Gjek Celaj, njëri nga denoncuesit e skandalit të pronave të kryetarit të bashkisë Lezhë për tjetërsimin e pronës në bregdetin e këtij qyteti, në Dita shpjegon se çfarë ka ndodhur me pronën e tij, si dhe kush e tjetërsoi atë.
Veprimet e shpejta të zyrtarëve për t’i marrë tokat e gjyshit të tij. Si e ka ndjekur çështjen që në fillesat e saj dhe si u “zhdukën” dokumentet e pronës. Duke mos u ndalur tek politika por te drejtësia, Çelaj jo pa ironi shprehet se “Kur flet drejtësia ne duhet të heshtim…”, pasi në vlerësimin e tij referuar asaj çfarë vetë shqiptarët besojnë, një në çdo pesë shqiptar i beson politikës dhe gjykatave.
“Është fakti se një pjesë e madhe e gjyqtarëve janë bërë milionerë duke shpërdoruar detyrën, duke i shërbyer krimit në vend që t’i shërbejnë të drejtës dhe, për pasojë, janë shndërruar në pjesëmarrës, kontribuues dhe përfitues të botës së krimit. Ata janë shumë më të rrezikshëm dhe më të dëmshëm se kriminelët ordinerë. Unë besoj fort se këta gjyqtarë të korruptuar kanë dhënë kontributin kryesor që shqiptarët të ndihen të dëshpëruar, të lënë atdheun dhe të ikin nga sytë këmbët”.
I bindur për t’i shkuar deri në fund një të drejte që i takon ka një mesazh të qartë për politikën që të rrijë larg drejtësisë dhe për qytetarët që të mos jenë “gomerët” e saj.
Intervistoi: Erion Habilaj
– Z. Celaj, ditët e fundit jeni shfaqur në media si një prej denoncuesve të skandalit të pronave në Lezhë. Si është historia dhe çfarë ju ka ndodhur?
Historia është e gjatë dhe, fatkeqësisht, e ngjashme me disa histori të tjera të pronave të përvetësuara gjatë të ashtuquajturit tranzicion. Historia e përvetësimit është pasojë e mënyrës si janë trajtuar problemet e pronës në Shqipëri. Elementëve të veçantë dhe grupeve kriminale u janë krijuar mundësi të përvetësojnë pronat e të tjerëve. Nga ana tjetër, pronarëve të vërtetë që i trashëgojnë prej një e më shumë shekujsh u është pamundësuar marrja. Si mundësitë për të përvetësuar pronat e të tjerëve edhe pamundësitë për të gëzuar tokën që trashëgon janë krijuar dhe mohuar enkas.
Pronësia e familjes sime mbi tokën e përvetësuar zë fill në gjysmën e parë të shekullit 19. Në atë kohë shumë banorë të Malësisë së Madhe që dimëronin bagëtitë në zonat bregdetare kundrejt pagesës filluan t’i blinin kullotat dhe gradualisht u shpërngulën nga Malësia duke u bërë banorë të përhershëm në zonën bregdetare. Shumë nga ata që ua shitën tokat dimëruesve lëvizën drejt qyteteve. Në këtë mënyrë, fillimi i shekullit të 20-të i gjeti hapësirat bregdetare, nga derdhja e lumit Buna deri afër Ishmit, të banuar kryesisht nga malësorët.
Të parët e mi erdhën në fshatin Mali i Rencit, kanë jetuar në atë vend për gjashtë breza rresht. Ne kemi atje ende shtëpinë e vjetër të ndërtuar rreth një shekull më parë. Atje jam lindur e rritur edhe unë. Sistemi politik i vendosur në 1945 i kolektivizoi shumicën e sipërfaqeve bujqësore, kullosore dhe pyjore. Siç dihet, pas vitit 1990 një numër jo i vogël shqiptarësh, sidomos në veri të Shqipërisë, i morën tokat e veta pa pyetur njeri. Ne, ashtu si edhe shumica e banorëve të fshatrave Mali i Rencit dhe Mali i Shëngjinit, ndoqëm rrugët ligjore për njohjen dhe kthimin e pronave tona.
