Nga ARMAND PLAKA
Cilat ishin veprimet luftarake, sa humbje pësuan secila palë, si dhe sa u luftua, çfarë u tha nëpër deklarata zyrtare e reagime ndërkombëtare rreth kësaj ngjarje, kur përfundoi pushtimi zyrtarisht. Si raportohej e mendohej në Angli, SHBA, Francë etj dhe për çfarë fliste shtypi i Boshtit Berlin-Romë?
7 prilli i vitit 1939, jo vetëm në historiografinë shqiptare, por edhe në atë botërore të shekullit që shkoi, duket se ka përbërë një ngjarje të cilës i është rezervuar një vend e vëmendje e konsiderueshme. E kjo më shumë se gjithçka tjetër verfikohet edhe nga raportimi dhe analizimi i saj në mediat e thuajse të gjithë botës.
Sigurisht, dinamika e ngjarjeve dhe interesat e kundërta që reflektonin dy kampet rivale (fuqitë e aksit dhe ato të demokracive perëndimore), të cilët në kohën që po flasim, akoma nuk ishin ravijëzuar qartazi si armiq të betuar të njëri-tjetrit, bënin që edhe mediat respektive të përcillnin në opinionin publik kryesisht lajme e këndvështrime me kahje të kundërta, por ndonjëherë edhe shumë kontradiktore e të paqarta.
Këtu, më të interesuarat direkt ishin sigurisht, mediat italiane e ato britanike, të shoqëruara respektivisht nga ato të Rajhut të Tretë e aleatëve të tyre në njërin krah e ato franceze e amerikane, në krahun tjetër. Shqetësimi i tyre nis disa ditë para se të ndodhte realisht pushtimi i Shqipërisë nga trupat italiane, duke hedhur hije dyshimi mbi rezultatet e bisedimeve mes palës shqiptare dhe asaj italiane, në një përpjekje të fundit për të shmangur pushtimin, i cili nuk do vononte të vinte.
Por le të vijmë tek Pushtimi, 7 prilli dhe ditët që pasuan e të shohim se cilat ishin veprimet luftarake, sa humbje pësuan secila palë, si dhe sa u luftua, çfarë u tha nëpër deklarata zyrtare e reagime ndërkombëtare rreth kësaj ngjarje, kur përfundoi pushtimi zyrtarisht?
– Si raportohej e mendohej në Angli, SHBA, Francë, etj dhe për çfarë fliste shtypi i Boshtit Berlin-Romë. Duke parë këto materiale që sillen për herë të parë në shqip, bindesh edhe më shumë se shumë detaje mbeten akoma edhe sot e kësaj dite për t´u zbuluar në lidhje me atë ngjarje që në historiografinë shqiptare, me një konsensus të konsiderueshëm nga të gjitha palët politike, është cilësuar si “e premtja e zezë”.
Në terma të mirëfilltë historikë, 7 prilli përbën një pikë të fortë kthese për shqiptarët dhe fatet e tyre, duke pasur parasysh ato çka do të rezervonin kohët që do të vinin më pas për ta. Por mësojmë gjithashtu edhe se cilat ishin deklaratat publike të “patriotëve” shqiptarë – të cilat i citonin sipas synimeve që kishin marrë përsipër të përmbushnin edhe mediat e huaja dhe thirrjet e tyre brenda e jashtë vendit, për të pritur me armë apo me lule – sipas rastit – trupat italiane, shoqëruar me argumentet përkatëse.
Kështu, gjendet aty në shtypin francez edhe deklarata apo telegrami i famshëm dërguar Mussolinit nga Mehdi Frashëri, i cili ashtu sikurse shkruante dikur edhe Tajar Zavalani në “Histori e Shqipërisë” (shih: Tajar Zavalani, “Histori e Shqipnis”, Tiranë 1998, f.305.) u lexua përgjatë gjithë ditës së 7 prillit 1939, në disa gjuhë evropiane nga folës të ndryshëm.
Është interesant të thuhet se nga gazetat franceze na vijnë edhe reagimet që vinin nga qarqet e emigrantëve shqiptarë atje, ku në një moment përmendet edhe Qazim Koculi, një kundërshtar i njohur i Zogut dhe përkrahës i Nolit, i cili fillimisht e kishte kundërshtuar pushtimin italian e më pas ishte bërë njëri ndër themeluesit e Partisë Fashiste Shqiptare dhe idhtar i Italisë. Deklaratat e Koculit hasen në gazetën “L ´Humanite”, organ i Partisë Komuniste Franceze, asokohe një platformë mediatike tejet e lakuar, e cila me këtë rast shfaqet shumë agresive ndaj pushtimit italian dhe solidare me çështjen shqiptare, duke raportuar intensivisht nga terreni dhe duke analizuar e komentuar gjerësisht pasojat e këtyre zhvillimeve.
