Ky është një rrëfim interesant i albanologut të njohur, Robert Elsie, për vështirësitë e punës së tij në funksion të gjuhës shqipe.
Intervista është dhënë për emisionin “Shqip” të Rudina Xhungës, 5 vite më parë.
Elsie, që ndërroi jetë një ditë më parë, arrinte në një konkluzion trishtues.
Ai thoshte se nuk do jetonte kurrë në Shqipëri, pasi aty do çmendej.
“Unë nuk mund të jetoj këtu. Është një vend pak i egër për mua, marrëdhëniet midis njerëzve janë pak të egër.
E di që është vetëm një fasadë se brenda e kanë shpirtin e mirë, por kanë një egërsi në marrëdhëniet njerëzore.
Ju dini të mbroheni këtu, ndërsa unë këtu jam si lepur, nuk di të mbrohem.
Unë vij këtu me shumë kënaqësi, por nuk besoj se mund ta përballoj të vij të jetoj përgjithmonë këtu.
Ka shumë frustracion të jetës së përditshme.
Jeta është shumë e shkurtër e unë nuk kam kohë te përplasem në pengesa, vetëm për të arritur diçka, kur në një vend tjetër e arrij menjëherë dhe pastaj jetoj jetën time,” tha Elsie për Shqip.
E ndërsa duke krahasuar Shqipërinë e Enver Hoxhës me atë të sotmen, shton:
“Nuk është diçka që varet vetëm nga partia, është më tepër qëndrimi i popullit. Pra, që të marrësh diçka që do, duhet të njohësh dikë në Ministri, të pish kafe me të, pastaj të pish prapë kafe javën tjetër me të, edhe një herë të tretë, e më pas ai të lidh më personin që ty të intereson. D.m.th është njësoj si në kohën osmane, nuk është si një shtet normal.”
Së pari flasim për albanologjinë. Çfarë do të thotë të jesh albanolog?
Çdo njeri ka interpretimin e vetë për albanologjinë por për mua, thelbi i punës sime është të prezantoj shqiptarët, t’i prezantoj Shqipërinë, botën shqiptare, gjithë botës. Unë përpiqem t’i transmetoj botës së jashtme njohuritë që kam për këtë vend, që kjo botë të kuptojë se ç’është Shqipëria, kush janë shqiptarët, historia e tyre, kultura e tyre, pra fazat e ndryshme të jetës këtu. Dhe këtë e bëj që të bëhet e njohur pasi në fund Shqipëria mbetet një vend shumë i panjohur.
Po të jesh përkthyes, çfarë do të thotë?
Të jesh përkthyes do të thotë punë, punë, punë. Është punë shumë e vështirë.
Dhe anonime?
Pjesërisht po, pasi është autori ai që bëhet i njohur kurse përkthyesi jo. Thonë që është një punë kot sepse mundohesh për diçka dhe nuk fiton asgjë por unë them që është edhe kënaqësi. Për mua është kënaqësi.
Ku është kënaqësia, për shembull?
Ndjej kënaqësi kur arrij ta përkthej në mënyrë të duhur. Është si një llogaritje matematikore. Kur del shuma përfundimtare dhe nuk ke bërë asnjë gabim gjatë rrugës, kënaqesh. Kështu është edhe përkthimi. E shikon një faqe, dhe fillon bën vlerësimin, kjo frazë shkon mirë, kjo duhet ndryshuar etj. e vazhdoj dhe e ripërpunoj derisa në fund të del diçka e përkryer dhe vetë ndjehesh i kënaqur.
Cila është marrëdhënia juaj me shqipen, ditët e para, takimi juaj i parë me gjuhën tonë. Çfarë ndodhi? Si e njohët këtë gjuhë që sot ju bën të bëni libra kaq të mëdhenj?