Për arsye që nuk vareshin prej nesh, ne e filluam procesin e kthimit të pronave pak më vonë se të tjerët. Bëmë një kërkesë në Arkivin Qendror të Shtetit për të tërhequr dokumentet që vërtetonin pronësinë e gjyshit. Arkivi i Shtetit na u përgjigj negativisht. Më pas një kushëri i yni na njoftoi se emri i gjyshit tonë figuronte në njërin nga regjistrat e AQSH, ku ishte edhe emri i gjyshit të tij si pronarë fqinjë. Pas kërkesave të përsëritura që përmbanin faktin e fiksuar në dokumentet e kushëririt iu drejtuam gjykatës. Në vitin 2006 Gjykata e Lezhës na e njohu faktin juridik të trashëgimisë mbi ato sipërfaqe tokash që ishin pyll dhe një pjesë kullota.
-Po kthimin e pronave përse nuk e realizuat?
-Nëse të shpjegoj me hollësi gjithë përpjekjet tona për të kaluar pengesat e paligjshme që na ngriheshin, lexuesit do të harxhonin shumë kohë dhe gazeta shumë vend. Po e përmbledh me pak fjalë. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (AKKP) Tiranë na e mohoi kërkesën për regjistrimin e pronës në fillim të vitit 2013. Preteksti: se nuk përputhej sipërfaqja e kërkuar nga ne me sipërfaqen që tregonte një dokument arkivor i yni. Pas kërkesës që i drejtuam sërish AQSH (ishte fillimi i vitit 2014) ne morëm përgjigjen me shkrim që tre regjistra, të vitit 1941 dhe 1945 kishin të dhëna të qarta dhe vendndodhje të saktë të pronave që gjyshi ynë kishte pasur në fshatin Mali i Rencit.
Bazuar mbi të gjitha dokumentet e paraqitur, gjykata e Lezhës vendosi kthimin e këtyre pronave tek ne si trashëgimtarë të ligjshëm. Zyra e Avokatit të Shtetit e ankimoi çështjen në Gjykatën e Apelit Shkodër e cila, pas disa kohësh vendosi t’ia kthente çështjen gjykatës së Lezhës duke i kërkuar të kryente vetëm njësimin e dy hartave (plan- rilevimeve). Në atë vendim Gjykata e Apelit shprehej se ishte vërtetuar se gjyshi i kërkuesve (gjyshi ynë) ka pasur pasuri pyll dhe kullota në fshatin Mali Rencit para vitit 1945, se kërkuesit janë trashëgimtarë të ligjshëm të tij dhe se ata kanë ndjekur rrugën e duhur ligjore për kthimin e pronave. Pas kryerjes së detyrës së lënë nga Gjykata e Apelit, gjyqtari i pamoralshëm i Lezhës, me një vendim juridikisht qesharak, na e mohoi kthimin e pronës. Ne e apeluam atë vendim në Gjykatën e Apelit Shkodër ku pret radhën e gjykimit.
-Si ju ranë në dorë faktet e abuzimit me pronat tuaja?
-Ka qenë tërësisht një rastësi. Ndërsa të afërmit e mi në Lezhë po i kërkonin këshillë një topografi ai i pyeti se ku i kishin saktësisht pronat. Pasi i treguan, topografi shprehu dyshime që pronat tona të ishin në atë vend. Dyshimi i topografit tërhoqi vëmendjen tonë. Bëmë një verifikim dhe rezultoi se gjysmën e pronave tona i kishte marrë tjetërkush.
– Kur ka nisur abuzimi me pronat?
– Siç dihet, abuzimet me pronat kanë nisur qysh në vitin 1991 me zaptimet e paligjshme prej personave të ardhur nga zona të tjera drejt fushës dhe bregdetit. Në ndihmë atyre u ka ardhur edhe Ligji 7501, datë 19 korrik 1991 “Për Tokën”. Abuzimet masive në rrethin e Lezhës, veçanërisht në vijën bregdetare, kanë ndodhur në vitet ’90 dhe kanë vazhduar deri në vitet e fundit.
