Matja dhe faturimi i faturës së energjisë në kohë reale do të rrisë transparencën ndaj abonentit. OSHEE prezantoi pajisjen PDA, që do të lexojë dhe trasmetojë në kohë reale në server të dhënat për çdo abonent.
Pasi dërgohen të dhënat ato procesohen e më pas gjenerohet fatura për klientin e cila printohet në moment. Drejtori Rajonal për Tiranën Klevis Jahaj u shprehu se ky projekt pilot është testuar në Tiranë, Durrës dhe Fier dhe më pas do të zbatohet në të gjithë vendin.
Kësaj pajisje shumë shpejtë do t’i bashkohet edhe një tjetër, e cila përmes bluetooth-it do të lexojë direkt të dhënat në matësin elektronik për t’i përcjellë në server. Në këtë mënyrë, gabimi njerëzor në hedhjen e të dhënave do të jetë zero. Aktualisht janë trajnuar 850 lexues dhe PDA-të e reja janë shpërndarë në të gjithë vendin.