Në orët e mbrëmjes së ditës së dielë, gjyqtari Artan Gjermeni iu drejtua Spitalit të QSUT-së për të mjekuar disa plagë, të cilat ai thoshte se i kishte marrë incidentalisht, për shkak të një llamarine, në garazhin e tij.
Por sipas hetimeve të deritanishme nga ana e efektivëve të policisë, rezulton se në garazhin e gjyqtarit të Gjykatës së Tiranës, nuk janë konstatuar njolla gjaku apo objekti metalik i tipit llamarinë, me të cilin Gjermeni pretendon të jetë çarë aksidentalisht.
Ndërsa disa banorë të pallatit dhe një polic privat u shprehën se aty nuk ka llamarina dhe se nuk i kishin parë asnjërën nga makinat e Gjermenit të kalonin aty përgjatë dy orëve të fundit, që korrespondojnë me ngjarjen te rruga “Bardhyl”, raporton Panorama.al.
Mbrëmjen e djeshme Policia e Tiranës shoqëroi edhe 4 persona të dyshuar si të përfshirë në konfliktin me armë. E vetëm pak minuta pas të shtënave, rezultoi të ishte paraqitur për ndihmë mjekësore gjyqtari Gjermeni.
Artan Gjermeni prej 10 vjetësh është gjyqtar në Gjykatën e Tiranës. Ai ka mbajtur pozicionin e anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe është një prej gjyqtarëve që vazhdimisht ka prodhuar lajm. Madje në CV-në e tij profesionale është edhe dhënia e pafajësisë ndaj ish-guvernatorit Fullani. Vendim që mbeti i pandryshuar më pas edhe nga Gjykata e Apelit.