Mbase është histori e gjatë, por e rastësishme. Mbarova studimet në Gjermani, në Universitetin e Bonit. S’kisha lidhje me gjuhën shqipe pasi atje studiova gjuhësinë krahasuese dhe gjuhën kelte, pra gjuhën e Irlandës, Uellsit, Skocisë dhe kur mbarova studimet profesori im, gjuhëtar, mori një ftesë nga Akademia e Shkencave për të vizituar Shqipërinë pasi ai vetë kishte studiuar në Vjenë me një shqiptar, konkretisht me Aleks Budën. Aleks Buda e ftoi profesorin tim në Shqipëri. Në atë kohë Shqipëria ishte një vend i mbyllur, i panjohur dhe ftesa nuk ishte vetëm për të, por edhe për studentët e tij. Dhe kështu, jemi nisur për në Shqipëri një grup prej 20 studentësh në vitin 1978. Ishte një gjë e rrallë për ne të hynim në Shqipëri pasi Shqipëria në atë kohë ishte si Koreja e Veriut sot, d.m.th zor të depërtoje.
Si që të hyje në këtë vend në ’78?
Për mua ishte shumë interesante. Madje kam qeshur me vete se më dukej vetja sikur isha në një film Hollivudian dhe nuk e mora shumë seriozisht anën politike, as tabelat, propagandat.
Ju mendonit se po bëhej shaka, nuk ju dukej e vërtetë?
Jo por thjesht nuk e mora seriozisht, më tepër me ngjante si film. Por ishte shume interesante.
Ju kujtohet diçka që ju ngacmoi atëherë apo diçka që ju çuditi?
Kishte shumë gjëra, ishte një vend absurd, gjithë vendi ishte absurd por njerëzit e merrnin seriozisht. Nuk e di se deri në çfarë mase i merrnin seriozisht vetë njerëzit por gjithsesi e kuptonin që jetonin në një realitet tjetër.
Ju qëllonte që të takonit shqiptarë që midis tyre flisnin për këtë gjë?
Jo haptazi, jo. Më vonë ky takim që nisi në 1978 u bë takim i përvitshëm midis Universitetit të Bonit dhe Akademisë së Shkencave dhe vinim çdo vit në Shqipëri për 2 javë. Gjatë takimeve dhe udhëtimeve, fillova të interesohesha për shqipen. Nuk e dija fare gjuhën vec fillova, në atë kohë, madje edhe në Gjermani, fillova të mësoja gjuhën më seriozisht.
Ku e mësonit shqipen në Gjermani?
Ishte e vështirë pasi nuk kishte fjalor, kishte doracakë, libra mësimorë. Mbaj mend që gjeta një fjalor frëngjisht-shqip dhe nga ana tjetër shqip-gjermanisht, ndërsa në anglisht nuk kishte fare. E vështirë ishte.
Kur thatë me vete që tani e di shumë mirë shqipen?
Pas shumë viteve. Ndërkohë shkoja çdo vit në Prishtinë në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën Shqipe për të mësuar gjuhën. Aty ishte, nga njëra anë më kollaj sepse mund të bisedoja lirisht me njerëzit pasi kosovarët flisnin më lirisht.
Sa e ndryshme ishte Kosova e atyre viteve me Shqipërinë?
Shumë, shumë.
Ju ku ndiheshit më mirë?
Në Kosovë, pasi ishte më perëndimore, më normale. Në Shqipëri nuk kisha mundësi të flisja lirisht me njerëzit. Unë flisja me zyrtarët, të cilët ishin shumë të dashur, mikpritës por prapë ishte një farë frike, që të pengonte të flisje lirisht.
Po tani flitet lirisht në Shqipëri?
Po, qartë. Tani nuk ka problem, njerëzit flasin, madje nuk pushojnë së foluri fare. I thonë të gjitha, nuk mbajnë sekrete.
Shqipëria e Hoxhës krahasuar me Shqipërinë e sotme, çfarë kanë të ngjashme dhe çfarë kanë të ndryshme?
