Ben Blushi, deputeti i larguar nga PS, ka zbuluar prapaskenat e negociatave të muajit gusht, kur qeveria rrezikohej nga një mocion mosbesimi. I ftuar në emisionin “Opinion”, Blushi tregoi se çfarë u kërkoi njerëzve që kishte dërguar kryeministri për votën e tij.
Ai u shpreh se në muajin nëntor do të zyrtarizojë partinë e re, e cila do të mbrojë, sipas tij, shtresën e mesme.
Nga Shqipëria nuk kanë ikur vetëm të varfër, por dhe mjekë, edhe inxhinierë, edhe njerëz të shkolluar? Sa janë këta?!
Njerëzit po ikin nga varfëria dhe nuk ka vend në Europë që ka tendencë të tillë emigratore më të lartë se ne.
Ju keni pasur kritika ndaj kryeministrit që në 2013-n. Ia keni thënë kryeministrit këto?
Një parti e cila nuk bën zgjedhje dhe nuk mbledh asnjë forum të saj, ti nuk ke ku t’i thuash këto gjëra.
Keni pasur ju me zotin Rama për të riformatuar marrëdhëniet tuaja, para se të shpallnit largimin tuaj nga Rilindja?
Në këta 2-3 vjet jemi takuar shumë pak.
Underground, a keni pasur ju shkëmbime me zotin Rama, a i keni çuar njerëz?
E kundërta është e vërtetë. Unë s’kam çuar asnjë mesazh dhe nuk kam pasur asnjë interes.
Zonja Hafizi ka thënë se ju kanë ofruar postin e ministrit, kur maxhoranca po humbte votat. Është e vërtetë?
Unë nuk e kam zakon të flas për çështje private që nuk kanë karakter publik, megjithatë diçka mund ta them. Kjo qeveri humbi shumicën në korrik, në vigjilje të Reformës në Drejtësi. Sepse ishte një krizë e dukshme mes Rilindjes dhe LSI-së. Për gati një javë qeveria pothuajse ra sepse nuk kishte numra. Ishin rreth 63-64 mandate që e mbështesnin, në atë ngushtësi numrash, sigurisht që pati njerëz që erdhën për të kërkuar vota, sepse nuk ishin të sigurt se çfarë do të bëja unë dhe zonja Hafizi. Na kërkuan se çfarë do të bënim nëse do të kishte një mocion, siç pritej nga Saliu dhe Ilir Meta bashkë. Kjo është e vërtetë. I kemi thënë vetëm një gjë, ka vetëm një rrugë: Të ktheni zgjedhjet në Partinë socialiste dhe të korrektoni mënyrën e qeverisjes. Pra, ktheni zgjedhjet që i zhdukët në PS dhe të korrektoni qeverisjen, që do të thotë të ndryshojë rrugë, të bëjë disa reforma për të varfrit, të rritet shkalla e sensit social, të rrisë pagat dhe pensionet, ulje të çmimit të energjisë dhe rritje të asistencës sociale.
A pati një konflikt mes Ramës dhe Metës në ato momente?
Unë kam përshtypjen se bashkëjetesa e tyre pothuaj është prishur, është formale.
Si është kjo qeverisje në raport me qeverisjen paraardhëse?
Në metodë, nuk besoj se ka ndryshim, qeveria Berisha pati ngarkesa që kjo qeveri për fat nuk i ka pasur akoma, si Gërdeci apo 21 janari, por si metodë për të rënduar të gjithë barrën fiskale mbi të varfrit dhe për të ndihmuar të pasurit është e njëjta metodë, po qeverisim si Saliu pa Saliun.
A është përfundimtar largimi juaj nga Partia Socialiste?
Nuk ka kthim prapa, unë nuk kam ikur as me qejf, as duke qeshur. Unë kam që në 1997-n që jam pjesë e PS-së dhe nuk e mendoja që do ikja një ditë prej saj. Zgjedhja ime ka qenë e vështirë, por është përfundimtare dhe e detyrueshme. Unë nuk mund të bashkëjetoj me një parti që nuk bën zgjedhje.
Do të krijoni një parti të re politike?
Nëse ka vullnet dhe gjej miq e shokë që mund të ndaj të njëjtat mendime, pse jo, dhe po punoj për këtë. Jam i vendosur bashkë me zonjën Hafizi, që e kam për nder që e kam kolege dhe bashkëpunëtore në këtë projekt, kemi testuar opinionin publik.
