Ristrukturimi i stadiumit të Shkodrës, “Loro Boriçi” është kthyer tashmë në një telenovelë, fundi i të cilës nuk duket i afërt.
Shëmbja e stadiumit të vjetër dhe fillimi i punimeve për impiantin e ri, modern dhe sipas standardeve të UEFA-s ka nisur që prej tetorit të shkuar, por puna ka ecur me ritme të ngadalta dhe kjo për shkak të mosmarrëveshjeve mes Bashkisë së Shkodrës dhe Federatës Shqiptare të Futbollit.
Siç mësohet, gjatë këtyre ditëve pritej nënshkrimi i kontratës për vijimin e punës në stadium, por FSHF nuk ka pranuar asnjë prej pikave të propozuara nga komisioni ad-hoc i ngritur nga Këshilli Bashkiak i kryeqendrës së veriut. Ne tre mbledhjet e zhvilluara, jo vetëm që nuk u formulua asnjë ndryshim nga propozimet e paraqitura deri më tani nga Bashkia, por u vendosën edhe kushte të tjera. Pika e parë, e hedhur poshtë nga Federata ishte ulja e kohëzgjatjes së kontrates për shfrytëzimin e Loro Boriçit nga 20, në vetëm 15 vjet.
Tjetër propozim i refuzuar nga FSHF lidhet me pikën ku parashikohet penalitet në rast të mos dorëzimit të objektit në afatet e përcaktuara sipas kontratës. Sipas propozimit të komisionit ad-hoc, federata duhet të paguajë gjobë në vlerën 0,025 per qind mbi vlerën e përgjithshme të investimit, për çdo ditë vonesë. Tashmë seria e ardhshme e telenovelës pritet të spostohet në Këshillin Bashkiak të Shkodrës, në mbledhjen e parashikuar të zhvillohet më 4 Dhjetor. Tashmë pritet përfundimi i mbledhjes dhe një takim tjetër mes palëve për ti dhënë zgjidhje ngërçit të krijuar rishtaz. (ATSH)