatoren e spin-doctor-ëve vendas, të cilën e kandidoi në 2015-ën për kryebashkiake të Durrësit, u zvenit, ashtu si pa marrë vesh, pa shpjeguar, duke shkaktuar edhe një habi publike për trajtimin që po i bëhet një gruaje me sharm intelektual, të cilën vetë PD e mbështeti fort.
Ç’ka ndodhur realisht me Grida Dumën në PD?
Dikush thotë se po kryhet një operacion për tërheqjen e sërishme të Jozefina Topallit, dhe dihet që ajo nuk para e ka qejf Gridën; tjetërkush thotë se vetë zonja Duma është e zënë me një projekt akademik, e ka dhe nga ata që thonë se “mandata” erdhi nga lart fare, nga 20 katëshi…
Jo për gjë, por grida Duma është edhe zëdhënësja zyrtare e grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Të enjteve, zëri i grupit të PD-së është kryetari Basha dhe kur del nga salla flet doktor Berisha, por në emisione shkojnë edhe të tjerë. Por Grida nuk është mes tyre, deri në një lloj asgjësimi që bën mu. Pse vallë? Gjithçka ndodhi nga ajo natë e zhurmshme në grupin parlamentar të PD-së, ku Grida bëri debat me Doktorin.
Në fakt, kush i di gjërat në PD thotë se debat me doktorin nuk se s’bëhet , por Grida Dumës i shkau goja, tha për ish-kryeministrin se është “një koleg si gjithë të tjerët”. Duket se kjo frazë ka qenë shkelja në dërrasën e kalbur politike apo kalimi në kthinën ku asnjë nuk duhet të hyjë, përveç një grupi të autorizuar. Porta e kësaj kthine, edhe pse nuk ekziston fizikisht, ajo është aty dhe në të hyjnë vetëm të autorizuarit.
Gjithkush e di. Njerëzit e doktorit, familjarët e tij, apo entourage i këtij ambienti nuk ka direkt pushtet politik në selinë e PD-së, por të gjithë nënkuptojnë këtë grup kur duan të thonë diçka, të mendojnë diçka apo të propozojnë.
Në një intervistë në emisionin e Eni Vasilit, kjo e fundit e pyeti Grida Dumen se si e konsideronte deklaratën e Berishës që “këshilltarët e Bashës ishin mizerabël” dhe ajo u përgjigj: “nuk mund të komentojë mbi asnjërin prej kolegëve, anëtarëve apo kontribuuesve të Partisë Demokratike”.
Vasili shkoi më tej dhe e pyeti për marrëdhëniet me doktorin dhe Grida u përgjigj: “Si me këdo, si me të gjithë kolegët. Kam komunikim, është normale kjo gjë”, tha ajo.
Kjo thënie nuk u vu re nga askush, por e vetmja media që e nënvizoi ishte një portal që përflitet se financohet nga familja e ish-kryeministrit. Në komentet që bëheshin në këtë portal, cilësimi i Doktorit si “koleg” konsiderohej si blasfemi politike. Nuk mund të ishte lideri historik një “koleg”, e nga kush pa, nga një rioshe buzëqumësht, porsi Basha vetë. Dhe menjëherë pas kësaj deklarate, ish-kryeministri e kritikoi ashpër Dumën në mbledhjen e grupit të PD-së. I tha që ajo nuk mund të flasë në emër të grupit, duke iu referuar një qëndrimi të Gridës për rrjedhjen e votave për zgjedhjen e Gramoz Ruçit-kryetar Kuvendi.
Pas kësaj deklarate të Berishës askush nuk foli më dhe u duk se vërtetë Duma e kishte shkelur. Megjithatë, u duk se gjërat do vijonin normalisht. Madje më i kritikuari në atë mbledhje ishte Salianji, i cili si i ri u kritikua nga doktor Berisha që të kishte kujdes në deklarata e të mos këpuste mufka të pamenduara.
Dhe vërtet, Ervin Saljanji e rimorri vetën duke u ridimensionuar në “forcë e gatshme” për të provokuar të fortët e PS-së, siç ishte Gent Strazimiri në legjislaturën e shkuar. Por Grida që prej asaj dite nuk doli më. Një deputet i PD-së tha se këto janë gjëra që ndodhin në parti, njëherë je aktiv njëherë më pak, por e rëndësishme është se grupi është në unison.
Megjithatë, që prej lançimit të saj që në 2011-n, rrugës së saj të vështirë edhe duke qenë në armiqësi me Jozefina Topallin e Majlinda Bregun, kurrë Grida nuk e ka provuar këtë “thatësirë” politike. Për të mos e lënë bosh hapësirën femërore në selinë blu, Basha nuk e la asnjë minutë Jorida Tabakun e cila lindi dy binjakë, për të pasur ca ditë leje lindjeje. E riktheu me shpejtësi pasi duhej mbushur vakumin i Gridës.
Por gjithsesi, mosshpjegimi për Gridën vetëm se ushqen më shumë teoritë konspirative…(Tesheshi.com)
ma.me