Unë mendoj se ka disa gjëra të kontinuitetit që nuk kanë ndryshuar, që janë të çuditshme jo vetëm nga koha e Hoxhës, por edhe nga koha e Zogut, gjëra që vijnë nga koha Osmane, ajo e Zogut, e Hoxhës e deri te e sotshmja. Një nga këto gjëra është korrupsioni burokratik. Kjo është një nga gjërat që gjithmonë ka qenë kështu. Tjetra është paaftësia e administrative, e vendit. Nuk është diçka që varet vetëm nga partia, është më tepër qëndrimi i popullit. Pra, që të marrësh diçka që do, duhet të njohësh dikë në Ministri, të pish kafe me të, pastaj të pish prapë kafe javën tjetër me të, edhe një herë të tretë, e më pas ai të lidh më personin që ty të intereson. D.m.th është njësoj si në kohën osmane, nuk është si një shtet normal.
Edhe tani që flasim kështu është si në kohën osmane?
Po, po.
Po në Kosovë, është e ngjashme kjo gjë?
Nuk di, nuk kam patur këto probleme në Kosovë. Natyrisht që Kosova e para 20 viteve është e ndryshme nga Kosova sot por mua më duket se njerëzit janë njësoj, shqiptarët aty apo këtu, me pak ndryshime, në thelb njësoj janë.
Po për të kuptuar gjuhën që flitet në Tiranë dhe gjuhën që flitet në Prishtinë, keni probleme apo është njësoj?
Po, këtë doja të thoja. Unë shkoja në atë seminar të gjuhës shqipe në Prishtinë për të mësuar, pasi aty flisja lirisht, por ata flisnin diçka që për mua nuk ishte shqip. Për një student që mëson gjuhën letrare, që përpiqet të zbulojë të gjithë lakimet e gjuhës, dhe del në rrugë e ballafaqohet me një gjuhë tjetër, është shumë e vështirë dhe unë nuk kuptoja asgjë. Ky ishte një problem shumë i madh dhe më pengonte shumë të mësoja gjuhën sepse nuk i kuptoja njerëzit fare. Kjo ishte në fillim sepse tani i kuptoj madje i kuptoj edhe arbëreshët tani.
Edhe arbëreshët i kuptoni?
Po, tani po, por mbaj mend në Prishtinë, kur isha student, kisha dhomë studenti të cilën e ndaja me një arbëresh nga Kalabria. Nuk e kuptoja fare- fare se çfarë thonte. Ai ishte me mendimin që fliste shqip dhe unë e dëgjoja me vëmendje por nuk e di nëse fliste italisht apo shqip.
Besoj, ju i keni takuar tani arbëreshët, arvanitasit, shqiptarët e Ukrainës, shqiptarët e Bullgarisë, shqiptarët kudo janë. Pra, keni takuar shqipen kudo është. Ka akoma të përbashkëta apo secili flet shqipen e vet?
Është një gjuhë e përbashkët që kuptohet por ka elemente vendore që ndryshojnë dhe shyqyr që janë sepse kjo është pasuria e gjuhës, janë ndryshime. Unë gëzohem shumë për dialektet e shqipes. Kam një projekt në internet me incizime të shqipes dhe çdo herë që udhëtoj, që shkoj nëpër fshatra të ndryshme, marr një mikrofon me vete, si gazetar siç jeni ju, dhe incizoj, kryesisht çobenjtë sepse ato flasin një gjuhë të pastër kudo që janë. Më interesojnë shumë ndryshimet gjuhësore midis vendeve dhe për mua kjo është pasuria më e madhe e gjuhës.
Nga vendet e ndryshme ku keni incizuar gjuhën shqipe, ku mendoni se është ruajtur më mirë gjuha shqipe, ku flitet më pastër? Personalisht më kanë bërë përshtypje shqiptarët e Ukrainës të cilët flisnin një shqipe të përkryer.
