Prokuroria e Beratit ka kërkuar 21 vite burg në total për dy persona: R.L. dhe E.V., të akuzuar për shfrytëzimin e prostitucionit. Për R.L. kërkohen 12 vite burg, ndërsa për E.V. kërkohen 9 vite.
Sipas hetimeve për një çështje të regjistruar në vitin 2025, dy të pandehurit dyshohet se kanë shfrytëzuar një grua për prostitucion, me qëllim përfitimin e parave.
Nga deklarimet e gruas, ajo ushtronte prostitucion në zonën e Urës Vajgurore, në Berat. Ajo ka treguar se bashkëjetuesi i saj, R.L., ishte në dijeni të aktivitetit dhe merrte paratë që ajo fitonte. Ndërsa klientët, sipas saj, siguroheshin nga E.V. Të ardhurat e përfituara ndaheshin përgjysmë mes dy personave.
Sipas Prokurorisë, dy të pandehurit kanë tentuar gjithashtu ta dërgonin gruan në Greqi, duke kërkuar që secili prej tyre të përfitonte 500 euro në muaj.
Gjatë hetimeve, R.L. ka pranuar se e kishte nxitur bashkëjetuesen të ofronte shërbime seksuale, duke e lidhur këtë me vështirësitë ekonomike. Ai ka deklaruar se në disa raste e kishte ndihmuar të gjente klientë kundrejt pagesës.
Prokuroria dyshon se R.L. organizonte aktivitetin, siguronte klientët, përcaktonte vendin ku gruaja ushtronte prostitucionin dhe çmimin e shërbimeve, ndërsa përfitonte edhe para nga kjo veprimtari.
Ndërsa E.V. akuzohet se e kishte marrë gruan në punë në lokalin e tij, duke e paraqitur si valltare, por sipas hetimeve, qëllimi ishte shfrytëzimi i saj për klientët që frekuentonin ambientet e klubit.
Në përfundim të hetimeve, Prokuroria e Beratit i ka kërkuar gjykatës dënimin me 12 vite burg për R.L. dhe 9 vite burg për E.V., për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”.
Të dy personat prezumohen të pafajshëm deri në shpalljen e një vendimi gjyqësor të formës së prerë.











