Kryeministri Edi Rama ishte këtë të premte në Durrës, pasi nisi zyrtarisht EU4Municipalities II.
Për Ramën, ky projekt nuk mishëron thjesht një mbështetje financiare, por përbën një investim strategjik të Bashkimit Europian për të nxitur rritjen e kapaciteteve të bashkive.
“Përmes tij, institucionet të rrisin kapacitetet njerëzore, që janë edhe problemi ynë më i mprehtë i kësaj kohe dhe i kohëve që vijnë, në rast se nuk fokusohemi me të gjithë forcën sot te adresimi i tij”, deklaroi kreu i qeverisë, duke shtuar se anëtarësimi në familjen europiane është aq sa bekim për Shqipërinë, po aq një sfidë e madhe.
Fjalën e tij (të shkurtër kësaj here) e mbylli me një komponent që sipas tij është shumë i dobët në nivel vendor, digjitalizimi. “Kemi një diferencë të papranueshme dhe të pajustifikueshme mes peshës që ka digjitalizimi në shërbimet qendrore dhe peshës që ka në shërbimet vendore.”
Teksa kërkoi që ky problem të adresohet sa më shpejt, bëri dhe një batutë…
“Sorry to say this (Më falni që ju them), partnerët gjermanë në digjitalizim janë mbrapa nesh. Akoma punojnë me fax, yeah, yeah. Përtej shakasë, që në këtë rast është gjysma e së vërtetës, do gjejmë mënyrën për ta adresuar këtë problem.”
Krerëve të bashkive u la porosi që ky projekt të shfrytëzohet si një mundësi për të krijuar një eksperiencë për të fuqizuar kapitalin njerëzor.
“Përgatitni akoma më mirë bërthamat e vogla nëpër bashki”, përfundoi numri një i kabinetit.
Gonzato apel bashkive për bashkëpunim
Më herët, ambasadori i BE-së në vend, Silvio Gonzato, theksoi se ky program është i prekshëm dhe sjell përfitime në nivel vendor.
“Më duket si deja vu se ishim në Durrës edhe javën e shkuar, ku u çel Muzeu Arkeologjik. Javën e shkuar u thashë se ai ishte një ndër programet e preferuara, ndërsa sot u them se edhe ky projekt për bashkitë më pëlqen, sepse i vendos qytetarët në qendër të rrugëtimit të Shqipërisë drejt BE-së.”
Më tej, shtoi se roli i bashkive është tejet i rëndësishëm në partneritetin Shqipëri-BE. “Rrugëtimi europian duhet të përjetohet në çdo bashki. Qeveria vendore të jetë aktor aktiv!”, ishte sugjerimi i tij.
Shërbime dhe infrastrukturë më e mirë për qytetarët, nënvizoi ai, është thelbi i këtij programi.
“Pak fonde mund të sjellin vërtet përmirësime në jetën e qytetarëve. Duam që këtë punë që nis tani ta bazojmë në sukseset e mëparshme. Bashkitë e vogla do të vendosen të parat dhe asnjë bashki nuk do të mbetet pas. Do të sigurohemi që çdo bashki të ketë qasje në program, do krijohet edhe një qendër njohurish”, bëri me dije ambasadori.
Së fundmi, tha se BE dëshiron të nxisë bashkëpunimin ndërbashkiak, duke e vënë theksin te reforma administrativo-territoriale.
“Mësoni nga njëri-tjetri, mendoni me kujdes se si të adresohen nevojat vendore. Si të krijohen mundësi që të rinjtë shqiptarë të qëndrojnë në Shqipëri apo edhe të rikthehen”, ishte apeli i Gonzato-s.
Fonde direkte dhe digjitalizim
Ndërkohë, ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, njoftoi se skema e granteve do t’u mundësojë bashkive të adresojnë drejtpërdrejt nevojat reale të komuniteteve. Sipas tij, një tjetër komponent i rëndësishëm është forcimi i kapaciteteve teknike të bashkive, në përputhje me standardet e Bashkimit Europian.
Ai nënvizoi gjithashtu rolin e digjitalizimit dhe menaxhimit të të dhënave, duke krijuar sinergji me një projekt të madh të financuar nga Banka Botërore.