Po kështu, në krahun tjetër mësojmë edhe për thirrjen që bënte nga Bari një ish-prefekt shqiptar me mbiemrin Kodheli, cituar edhe nga shtypi gjermanik, i cili i bënte thirrje popullit shqiptar ta presë Italinë si mike, duke vënë në dukje abuzimet – sipas tij – që kishte bërë
Mbreti Zog e enturazhi i tij me paratë publike e ndihmat italiane. Një aspekt interesant është edhe sjellja e fqinjëve tanë veriorë, jugosllavëve, të cilët duket se për momentin i gëzoheshin faktit se nga gjithçka që kishte ndodhur, interesat e tyre mbeteshin të pacënuara, duke u shpërblyer nga Duçja për “mirëkuptimin” e treguar.
Gjithashtu mësojmë se në përkrahje të popullit shqiptar ishin zhvilluar demonstrata edhe në Marok, Liban e Siri, nga turma të irrituara muslimanësh të cilët, të kapluar nga ndjenja solidariteti religjoz, që nga ai moment e shpallnin Italinë si “Armiku Nr. 1 i Islamit”.
Një përzgjedhje materialesh interesante që vijnë për herë të parë në këtë numër, nga arkiva e gazetave të asaj kohe, nga Londra deri në Zelandën e re, nga SHBA deri në Francë dhe nga Italia deri në Austri e Gjermani, e madje edhe nga Luksemburgu, Spanja, Holanda e Argjentina, na i ilustrojnë më së miri disa nga këto pretendime.
Lordi Halifaks: Britania nuk e di akoma se çfarë duhet të thotë
Rrallë ka ndodhur që një ngjarje politike në Angli të shkaktojë në një ditë pushimi kaq aktivitet diplomatik siç ka shkaktuar veprimi i papritur ushtarak i Italisë në Shqipëri. Ministri i jashtëm, Lordi Halifaks, i cili deri në orët e vona të së enjtes ishte duke biseduar me ministrin e jashtëm polak, ishte qysh në orët e para të mëngjesit në Foreign Office. Ai zhvilloi bisedime me përfaqësuesit e jo më pak se tetë shteteve të ndryshme të botës. Qeverisë britanike deri më tani nuk i është bërë akoma e mundur të ketë një panoramë të qartë mbi atë se çfarë ka ndodhur këto 24 orët e fundit. Për këtë arsye, një deklaratë zyrtare akoma nuk është përpiluar për publikun. Në një citim gjysëmzyrtar thuhet se problemet teknike kanë vështirësuar lidhjen mes Ministrisë së Jashtme britanike dhe konsullatës së saj në Tiranë, për t´i mundësuar kësisoj qeverisë britanike të ketë një pikturë të qartë mbi situatën. Sqarohet përveç të tjerave se pritet përkohësisht dhe një deklaratë e qeverisë italiane për të bërë të qarta synimet e saj në lidhje me Shqipërinë në vazhdim, para se Britania të ndërmarrë një qëndrim zyrtar. Shtypi londinez i sotshëm është shumë më pak i tërhequr se sa qeveria. Ajo paralajmëron se dinamika e zhvillimeve politike ka sjellë kërcënim në rritje qysh nga marsi i vitit 1937, porse ishte bërë i pamundur degjenerimi i mëtejshëm i situatës falë marrëveshjes anglo-italiane. Tashmë Anglia – thuhet atje – është vënë para faktit të kryer, akt i cili nën këto rrethana ka mbetur pa përgjigje. Ndërkohë “Times” shkruante në një formë të qartë se tashmë ka ardhur koha që edhe Jugosllavia, Greqia dhe Turqia të përfshiheshin në koalicionin evropian, që duhej thirrur nga qeveria britanike. …Lëvizja e trupave italiane drejt Shqipërisë, i ka gjetur qarqet qeveritare londineze komplet të papërgatitura.