-Ju e keni bërë kallëzimin penal ndaj kryebashkiakut të Lezhës?
-E vërteta është se kur mësova grabitjen e tokës e kisha shumë të vështirë ta besoja. Kur u binda se grabitja kishte ndodhur u trondita. A e imagjinoni dot se çfarë do të thotë që pronarët e ligjshëm të enden nëpër institucionet shtetërore dhe gjykatat shqiptare për 15 vjet dhe t’iu refuzohet kthimi i pronës ndërsa një grup pizevengësh, për 15 ditë i fusin në dorë ato prona?
Fillimisht arrita të merrja në dorë kopjet e disa dokumenteve me të cilët ishte vepruar për të bërë tjetërsimin e pronës. Aty më rezultuan firmat e disa drejtuesve të institucioneve të pushtetit lokal të Lezhës. Në ato fillime unë besoja se firmat e kryetarit të bashkisë ishin të falsifikuara. Duke u nisur nga ky fakt si dhe nga fakti se kisha një njohje të largët me të për shkak të një miku të përbashkët me të cilin kishim pirë dikur kafe, unë i gjeta numrin e telefonit të tij celular dhe, pasi i paraqita problemin e ndodhur, i kërkova ndihmë si drejtues i pushtetit dhe i sugjerova të merrte masa për të mbrojtur veten nga falsifikuesit e firmës së tij. Fatkeqësisht, nuk mora asnjë reagim apo falënderim sado të thatë prej tij. Ky fakt më bëri të dyshoj rreth rolit të tij në këtë akt.
Në atë kohë ne nuk kishim prova për fajësinë e ndokujt por, përderisa toka ishte regjistruar sipas ligjit 7501, unë isha i vetëdijshëm se kjo gjë nuk mund të realizohej pa kontributin e Bashkisë, Qarkut dhe ZRPP Lezhë. Duke mos pasur fakt se cilët përfaqësues të këtyre institucioneve ishin përfshirë, kallëzimi ynë nuk përmban emra konkretë, por padit thjesht këto tre institucione. Ne ia dërguam kallëzimin penal dhe disa dokumente shoqëruese Prokurorisë së Lezhës. Ishte detyrë e saj të hetonte sipas ligjit dhe, pas mbledhjes së provave, të ngrinte akuzat përkatëse për individët e përfshirë në skemën e vjedhjes së pronës.
-A mund të na sqaroni, me aq sa dini, si ka funksionuar skema e vjedhjes së pronës tuaj?
– Në vija të përgjithshme skema ka qenë e tillë: Dikush sheh një ëndërr se si mund të bëhesh milioner pa punuar fare, siç janë bërë shumë të tjerë në Shqipëri, dhe të nesërmen vendos ta bëjë ëndrrën realitet. Shkon tek ZRPP Lezhë dhe i kërkon drejtuesit të saj: “Na gjej do tokë të paxanun diku në bregdet se do të ndahesh mirë edhe ti”. Drejtuesit duhet t’i ketë marrë vetëm pak minuta për ta gjetur në kompjuter viktimën e radhës. Pasi ia ka treguar këtë fakt, ëndërrimtari e ka pyetur se si mund ta regjistrojmë në “rrugë ligjore” dhe ai e ka mësuar se e vetmja rrugë e marrjes së saj ishte të “zbatonin” Ligjin 7501, por…. Dhe këtu ndodhej një “por” e madhe sepse realizimi i ëndrrës kishte tri pengesa ligjore. Pengesat ishin: ligji kishte rënë nga fuqia qysh në vitin 2008; ligji lejonte vetëm dhënien e tokës bujqësore dhe jo pyjet dhe kullotat, siç figuronin sipërfaqet objekt gjuetie dhe, pengesa e tretë, ligji kërkonte që toka bujqësore t’iu jepej vetëm personave që banonin në atë zonë.