Po, e kam dëgjuar intervistën tuaj që keni bërë në Karakurt të Odesës në Ukrainë. E kam dëgjuar me shumë vëmendje dhe ishte shumë e bukur. Më pëlqeu shumë kur njëri tha “Cari i Rusisë na dha baltë” pra tokë. Përsa i përket pyetjes suaj, mua më intereson shqipja kudo është. Në veri habitem për pasurinë e gjuhës, për dialektet e ndryshme, forma që dallohen shumë nga standardja. Edhe Greqia është shumë interesante, arvanitasit e Shqipërisë së mesme flasin atje një gjuhë shumë të bukur e të vjetër, më duket se dialekti më i vjetër i shqipes është në jug fare, atje nga Peloponezi, Evia, Andros por është një gjuhë që po vdes. Shumica e folësve më të mirë janë mbi moshën 80 vjeçare dhe ata flasin por nuk kanë me kë të flasin. Zbulova një grua në ishullin Andros, një plakë që fliste shqip. Në fillim ngecte sepse nuk kishte me kë të fliste por kur filloi të fliste, e fliste shumë mirë e bukur shqipen. Por ishte e vetmuar sepse nuk kishte me kë të fliste shqip.
Ç’lloj emocioni keni kur takoni njerëz të tillë që janë diku dhe flasin një shqipe që po shuhet?
Bukur është por më trishton që kjo gjuhë po zhduket aty dhe nuk bëhet asgjë për ta ruajtur. Dhe jo vetëm aty, ka edhe zona të tjera ku shqipja dhe dialektet po zhduken.
Çfarë gjuhe është kjo shqipja jonë profesor?
Një gjuhë shumë e përzier. Ka elemente shumë të vjetra por ka shumë ndikim nga gjuhët e tjera. Ka shumë ndikim nga latinishtja, sllavishtja, turqishtja, pak nga greqishtja, pak nga italishtja. Pra, është një lëmsh. Për të punuar në fushën e gjuhësisë historike krahasimtare, shqipja është një tmerr sepse nuk zbulohen dot shtresat e ndryshme të shqipes pasi janë si një lëmsh. Shumë interesante.
Por kur fillon lëmshi dhe ti e kap fillin, është mirë besoj.
Nëse kapet.
Ju e keni kapur fillin e këtij lëmshit tonë?
Jo, fare. As në fushën e gjuhës e as në fushën e kulturës në përgjithësi. Prapë një lëmsh.
Si ishte të takoje Fishtën, profesor?
T’ju them të drejtën ishte një punë shumë e vështirë. Gjuha e tij është e vështirë pasi unë nuk isha mësuar me dialektin e tij dhe kur fillova gjeta shumë vështirësi pasi çdo fjalë më është dashur ta kërkoj në fjalor por në fund, u habita, pasi doli një punë shumë e mirë. Tani u bënë 4-5 vjet që e kam përkthyer dhe kur e lexoj edhe sot Lahutën e Malcisë në anglisht më pëlqen shumë. e di që është një përkthim me cilësi të lartë.
Ju ndodh ndonjëherë të dëgjoni një njeri që reciton Fishtën dhe ndiheni mirë për punën e madhe që keni bërë për një vepër të madhe?
Po, po, dhe jam shumë krenar për përkthimin që kam bërë me Fishtën. Më duket se nga të gjithë librat është një nga librat më themelor të të gjitha botimeve të mia. Ishte një mundim, t’ju them të drejtën, pasi më është dashur një vit e gjysëm për të përkthyer 17 mijë vargje dhe kam luftuar me çdo varg.
Do t’i rekomandonit shqiptarëve që ende nuk e kanë lexuar pse duhet ta lexojnë Fishtën?
