Policia e shtetit dhe ajo e Tiranës kanë hartuar një plan masash për të garantuar rendin dhe sigurtinë, në protestën që Partia Demokratike ka thirrur ditën e nesërme para Parlamentit.
Në një njoftim për mediat, policia bën me dije se që prej orës 06:00 të mëngjesit do të kufizohet lëvizja në rrugën “George W. Bush”.
Në varësi të vijimit të tubimit, policia bën me dije se gjatë ditës mund të ketë edhe akse të tjera që do të bllokohen.
Njoftimi i policisë:
Përfaqësues të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë kanë njoftuar Policinë e Tiranës për zhvillimin e një tubimi, ditën e nesërme, në orën 10:00, para Parlamentit.
Me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë, Policia e Tiranës me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka ndërmarrë të gjitha masat, në bazë të ligjit “Për tubimet”.
Në zbatim të këtyre masave, ditën e nesërme do të kufizohet lëvizja, nga ora 06:00 deri në përfundim të tubimit, në rrugën “George W. Bush”.
Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Tiranës ka marrë masa për devijimin e qarkullimit të automjeteve në rrugë alternative.
Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për kufizimin e lëvizjes me automjete, si dhe apelon që të distancohen në rast se gjenden përballë veprimeve të kundërligjshme që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.