Atëherë ëndërrimtari, që është edhe organizatori dhe koordinatori i skemës, vendos që pengesën e parë ta kapërcejë vetë nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve duke përpiluar dokumente false sikur kjo tokë ishte shpërndarë sipas ligjit në fjalë qysh në vitet 2000. Pengesa e dytë mund të kapërcehej vetëm me ndihmën e zyrtarëve të Qarkut dhe Bashkisë dhe prandaj ka nisur “negociatat” me ta për të bërë vendime që, si me magji, e shndërronin pyllin në pemëtore dhe sipërfaqet kullosore dhe ranore në tokë bujqësore (tokë buke). Zyrtarët e këtyre dy institucioneve, ia kanë plotësuar kërkesat sipas kushteve që i dinë palët në bisedime që shpresoj se hetimet do t’i bëjnë të ditura për gjithë opinionin. Lidhur me pengesën e tretë (përfitonin vetëm persona që banoni në atë zonë), ëndërrimtari i bindur se banorët e asaj zone nuk do të pranonin të kontribuonin në vjedhjen e pronave të atyre me të cilët i lidhnin gati dy shekuj fqinjësia dhe bashkëjetesa pa më të voglin konflikt, ka vendosur t’i injorojë ata dhe ka gjetur 3-4 persona të tjerë të cilët do t’i bënte pronarë të përkohshëm (vetëm për pak ditë) dhe pastaj do të realizonte kalimin e pronave nëpërmjet shitjes tek njerëzit e afërm të tij dhe ndihmësve të tjerë në skemën e vjedhjes.
-Dhe e realizoi këtë?
-Po të shihet procedura e ndjekur të lë pa mend. As administrata shtetërore gjermane nuk do t’iu kishte shërbyer kaq shpejt shtetasve të vet. Për vetëm dy javë realizohet e gjithë skema. Se si mund të arrish t’i bësh zyrat e shtetit shqiptarë të veprojnë kaq shpejt e kanë të qartë të gjithë qytetarët që sorollaten me muaj e vite sa në një zyrë në tjetrën për të marrë një dokument të vetëm. Për ta thënë më shkoqur: ZRPP iu kërkon Qarkut dhe Bashkisë konfirmimet për gjendjen juridike të këtyre tokave. Bashkia dhe Qarku, për dy ditë i përgjigjen ZRPP duke i dërguar vendimet dhe dokumente të tjera që “vërtetonin” se sipërfaqet e tokave objekt gjuetie ishin pemëtore dhe tokë buke. Pronarët e përkohshëm “i marrin” pronat me sy mbyllur, pa vënë re se nuk ishin as pemëtore as toka bujqësore, por pyje dhe kullota. Pas dy ditësh, “nevojtarët”, që ishin të afërm të autorëve të skemës së vjedhjes, “i blejnë” këto sipërfaqe në të cilat nuk ka as bimë arash dhe as portokall të mbjellë por rërë dhe lisa.
-Edhe sipërfaqet ranore i kishin bërë tokë buke?
-Historikisht, sipërfaqet kullosore dhe pyjore të banorëve të fshatrave të lartpërmendur kanë pas arritur diku deri tek 80-100 metër larg buzës së ujit të detit. Pra brezi rreth 100 metër nga buza e ujit ka qenë gjithmonë pronë shtetërore. Pas vitit 1990, kur filloi prerja e paligjshme e pyjeve dhe vandalizma të tjerë mbi tokat dhe pronat, era e ka shtyrë rërën drejt malit dhe kjo rërë ka mbuluar thuajse krejt sipërfaqet që dikur ishin kullota dhe pyje që ndodheshin në rrëzë të malit. Unë i mbaj mend pronat tona dhe të të tjerëve si livadhe dhe pyll që shtriheshin midis 50 dhe 200 metër nga rrëza e malit drejt detit. Në kufijtë midis pronave private dhe sipërfaqeve ranore dikur ka pasur pemë dhe gardhe që shërbenin si pengesë për depërtimin e rërës drejt malit dhe madje ishin krijuar duna rëre deri dhjetë metra të larta. Prerja e pyjeve dhe prishja e gardheve i krijoi mundësi rërës të mbulojë tokat kullosore.
