Nga Plator Nesturi
Konflikti midis vellezërve në plazhin e Vlorës se kush do të menaxhonte çadrat e plazhit duket ekuivalente më atë se çfarë ndodh në oborrin e PD-së ku të dyja palët, tashmë ekstremisht në antagonizëm, mëtojnë se kush duhet të menaxhojë zyrat e selisë blu. Sherrnaja në plazhin e Vlorës pati ofeza dhe krisma saqë lemerisi atë ditë turistët që shulloheshin në det, ndërsa lemeria po shoqëron PD-në që prej një viti ndërsa palët sakatojnë njëra tjetrën në emër të binomit Basha –Berisha. Binom që gjithësesi ka qenë bashkë, si në kohën e artë të birësimit ashtu dhe në ditët e mjegullta kur kinse akuzonin së largu njëri tjetrin, nëpër foltore apo deklaratash mediatike. Shtjella e ngjarjeve që shoqëroi rrugëtimin e Berishës për tu imponuar si “i forti i vetëm i PD-së” dhe ku vullneti i tij është ligj, tregoi se skema nuk funksionoi ashtu siç pritej.
Nga ana e tij Basha e bëri mirë detyrën e ngarkuar duke u tërhequr pjesë pjesë e duke lëshuar ndonjë gur sa për lezet dhe sa për të thënë se po bënte betejën e vet. Pasi Berishës nuk i duhej thjesht të merrte çelsat e partisë që i kish lënë me prokurë tek beniamini Basha. Atij i duhej një gjoja betejë për të dëshmuar se është ende i fortë dhe faktor në PD, dhe si i tillë duhej të merrej në konsideratë seriozisht ndërsa ndërkombëtarët e kishin shpallur person non grata. E mundësisht dhe qëndrimi ndaj tij duhet revizionuar ndërsa rivendoset në krye të partisë më të madhe opozitare. Luli pra, e kreu detyrën e vet dhe iku. Me mefshtësinë dhe mungesën e inisiativës, ishte kontrasti më i spikatur për ta nxjerrë Berishën energjik dhe dominant. Por llogaria që nuk arriti të bëjë Berisha në funksion të skenarit të tij ishte se ndërkohë vetë PD kish ndryshuar.
Në 8 vite të saj në opozitë, pavarësisht dështimeve dhe luhatjeve drastike në veprimtarinë e vet, pjesa më vitale e saj ka evoluar. Ka evoluar në koncepte, në mënyrën e të bërit politikë dhe në ndërgjegjësimin se lidershipi nuk është zoti i pagabueshëm e i pandryshueshëm, por se duhet të jetë në përputhje me vlerat, besueshmërinë dhe që garanton progres për partinë e vet dhe për qytetarët si alternativë pushteti. Ndoshta pikërisht dështimet e shumta kishin sjellë këtë evoluim të brendshëm. Kështu skenari i Berishës për një rikurorëzim triumfal, në fakt evidentoi se PD nuk është më ajo e dikurshmja dhe ndarjet e shumta që vërehet mund të grupohen në tre kategori kryesore. Grupi i parë janë dumbabistët, ata që ngelen të palatuar politikisht, që mbeten të ngujuar në eposin e kreshnikëve të viteve 90 dhe për të cilët Berisha mbetet simbol e flamurmbajtës i parevokueshëm në shenjtërinë e vet. Grupi i dytë është brezi i dytë i PD-së. asaj pjese që mbetet pjesë e trashëgimisë më të mirë të dikurshme duke qenë europeiste dhe atlantike, që kërkon progress dhe nuk mbetet peng e inokave politike, ca më pak kur këto bëhen pengesë si non grata për vetë PD-në dhe aspiratat politike të saj.
Ndërkohë grupi i tretë është shumë më kolorit. Shumë më të kultivuar sesa dumbabistët me të cilët në thelb tallen e i përqeshin, me ambicie të mëdha politike por shpesh pa vullnet për të luftuar e konkuruar për të arritur në krye, ky grupim mendon se po e përdor Berishën për të ndërtuarën karrierën e tyre, për paksa mbështetje të tanishme ndërsa lideri ndodhet në fazën e fundit të rrugëtimit të të gjatë politik.
Kjo është panorama me të cilën ndeshet Berisha sot ndërsa i ka hyrë sot rrugës së protestës ndërsa sfidat e vërteta të tij janë jo në Bulevardin e Tiranës, por në vetë oborrin e PD-së. Ai nuk kish menduar se numri i shtuar i grupimit të dytë, atyre që mendojnë jo më me mendtë e tij por që operojnë në përputhje me konceptet europeiste të demokracisë, të mund të bëhej një pengesë kaq rezistente saqë ti prishte triumfin . Të kesh kreun e PD-së është ende një tregues i fortë pushteti në Shqipëri, dhe me mendimin se do të përdorë pa kushte dhe si detashment lufte korpusin e anëtarësisë së PD-së, Berisha me anë të kësaj po luante gurin e fundit të forcës për të ndikuar obi ndërkombëtarët për të ridimensionuar fatin e tij.
Rezistenca e grupit që nuk dëshiron të bëhet lojë në favor të Berishës e në dëm të PD-së, e ka mpakur madhështinë që do kish dëshiruar. Pasi Berisha e ka të qartë që nuk mund ti zërë besë as grupit laraman që kanë bërë kompromis me të për hir të karrierës. Këta janë të parët që mund ta lëshojnë në fatin e vet liderin e tyre në monetet që nuk u dalin llogaritë. Ndërsa grupi i dumbabistëve për Berishën nuk ka ndonjë vlerë, veç për faktin që të mbushin ndonjë shesh proteste për tu braktisur sërish në vegimet halucinante të eposit të kreshnikëve. Berisha vijon të nxitojë pra. Nxiton se nuk sheh mënyrë tjetër dhe se vetëm obi bazë aksioni mund të imponohet e të vërë diçka në kontroll nga të vetët.
Protesta duket si zgjidhje për problemet rrotull tij. Në emër të cmimeve kërkon të mbajë liçensën e të parit në opozitë, të tregojë dominacë e forcë ndaj të pabindurve e ti intimidojë deri në përulje. Dhe së fundmi, protesta dhe dominanca është forma më e mirë për ti bërë shantazh drejtësisë, si për çështjen e të drejtës se kush është trashëgimtari legal i PD-së, dhe deri në hetime që mund të përballin akuzat që janë bërë ndaj tij. Intimidimi tek një pjesë e duputetëve që nuk pranojnë të njohin parësinë e Berishës, ka filluar të japë efektet e para. Një pjesë e tyre kanë vendosur të jenë pjesë e protestës, pa deklaruar se do ndërmarrin hap të mëtejshëm. Dhe kjo do të ishte shenja e parë e një vetvrasjeje politike.
Vetë Berisha as do luante këmbën nëse protesta do të ish thirrur nga pjesa legale e PD-së apo maxhoranca e grupit parlamentar. Ndaj ky lloj lëshimi është veçse gafë politike dhe që tregon mungesë koherence dhe kaos në udhëheqësi. Gjithësesi përpara duket se do të ketë shumë të përpjeta që do të ravijëzojnë se cfarë rruge do të ketë PD-ja dhe një nga treguesit do të jetë edhe protesta e sotme. A do të jetë thjesht një testim forcash.