Kur mund të marrë formë?
Do të marrë formë shumë shpejt, brenda një muaji. Brenda muajit nëntor do të përpiqemi të shpallim një projekt të ri politik, i cili do të duhet të jetë një platformë lirie i njerëzve të zakonshëm. Nuk do të krijoj një parti private, ato janë në Shqipëri. Partitë e mëdha po kthehen në biznes privat. Për një të tillë mund të rrija në PS. E kam refuzuar këtë që në vitin 2008-2009 që të jem ortak pas Edi Ramës në një parti që po kthehej në biznes privat.
Çmendim ka Ben Blushi për LSI-në dhe a do të ishte i gatshëm të bashkëpunonte me të në zgjedhje?
Ky do të jetë një projekt i shumë vullneteve dhe janë totalisht të parakohshme të them se me kë mund të jemi apo kundër kujt do të jemi. Unë i përjashtoj të gjithë dhe nuk përjashtoj askënd. Nuk do të jetë një parti e imja, por e shumë njerëzve, të cilët do të bëjnë kontrast me partitë ekzistuese apo LSI-në, nga mënyra se si sillen me njëri-tjetrin.
Si do t’i zgjidhni ju kandidatët për deputet?
Me votim të lirë. Me votim online të lirë. Unë po flas për teknologjinë, jo për parimet. Unë po flas për parimin demokratik që është barazia e anëtarëve, kushdo qofshin ata. Dhe do të ketë zgjedhje me votim për të gjithë, qofshim dhe dy veta apo 2 mijë veta, apo 20 mijë veta për të zgjedhur ata që do ta drejtojnë apo për të marrë vendime strategjike.
Do jenë emra të njohur anëtarët apo ish-politikanë?
Çdo djalë i varfër sot në fshat, çdo mësues, çdo i papunë, nuk ka nevojë të jetë i pasur… Sepse në Parlamentin e Shqipërisë po nuk qe i pasur, nuk hyn. Çfarë vendi është ky që demokracia përfaqësohet vetëm nga ata që kanë para? Nëse kjo punë vazhdon dhe në Parlament e administratë shkojnë vetëm ata që kanë para dhe pastaj ata që kanë para bëjnë para e i trashëgojnë te fëmijët e tyre, kjo do të thotë që kjo demokraci nuk përfaqësohet kurrë, sepse të varfrit mbeten jashtë sistemit dhe vendi do shkojë në kolaps e në konflikt.
Si do ta gjesh ti këtë njeri të varfër, apo mësuesit për kandidatë?
Unë dhe miqtë e mi kemi 2 muaj që punojmë për këtë projekt dhe jo vetëm do dalim në gjithë Shqipërinë për të takuar njerëz normalë, por i ftoj që ta përdorin këtë projekt si platformë lirie për të ushtruar ambiciet e tyre. Të vijë kush të dojë. Do votohen me njëri-tjetrin online. Nëse ky projekt do të ketë 5 mijë anëtarë, të 5 mijtë do votojnë për të zgjedhur kandidatin në Dibër apo Tepelenë, apo Sarandë, apo Tiranë. Nuk do t’i zgjedh unë apo ti, apo kushdo që do ta drejtojë partinë. Kjo nuk funksionon më. Një kusht kemi ne, të mos kenë probleme me ligjin.
Prej sa vetash është grupimi i nismës suaj?
Është një grup prej disa qindra vetash kryesisht në bashkitë e mëdha. Janë të rinjtë dhe burra të të gjitha moshave. Ka dhe profesionistë të lirë. Një nga ambiciet tona është mbrojtja e shtresës së mesme. Kushdo që e konsideron veten shtresë e mesme, mjek, infermier, inxhinier, agronom, mësues, biznes i vogël, mund të gjejë strehë në projektin tonë. Se përveç të varfërve, shtresa më jetime nga PD dhe nga Rilindja është shtresa e mesme. Kur shtresa e mesme pakësohet dhe varfërohet siç po ndodh në Shqipëri, vendi shkon në përplasje. Shtresa e mesme është si jastëk që garanton të pasurit që nuk do varfërohen, dhe nëse humbin biznesin, u jep shpresë të varfërve që nuk do jenë shtresë e varfër.
Panorama/d.i.