(Marrë nga “Wiener Neuste Zeitung”, 8 prill 1939, fq. 2)
Shtypi amerikan: Pushtimi i Shqipërisë, akt që meriton vëmendjen e duhur
Uashtington, 8 prill 1939
– Presidenti Roosevelt dhe Sekretari i Shtetit, Cordell Hull, denoncuan sot invazionin Italian mbi Shqipërinë duke e cilësuar si një kërcënim ndaj paqes botërore. Denoncimi publik u bë gjatë një deklarate zyrtare nga Sekretari Hull në një konferencë speciale shtypi pas bisedës që ai kishte bërë me Presidentin në “Warm Springs”, në shtetin e Xhorxhias. Ai tha se ai dhe Presidenti kishin rënë dakord mbi termat e deklaratës. Më poshtë deklarata e Sekretarit Hull: “Pushtimi i dhunshëm dhe me detyrim i Shqipërisë është pa asnjë justifikim një kërcënim tjetër që i bëhet paqes botërore. Do të ishte dritëshkurtësi, nëse nuk do t´i jepej vëmendje këtij akti e zhvillimeve të tij në vazhdim. Çdo kërcënim ndaj paqes botërore shqetëson seriozisht të gjitha kombet dhe dhunon dëshirën e të gjithë njerëzve në botë që qeveritë e tyre duhet t´i udhëheqin ata jo drejt luftës, por drejt rrugës së paqes. Është jashtëzakonisht e domosdoshme të shtojmë se efekti i paevitueshëm i këtij incidenti, bashkëngjitur akteve të tjera të ngjashme, është për më tepër shkatërrimi i besimit dhe minimit të stabilitetit ekonomik në çdo vend të botës, duke prekur kësisoj edhe mbarëvajtjen tonë në mënyrë direkte”.
(Marrë nga: The Whittier Neës, USA, 8 prill 1939, fq. 1)
Mehdi Frashëri / Telegram drejtuar Mussolinit nga ish-Kryeminstri i Shqipërisë
Dërguar nga Tirana, më 7 prill 1939- Z. Mehdi Frashëri, ish-President i Këshillit të Ministrave të Shqipërisë i ka drejtuar një telegram direkt Benito Musolinit. “Nga hiri i shpirtit të Gjergj Kastriot Skënderbeut, ne bëjmë thirrje për një sakrificë supreme. Ne do të preferonim më mirë vdekjen se sa çnderimin. Ne e dimë se ju posedoni një artileri të fuqishme; keni mitroloza, gaz asfikues, aeroplanë dhe gjithçka tjetër shkatërruese që sjell me vete një luftë. Ne kemi vetëm shpirtin e kurajës dhe të sakrificës për të rënë si martirë. Kanë kaluar pesë shekuj të mbushur me lumenj gjaku, duke ia nisur me barbarët aziatikë. E tashmë, në shekullin e njëzetë, ju në emër të popullit italian merrni përsipër të kryeni barbarizma nën etiketën e oksidentit? Unë do të dëshiroja t´ju kujtoja se kjo do të sjellë dëme të pariparueshme. Pranojeni pavarësinë e Shqipërisë ashtu siç është z. Mussolini, pasi ky paralajmërim është dëshira intime e popullit shqiptar. Përndryshe, armata fashiste do të kalojë jo vetëm mbi kufomat e burrave të këtij vendi, por edhe te grave të tij”.
(Marrë nga gazeta franceze, “Le Temps”, fq. 1, 9 prill 1939)
Arabët pas pushtimit: Italia, armiku ynë Nr. 1
14 prill, Cazablanka, Marok – Turma vendasish kanë demonstruar kundër Italisë dhe Gjermanisë për pushtimin e Shqipërisë, duke deklaruar se Italia ishte “armiku publik Nr. 1 i Islamit”. Demonstrata kundër pushtimit të Shqipërisë janë regjistruar edhe në qytetet kryesore të Sirisë e të Libanit, ku numri i tyre kap shifrën e tre mijë protestuesve.
(Marrë nga: The independent, UK, 15. prill 1939)
Kodheli nga Radio Bari: Zogu hajdut! Italianët kanë mision paqen!
