Për Bill Gates mund të thuhen shumë gjëra. Vetëm për teorinë konspirative se kërkon të na kontrollojë duke përfituar nga pandemia Covid-19 mund të diskutohet për orë të tëra, pa përmendur këtu themelimin e Microsoft apo veprat e tij filantropike. Por, ajo që shumë pak e dinë ka të bëjë me faktin se edhe një nga njerëzit më të pasur të botës nuk mund t’i jepte dot makinës që pëlqente më shumë. Kush ia ndalonte? Ligjet amerikane, të cilat, për t’i ndryshuar, Bill Gates vuri në punë avokatët më të mirë që kishte në dispozicion. Ishte viti 1987.
Bill Gates vendosi që të blinte një Porsche 959 Touring, një makinë supersportive që arrinte një shpejtësi maksimale prej 317 km/h dhe shkonte nga 0 në 100 km/h për 3,9 sekonda. Makina mbërriti në SHBA, por u ndal në doganë pasi modeli në fjalë nuk kishte kaluar testin e përplasjes në Amerikë.
Porsche nuk kishte planifikuar që ta shiste këtë mjet në SHBA dhe gjithashtu nuk ishte i gatshëm të sakrifikonte 4 ekzemplarë që kërkonte ligji amerikan për testin e përplasjes. Kështu, makina ishte dënuar që të bëhej një nga mjetet më të bukura dhe të avancuara që nuk përdoreshin. Bill Gates vendosi që të niste një fushatë në mënyrë që makinat e veçanta të kalonin në SHBA duke iu njohur testet e zhvilluara në vendet e origjinës. Ai u mundua të bindte politikanët amerikanë se ishte i padrejtë vetting-u i këtyre makinave që shijoheshin në vendet e tjera të botës.
Pas shumë mundimesh, në vitin 1991, kur Porsche 959 Touring kishte 4 vite mes pluhurit në doganë, u aprovua ligji që lejonte përdorimin e makinave të veçanta duke njohur testet që kryheshin jashtë kufijve amerikanë. Askush nuk e di sa makina përmban koleksioni i Bill Gates, por dihet se me raste përdor edhe Porsche 959. Nuk mund të ndodhte ndryshe, ajo është makina për të cilën ka luftuar më shumë në jetën e tij.