Për mua është një vepër shumë interesante, nëse e kuptojnë gjuhën. Tani nuk e di, ndoshta të rinjtë që nuk e dinë gegnishten do e kenë të vështirë për ta kuptuar, është njësoj si tek ne kur lexojnë Shekspirin dhe nxënësit e kanë të vështirë pasi nuk e kuptojnë gjuhën, por prapë them se duhet ta lexojnë. Ndoshta mund të lexojnë edhe përkthimin tim në anglisht. (qesh)
Megjithatë Lahuta e Fishtes erdhi vonë në letërsinë tonë…
T’ju tregoj diçka. Kur udhëtoja me avion, në fillim të viteve ’90, në atë kohë, normalisht nuk kishte shumë udhëtarë që lëviznin drejt Shqipërisë dhe dikush prapa meje tha “A ka ndonjë ndryshim orari?” dhe një person tjetër prapa tij tha “Po, po, 150 vjet prapa”.
Ky është ndryshimi i orarit të këtij vendi i cili gjërat i ka bërë me vonesë përfshirë edhe Lahutën e Malcisë, përfshirë edhe Pavarësimin, përfshirë edhe komunizmin, përfshirë edhe rrëzimin e tij, edhe tranzicionin.
Dhe hyrjen e Evropë.
Po vonon ende apo jo?
Po, po, por është diçka që bëhet. Unë kam përshtypje se shqiptarët janë të ngadalshëm nga njëra anë, por janë shumë të shpejtë në anën tjetër. Kam qeshur një herë kur dikush më tha “Ne jemi më të shpejtë se bullgarët. Bullgarët janë të ngadalshëm ndërsa ne Shqipërinë e ndërtojmë 5 herë në një kohë që bullgarët e ndërtojnë një herë Bullgarinë, por është e vërtetë edhe që e rrëzojmë 5 herë më shpejtë”.
Po shqipja e Migjenit, si ishte profesor?
Gjuhë e bukur dhe nuk ishte kaq e vështirë sa Fishta për t’u përkthyer. Kisha fat që ekzistonin edhe përkthime të tjera me të cilat mund të bëja krahasime. Migjeni është një poet që më ka tronditur. Kur kemi parasysh traditat e letërsisë së rilindjes me një frymëzim kombëtar, atdhetar, fjalë herë bajate të lavdërimeve kombëtare, Migjeni vjen dhe tregon realitetin e vendit. Ai tregon vuajtjen, varfërinë, urinë, keqtrajtimin e njerëzve, pra realitetin e këtij vendi dhe ky vend është një vend me vuajtje.
E keni vënë re që është jo aq i lexuar Migjeni në Shqipëri?
Po, ka mundësi. Unë nuk e di me siguri por kam përshtypjen që Migjeni ka qenë lavdëruar në kohën e diktaturës komuniste si poet qe kritikonte kohen para çlirimit të Shqipërisë. Ndërsa tani, pas rënies së komunizmit, mbase njerëzit e identifikojnë Migjenin me atë periudhë që është gabim sepse kritika e Migjenit ishte po kaq i vlefshëm për periudhën komuniste.
Po shqipja e Ismail Kadaresë si është profesor?
Kjo për mua është shqipja më e bukur. Unë kënaqem kur lexoj Kadarenë thjesht nga pikëpamja e gjuhës, të lexoj se si i ndërton fjalitë, fjalët që përdor. Është i veçantë dhe që ka ndikuar shumë në ecurinë e gjuhës së shkruar.
Ju ka ndodhur më pas të ndeshni një shqipe dhe të thoni është kaq e bukur sa shqipja e Kadaresë?
Po kam dëgjuar, por besoj se ai është kryesor në çuarjen e shqipes përpara.
Ndërkohë, ju mbani marrëdhënie me shtetin shqiptar apo gjithçka e bëni në mënyrë personale, individuale dhe prej pasionit?
Punoj në mënyrë individuale.
Pra nuk ndihmoheni nga institucionet tona, nga Akademia jonë, nuk keni financime? Nuk keni medalje, mirënjohje.
Jo, asnjëra prej këtyre. Jam krejtësisht i pavarur.
E keni pyetur ndonjëherë veten pse e bëni?
Unë e bëj për qejfin tim, për interesin tim.