Në një thirrje që një ish-prefekt shqiptar, Kodheli i ka bërë të premten nëpërmjet Radio Barit bashkëatdhetarëve të vet, thuhej ndër të tjera se: ngjarjet aktuale janë rrjedhojë e një politike shkatërrimtare dhe të padrejtë të Mbretit Zog. Prej kohësh populli shqiptar shpresonte – për arsye të mbështetjes morale dhe materiale të Italisë – e cila ka investuar shuma të mëdha në Shqipëri – që të vinin ditë më të mira. Por këto para në vend që të shërbenin për zhvillimin e vendit, shkuan për të mbushur vetëm xhepat e disa pak vetëve, me në krye Zogun. Jeta e tij ishte një jetë luksi dhe po kështu edhe ajo e të gjithë princave e princeshave të të gjithë oborrit. Arka e shtetit dhe ajo private e Zogut u bënë njësh. Shpenzimet e tij nuk njihnin më as kufij e as masë. Mjafton të kujtojmë milionat që janë hedhur lumë për diamantët dhe gurët e çmuar të princeshave për udhëtimet e tyre jashtë vendit, ndërsa populli vuante urie. Edhe paratë e dhuruara nga të huajt për ndihma për të varfërit, përfundonin në xhepat e Mbretit. Shqiptarë! – kështu përfundonte apeli në fjalë – Ju do ta shihni se Mussolini si një mik i vërtetë i popullit shqiptar, do të krijojë një Shqipëri të bashkuar, të pavarur dhe që do të jetë ndër shekuj e fortë. Trupat italiane që kanë zbarkuar në Shqipëri kanë mision: të sjellin rregullin, paqen dhe drejtësinë, të cilat regjimi i Zogut i shkatërroi.
(Marrë nga “Wiener Neuste Zeitung”, 8 prill 1939, fq.1)
Korrespondentët britanikë: Sa u vranë më 7 prill?
Një korrespondent i “The Times” nga Londra, ricituar më pas nga thuajse shumica e gazetave të Komunuellthit Britanik, nga Kanadaja në Australi, shkruante fillimisht më 8 prill 1939, duke iu referuar zhvillimeve të fundit mbushur me konfuzion informativ, se Mbreti Zog, i veshur në kostum kombëtar po drejtonte ushtrinë e tij drejt betejës dhe se i gjithë vendi i ishte përgjigjur me entuziazëm thirrjes për armë. Burra e gra kanë marrë malet duke sulmuar italianët që po futen më thellë duke iu afruar Tiranës. Luftëtarët vendas të famshëm historikisht e të njohur si “bijtë e shqipeve” i kanë lëshuar terren pushtuesve, ndërsa kanë krijuar humbje të konsiderueshme për ta. Qeveria shqiptare ka raportuar të premten se trupat e saj, të ndihmuar nga vullnetarët, i kanë detyruar katër herë trupat italiane të zmbrapsen në Durrës. Disa mesazhe të marra nga Tirana thonë se forcat e para italiane që kishin zbarkuar në Vlorë dhe në Sarandë janë detyruar gjithashtu të tërhiqen, porse disa pohime të mëvonshme thonë se rezistenca shqiptare është tejkaluar tashmë dhe se falangat fashiste po marshojnë drejt thellësisë së territorit. Burimet italiane theksojnë se humbjet në radhët e shqiptarëve nga e premtja natën kapin shifrën e 140 vetëve dhe qindra të plagosurve dhe se ato të italianëve janë 25 të vrarë e 60 të plagosur. Ndërsa korrespondenti i “British United Press” nga Shkodra, citohej të thoshte se gjatë tentativës së tyre të parë të zbarkimit në Durrës, trupat italiane kishin lënë pas 30 të vrarë dhe se ata që kishin mbetur ia kishin kthyer barkave. Gjithashtu ai përshkruan se si në Tiranë forcat e armatosura shqiptare kishin qëlluar me batare të forta nga kodrat rreth qytetit, ndërsa italianët u ishin përgjigjur me granadime e bomba, të ndihmuar edhe nga aeroplanë të lehtë e mitraloza.
Washington Times: Populli i bashkuar rreth Mbretit!
Gazeta amerikane “The Washingtion Times”, e datë 9 prill shkruante se: Mbreti Zog i ka dërguar një mesazh të gjithë diplomatëve shqiptarë jashtë vendit, duke përfshirë edhe Uashingtonin, ku thotë se populli shqiptar do të mbrojë Shqipërinë me të gjitha forcat. Ai i bëri thirrje popullit të mbajë lart dashurinë për atdheun dhe e mbyllte thirrjen e tij me fjalët: Rroftë Shqipëria”. Kryeministri K.Kotta, gjithashtu me anë të një transmetimi radiofonik për popullin në mbrëmjen e së premtes, në të cilën ai e përshkroi invazionin Italian si “barbar”. Ai kërkoi pushimin e armiqësive dhe tha se “populli është i bashkuar rreth Mbretit Zog në këtë moment të vështirë”.