-Çfarë mendimi keni për punën e prokurorisë dhe të gjykatës në këtë çështje?
-Pas kallëzimit tim dhe të një trashëgimtari tjetër që i ka pronat jo shumë larg të mijave, prokuroria nisi hetimet. Këto hetime nuk kanë nisur më herët dhe as me shtytjen e ndonjë institucioni shtetëror, siç pohojnë disa që dëshmojnë se do ta ngrysin jetën të turbulluar nga pasionet politike të vjetra e të reja. Nga hetimet e kryera prokuroria konstatoi se sipërfaqet e tokave të vjedhura ishin shumë më të mëdha se ato që pretendonin denoncuesit. Në 26 shtator 2017, me kërkesën e prokurorisë, gjykata e Lezhës vendosi sekuestron mbi sipërfaqet e tokave objekt hetimi.
Mund të them se prokuroria fillimisht ka vepruar me njëfarë ngathtësie, por më vonë ka kryer një punë voluminoze. Në qoftë se prokuroria do të kishte bashkëpunuar me Policinë e Shtetit më shpejt dhe më mirë, është e sigurt se do të kishte zbuluar edhe “xhevahire” të tjera, d.m.th. prova më të shumta që do të dëshmonin se nuk kemi të bëjmë me shkelje sporadike të ligjit por me një grup individësh që janë marrë vesh midis tyre për të bërë secili pjesën e vet në realizimin e aktit kriminal dhe, rrjedhimisht, për të marrë frytet sipas kontributit të dhënë.
– Folët për një organizator dhe koordinator të skemës kriminale?
– Është detyrë e organeve të drejtësisë të përcaktojnë rolin dhe përgjegjësinë e secilit në veprën penale por disa gjëra dihen tashmë. Në qendër të skemës duket se është ai individ i cili, kur ndodhej në arrati, nga “shpella” ku fshihej deklaronte se drejtësia dhe disa zyrtarë të bashkisë Lezhë ishin “marrë peng nga bandat famëkeqe të Kryeministrit kriminel Edi Rama….”. Dhe, pasi shpallte historinë e lavdishme të familjes së tij dhe pohonte se ata asnjëherë nuk kishin grabitur prona, kërcënonte drejtësinë shqiptare për “pengmarrje…”. Ky individ duket se ka koordinuar veprimtarinë e paligjshme të pjesëtarëve të tjerë të grupit, ka falsifikuar dokumente dhe ka kaluar gjysmën e tokave të vjedhura në pronësi të njerëzve të tij më të afërt. Pas kallëzimeve tona ai ka pritur shumicën e dëshmitarëve të thirrur nga prokuroria, i ka instruktuar si të përgjigjen dhe i ka shoqëruar deri tek godina e prokurorisë Lezhë. Pastaj i ka pritur derisa kanë mbaruar seancat e pyetjes për të marrë vesh çfarë e si u tha. Gjithashtu ka gjetur njerëz të ndryshëm, i ka dërguar me makinë tek tokat tona dhe është përpjekur t’ua shesë por ka ndeshur ose në refuzimin e blerësve të mundshëm për shkak të dijenisë së tyre për pronarët e ligjshëm të tokave ose në refuzimin e ZRPP Lezhë për të kryer veprimet e nevojshme pasi toka është nën sekuestro. Në këtë skemë dhe veprimtari është i përfshirë edhe një noter që, për çudi, nuk ia pashë emrin gjëkundi.
– A është shembulli i Fran Frrokaj modeli i qeverisjes demokratike?
– Duke qenë një njeri që e ka pësuar rëndë nga padrejtësitë shtetërore, unë dëshiroj që asnjë njeri i pafajshëm të mos dënohet, qoftë ky pastrues i rrugëve të Lezhës apo kryetar bashkie. Siç i kam thënë edhe një kanali televiziv shqiptar, bindja ime e palëkundur është se krimi nuk ka ngjyra politike dhe as mund t’i faturohet vetëm një partie. Kjo është aq e pamundur sa ç’është e pamundur që epidemia e gripit të bjerë vetëm në një lagje qyteti dhe lagjet e tjera të mos kenë asnjë “të sëmurë”. Çështjet penale duhet të mbahen larg politikës dhe politika duhet të heshtë për to.
