Pas dorëheqjes së gjyqtares Fatmira Hajdari, bashkëshortja e të ndjerit Azem Hajdari, çështja për rigjykimin e Izet Haxhisë për dosjen “e shekullit” është drejt ngërçit. Kjo pasi edhe trupa e re gjykuese e përbërë nga Genti Shala, Valdete Hoxha dhe Astrit Haxhialushi, është drejt tërheqjes.
Anëtarët e Gjykatës së Apelit kanë kërkuar të tërhiqen nga gjykimi, ndërsa vendimi për kërkesën e tyre do të merret brenda dy javëshit të parë të muajit.
Ish-truproja i Sali Berishës, u ekstradua nën masa të rrepta sigurie rreth tre muaj më parë.
Ai është dënuar me 25 vite burg, i dyshuar si bashkëpunëtor në vrasjen e Azem Hajdarit.
Haxhia nuk e ka pranuar kurrë një akuzë të tillë, ndërkohë që prej kohësh kishte kërkuar ekstradimin, në mënyrë që të përballej me drejtësinë shqiptare. Madje ai u dorëzua në autoritetet turke, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë.
Izet Haxhia prej kohësh ka hedhur akuza të ashpra edhe në drejtim të ish-shefit të tij, Sali Berisha për rolin që sipas tij ka luajtur në ekzekutimin e Azemit.
Haxhia ka paralajmëruar se posedon disa prova të forta që sipas tij nuk janë përdorur në procesin gjyqësor të përfunduar vite më parë.