Ambasadori shqiptar në Romë braktis detyrën
Me kërkesë të autoriteteve, në mënyrë që të shmangnin demonstratat, anëtarët e Legatës Shqiptare në Romë, e hoqën flamurin nga ndërtesa e konsullatës. Vendndodhja e ambasadorit Serreqi dhe ndihmësve të tij, për momentin është e panjohur. Legata mësohet se është rrethuar e ruhet me trupa policore. Një komunikatë e mëvonshme, bënte me dije se z. Serreqi, ka dhënë dorëheqjen qysh të mërkurën nga posti që mbante me argumentimin se ishte e pamundur të vijonte punën e vet, duke i shërbyer një regjimi, i cili po i shërbente hapur dhunimit të Paktit Italo-Shqiptar dhe se kishte vendosur kësisoj të luftonte për interesat e popullit të tij.
(Marrë nga: The Examiner, Australi, 10 Prill, 1939, fq.7)
L´Humanite, 9 prill ´39: Solidaritet me popullin shqiptar
Takimi i liderëve komunistë të rajonit të Grenoble, në Francë, ku i shprehet simpatia popullit shqiptar për luftën e tij kundër pushtimit italian bëhet objekt i organit zyrtar të PKF. Aty përmendet kreu i komunitetit shqiptar atje, Qazim Koculi, i cili njihej gjerësisht si kundërshtar i Zogut që nga koha e Nolit, e që mban edhe një fjalim të zjarrtë duke siguruar se të gjithë emigrantët shqiptarë atje, punëtorë, studentë etj, janë të bashkuar për t´i ardhur në ndihmë atdheut të tyre. Ndër të tjera ai thotë në deklaratën e tij se populli shqiptar lufton për pavarësinë e vendit të vet dhe sigurinë në Ballkan, duke kërkuar në vijim edhe ndihmën e Francës. Më poshtë artikulli i “L´Humanite” rrëfen se është zhvilluar një miting spontan, me emigrantë shqiptarë e italianë para konsullatës italiane atje, si shprehje e solidaritetit të njerëzve të lirë kundër fashizmit gjakatar. Komuniteti italian i Grenoble, thuhet aty, është plotësisht i solidarizuar në ndjenjat e tij kundër agresionit.
Beogradi: Për ne çdo gjë ok, përderisa nuk cënohen interesat tona
Gazetat jugosllave, ndërkohë duket se u kishin kushtuar faqe të tëra ngjarjeve në Shqipëri. Në dukje ata po përpiqeshin të qetësonin çdo lloj frike të opinionit publik për objektiva të ardhshëm më të avancuara të planeve italiane, siç na dëshmon edhe ky paragraf: Beograd, 8 prill 1939 – I Dërguari me Punë e Italisë në Beograd, Indelli, në emër të Duçes i ka përcjellë një falenderim të veçantë qeverisë së Jugosllavisë për qëndrimin e saj miqësor në çështjen shqiptare. Në të njejtën kohë merret vesh në rrethet e ngushta politike të Beogradit se Duçja i ka dërguar edhe një telegram të veçantë kreut të qeverisë jugosllave, për përmbajtjen e të cilit akoma nuk bëhet i ditur ndonjë detaj. Gjithashtu mësohet për gazetën gjysëmzyrtare “Giornale D´Italia” se ambasadori jugosllav në Romë ka deklaruar se lajmet sipas të cilave qeveria jugosllave ka ndërmarrë masa të veçanta sigurie pas ngjarjeve në Shqipëri, janë të pavërteta dhe se qeveria jugosllave, ashtu sikurse dhe më parë do të vijojë të ketë marrëdhënie shumë të mira. Aty theksohen moscënimi i interesave jugosllave nga qeveria italiane dhe gjithashtu respektimi i paktit italo-jugosllav.
(Marrë nga: Volksdeutsche Zeitung, 9 prill 1939, fq.1.)
La Stampa: Shqipëria u pushtua me 16 prill
Kur u konsiderua i përfunduar Pushtimi? Duke cituar së pari titullin e një artikulli relativsht të gjatë në të përditshmen italiane “La Stampa”, shkruar nga Giovani Artieri (shih: L´Occupazione dell´Albania sara compeltata oggi”, La Stampa, 16 prill 1939, fq.5) kupton menjëherë se pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste u bë fakt i kryer dhe i plotë në terma të mirëfilltë ushtarakë, më datë 16 prill 1939. Në fillim të artikullit shkruhej: “Me marshimin drejt Burrelit, që nesër do të prekë repartet e bersalierëve dhe të granadierëve të shoqëruar nga një mori mjetesh të motorizuara të mbështetur nga shërbimi aviator, pushtimi i të gjitha qendrave shqiptare me këtë hap konsiderohet i përfunduar”.