Parlamenti voton në seancën plenare të orës 10:00 përbërjen e dy komisioneve që tashmë janë ngritur me vendim të shumicës parlamentare.
Bëhet fjalë për përbërjen e Komisionit të Posaçëm të Kuvendit për të luftuar Dezinformimin dhe për përbërjen e Komisionit të Posaçëm të Kuvendit për Antikorrupsionin.
Këto projektvendime janë shqyrtuar në konferencën e kryetarëve, mbledhje që u zhvillua pa opozitën e Rithemelimit, por me prezencën e deputetes Flutura Acka, e cila përfaqëson PD zyrtare.
Rithemelimi nuk mori pjesë në konferencën e kryetarëve për shkak të mbledhjes së grupit parlamentar që u mbajt për të koordinuar veprimet e kësaj pjese të opozitës. Në emër të këtij grupimi foli Gazment Bardhi, i cili përsëriti ftesën për qytetarët që të bëhen pjesë e protestës të enjten para Kuvendit.
Dy komisionet e posaçëm u votuan gjatë javëve të fundit në parlament, iniciativa të cilat janë parë me hezitim nga opozita.
/a.r