– Po, por ne pamë të ndodhë e kundërta…
– Ajo që pamë është një turp dhe tregon shumë për moralin tonë politik dhe papjekurinë tonë qytetare. Ne pamë njerëz politikë lokal që shpreheshin si rrugaçë dhe manipulonin një tufë gomarësh me dy këmbë për të pëllitur kundër një procesi penal dhe për gjëra që jo vetëm s’i dinin por nuk kanë kurrfarë mundësish intelektuale që t’i dinë e t’i kuptojnë. Shumë prej atyre që përdoreshin si mish për top nga rrugaçët politikë janë individë që kanë zaptuar tokat e huaja. Aty, duke brohoritur “për drejtësi”, kishte edhe individë që janë të gatshëm të vrasin edhe vëllanë e tyre për një vijë uji apo tri metra tokë por ishin po kaq të gatshëm të merrnin në mbrojtje ata që na kanë grabitur dhjetëra hektarë tokë mua dhe kallëzuesve të tjerë. Pamë disa njerëz që kanë shirë në lëmë prej 25 vitesh në Lezhë, një ish-kryetar lokal partie që thoshte se jetonte në “Shtetet e Bashkuara të Australisë dhe se për arrestimin e dikujt duheshin pyetur qytetarët”, pamë një nënkryetare bashkie që shprehej me fjalorin dhe moralin e njerëzve ordinerë. Pamë dhe çfarë nuk pamë.
Mbi të gjitha më bënë përshtypje qëndrimet e disa politikanëve qendror. Një deputet i Lezhës, i cili besohet se ka tokë në Kune, pranë Shëngjinit, me pasionin e një të marri dhe me argumentet e një karabushi, u përpoq në TV Klan ta paraqesë procesin penal të vjedhjes së tokave si proces politik. Kryetarja e LSI-së, me një mendjelehtësi të paimagjinueshme dhe guxim të pashembullt për të përdorur të pavërtetat, pohoi: “Këto arrestime bëhen sepse njerëzit kanë qëndrim të kundërt politik me kryeministrin e radhës”. Duke u vënë haptas në mbrojtje të krimeve, në aferat me pronat zonja u përpoq të shfajësonte të akuzuarit dhe kështu të frymëzojë njerëz të tjerë që në të ardhmen të grabisin pronat e huaja dhe të gjejnë mbrojtje në foletë politike të ngrohura nga “klloçkat e pangopura”. Në qoftë se pohimi i saj se njerëzit ishin arrestuar pse mendonin ndryshe nga Kryeministri është i vërtetë, atëherë zonja i bën një nder Kryeministrit që nuk e di a e meriton.
Kulmin e budallallëkut dhe të pafytyrësisë e arriti pohimi i një ish-Ministri Drejtësie, me pamjen e një speci djegës, i cili pohoi se “Edhe sikur argumentet e policisë politike të jenë 100% të vërteta, ato prapë quhen politike dhe të njëanshme. Kështu ndodh kur sundon pushteti dhe jo shteti”. Një pohim i tillë, i bërë nga një jurist dhe figurë politike, provon shkallën e lartë të bastardimit tonë moral dhe kufizimet e thella intelektuale të shumë prej atyre që na kanë qeverisur apo na qeverisin. Të verbuar nga urrejtja ndaj atyre që s’ua hapin derën e dhomës ku ndodhet grazhdi i pushtetit, ata janë të gatshëm të vihen në mbrojtje të çdo ligjshkelësi, mjaft që të besojnë se kështu mund të “diskreditojnë” kundërshtarët politikë.
Unë besoj se Lezha, dhe jo vetëm, do t’i mbajë shënim këto fytyra të kalorësisë së krimit kur t’iu vijnë dhe t’iu premtojnë drejtësi dhe luftë kundër korrupsionit.