Ç’qejf të madh ju jep kjo shqipja jonë e përbashkët?
Cxdo njeri ka interesa të vecxantë, njëri luan golf, tjetri mbledh pulla postare, një tjetër është sportist, njëri merret me letërsi kineze. Ndërsa unë përfundova këtu me shqiptarët.
Mua më pëlqeu shumë një shprehje e juaja që do doja ta ndaja, kur dikush ju pyeti “a mund të ishit ju një shqiptar dhe nëse po, çfarë lloj shqiptari do ishit”. Dhe ju u përgjigjët “unë do të jetoja me shumë frustracion po të isha shqiptar, unë ndoshta do të çmendesha. Nuk kam përshtypjen se do të mund të jetoja në botën shqiptare, jam një njeri pakëz i brishtë dhe duhet të kesh shumë forcë për të jetuar si shqiptar me shqiptarët”.
Po, kjo është e vërtetë. Unë nuk mund të jetoj këtu. Është një vend pak i egër për mua, marrëdhëniet midis njerëzve janë pak të egër. E di që është vetëm një fasadë se brenda e kanë shpirtin e mirë, por kanë një egërsi në marrëdhëniet njerëzore. Ju dini të mbroheni këtu, ndërsa unë këtu jam si lepur, nuk di të mbrohem. Unë vij këtu me shumë kënaqësi, por nuk besoj se mund ta përballoj të vij të jetoj përgjithmonë këtu. Ka shumë frustracion të jetës së përditshme. Jeta është shumë e shkurtër e unë nuk kam kohë te përplasem në pengesa, vetëm për të arritur diçka, kur në një vend tjetër e arrij menjëherë dhe pastaj jetoj jetën time. E di që ju kaloni shumë kohë në ditën tuaj me pengesat që ju dalin përpara dhe kjo ha shumë kohë. Për shembull, po të jetoja këtu do të kaloja sigurisht gjithë ditën duke pirë kafe sepse do të më lajmëronin njerëzit hajde të pimë kafe dhe nga një kafe gjysëm ore, ajo do të shkonte një orë, dy orë, tre orë, katër orë dhe gjithë dita do të shkonte në kafe. Kurse unë jetoj një jetë pak të veçuar dhe nuk kam shumë shoqëri. Kjo është preference ime, unë jetoj me librat e mi, me idetë, projektet e mia dhe kënaqem me to.
Pastaj po të jetonit këtu do të merreshit shumë me politikë. Do duhej patjetër të ishit me njërën palë ose tjetrën përndryshe do të ishte shumë e vështirë të jetonit si asnjanës apo i paanshëm.
Dhe jeta politike është diçka që ndryshon shumë, duhet shumë kujdes me konjukturat. Kështu që unë nuk merrem fare me politikë.
Edhe diçka profesor, në Kosovë për shembull, diçka që bën përshtypje. Ju keni përkthyer në Gjyqin e Hagës dhe keni treguar se si stresi i përkthimit ju bëri të kalonit ndjeshmërinë e aq shumë gjaku, vdekjeje, vrasje, përdhunimi për të cilat u fol në atë gjyq. Ku janë këto në letërsinë kosovare, i shikoni ju?
Në fakt jo, nuk besoj se ka dalë një vepër e madhe për dramën që ka kaluar Kosova. Mbase duhet kohë, mbase është ende herët, mbase njerëzit janë ende të traumatizuar. Do të vijë edhe ajo kohë. Për mua ishte sigurisht një traumë kur punoja në Hagë si interpret simultan në gjyqin e Millosheviçit, ishte një punë me shumë stres sepse nuk mund të bënim gabime. Gjuha ime transmetohej dhe normalisht njerëzit bëjnë gabime por aty nuk duhej të bënim gabime. Por edhe përmbajtja ishte me shumë stres, gjithë vuajtjet e tyre dhe unë nuk isha mësuar me këto gjëra.
a.ç