– A mendoni se ky shembull mund dhe duhet të shërbejë për një hetim vertikalisht, më të thelluar nga ana e prokurorisë në qeverisje dhe ish-qeverisje?
– Me sa di unë, prokuroria e Lezhës është duke hetuar edhe disa çështje të kallëzuara nga qytetarë të tjerë për abuzimet me pronat ku janë tentuar, por edhe realizuar “kthimi” në toka buke i kënetave, kanaleve, moçaleve etj. Bindja ime është se prokuroria, në të gjithë Shqipërinë, duhet të hetojë dhe dërgojë në gjyq individë dhe, veçanërisht, zyrtarë shtetëror pavarësisht kush i ka vënë aty apo cilës parti politike i përkasin. Dhe zyrtarë të korruptuar dhe ligjshkelës ka me qindra në pushtetin lokal dhe qendror, në pushtetin aktual dhe pushtetet paraardhës. Mjafton të kujtojmë dhjetëra miliona euro të abuzuar e përvetësuar çdo vit nga administratat shtetërore qendrore e lokale dhe pak kush, në mos askush, ka shkuar në burg.
Duhet të jemi të sinqertë dhe të pranojmë se dëmet më të mëdha popullit ia shkaktojnë njerëzit e pushtetshëm. Është shumë e rrezikshme ajo që ndodh në praktikë. Politika dhe sahanlëpirësit e saj, përpiqen t’i veçojnë zyrtarët shtetërorë si “të parrezikshëm”, “të zgjedhur nga populli”, figurë publike” etj., etj.. Me këto përcaktime justifikohet trajtimi i tyre thellësisht i ndryshëm nga ai i qytetarëve të tjerë. Në rastin konkret, vjedhja e pronave nuk do të ishte realizuar pa ndihmën e organeve shtetërore. Falsifikimet e dokumenteve dhe shpërdorimet e detyrës kanë qenë veçse mjete që mundësonin vjedhjen.
– Si e gjykoni vendimin e gjykatës për të lënë në arrest shtëpie zyrtarët e Bashkisë?
– Ka shumë vite që na thuhet: “Kur flet drejtësia ne duhet të heshtim…”. Ajo që ne të gjithë e dimë dhe sondazhet më të fundit e treguan është se vetëm një në çdo pesë shqiptarë i beson politikës dhe gjykatave. Është fakti se një pjesë e madhe e gjyqtarëve janë bërë milionerë duke shpërdoruar detyrën, duke i shërbyer krimit në vend që t’i shërbejnë të drejtës dhe, për pasojë, janë shndërruar në pjesëmarrës, kontribuues dhe përfitues të botës së krimit. Ata janë shumë më të rrezikshëm dhe më të dëmshëm se kriminelët ordinerë. Unë besoj fort se këta gjyqtarë të korruptuar kanë dhënë kontributin kryesor që shqiptarët të ndihen të dëshpëruar, të lënë atdheun dhe të ikin nga sytë këmbët.
Sikur gjyqtarët që na kanë mohuar padrejtësisht pronat dhe Zyrat e Avokatit të Shtetit të mos kishin mbajtur ato qëndrime të turpshme dhe të paligjshme ndaj nesh, por edhe ndaj të tjerëve, ne do të kishim marrë pronat tona të ligjshme dhe individët me prirje kriminale nuk do të kishin pasur asnjë shteg për kryerjen e veprave penale, nuk do të ishin sot nën arrest dhe vendi e shoqëria do të ishin më të shëndoshë, më optimistë dhe më të përparuar.
Ajo që unë e them përsëri dhe vendosmërisht është se ne, ndryshe nga çfarë kanë menduar dhe besuar grabitësit e pronave tona, jemi të vendosur deri në fund në mbrojtjen e të drejtës. Kurrë nuk do ndalemi së kërkuari që të marrim atë që është jona. Këtë duhet ta dinë mirë ligjshkelësit dhe ata që i mbrojnë me slogane politike apo ata që përpiqen t’i lehtësojnë me sofizma me ngjyra juridike./a.m.