Nga Frrok Çupi
Në Prishtinë ka kakofoni zërash, sidomos tani pasi ‘të zotët e shtëpisë’ u dënuan përjetë në Hagë. Sepse përjetë u dënuan, jo ‘përjetën e tyre’; ata një ditë mund të kthehen.
Por nuk do të përgjigjet askush. Të trokasin nëpër pragje dhe dyer: ‘A ka zot kjo shtëpi!… A ka zot?!”. Por kaq.
Një artist i madh i Shqipërisë, Sherif Merdani, pësoi të njëjtin fat. E burgosën thuajse një jetë. Kur erdhi nga burgu, Tiranës i erdhi vetë ‘Zoti’ i mohuar. Domethënë e drejta për t’i kënduar dhe, aq më shumë, për ta kërkuar zotin ‘ku ishe kur na duheshe?’.
“Po ku ishe ti, o zot/ Për një çast kur të kërkuam”, thotë Merdani në zërin e tij.
A ka zot Prishtina ‘në këtë çast’ që ia kanë burgosur bijtë, çlirimtarët?
Tani janë çliruar rrugëve, si zotat, edhe djajtë. Edhe djaj ka shumë; mos u mahnitni vetëm me këngët marsh luftarak për UÇK, as për flamujt që tunden cep më cep me mijëra. Djajtë, si në Prishtinë edhe në Tiranë, po përhapin imagjinata, fjalë, shpifje heroike, vulgaritet…, sikur çlirimtarët ishin ‘vrasës të vëllezërve, për pushtet’.
Të tjerët kanë triumfuar, por pa treguar fytyrën, sepse kanë dëshmuar se ‘na vrau Hashim Thaçi’. ‘Na doli e drejta!’, po thonë, përveç Gecit, të tjerët pa fytyrë.
‘Edhe lopën që i humbi dikujt, ia kishte pas rrëmbyer Hashim Thaçi”.
Atëherë, vallë, gjykatësi Charles Smith a u dashka mallkuar pse edhe ai bazohet në imagjinata. Jo vetëm në imagjinata, por dëshmi shqiptare. Ai shkruan diku se e dinte ‘që Hashim Thaçi e dinte’ krimin e tjetrit. Zigmuth Frojd do ta kishte blerë shtrenjtë gjykatësin si kavje psikologjike.
Ku ishte Zoti ‘në atë çast?’ Dëshmia e tij do ta zgjidhte punën? Përderisa dëshmia e Amerikës dhe e NATO-s që udhëhoqën e fituan luftën Çlirimtare në Kosovë, nuk vlen; atëherë as zoti i qiellit nuk do të vlente. As e drejta hyjnore nuk do të ‘pijë ujë’ për lirinë e një populli.
Tani zoti i të drejtës ka marrë fytyrë njeriu.
Po lëvizin nëpër Prishtinë. A lëvizin për mirë, apo për keq, kjo nuk merret vesh. Ka zhurma, ka edhe dëshira të këqija. Ka amnezi për historinë. Ka politikanë që thërrasin ‘përjetë në burg’. Ka të tjerë që thonë se ‘nuk ka shtet pa Çlirimtarët’. Grupimet politike janë pozicionuar, në mënyrë hipokrite sa ‘pro tyre’, aq edhe ‘kundër’. Gjykatësi Smith e di këtë. Edhe vetë gjykimi i historisë së shqiptarëve e di se ‘në atë çast’ si të Sherif Merdanit, shqiptarët nuk janë një zot, por shumë zota.
Politika po luan rol të kamufluar.
Grupimi politik i ardhur direkt nga UÇK dhe që quhet PDK, u dorëzua të LVV. Zoti Hamza, si Hamzai i Kastriotëve, i çoi Kurtit në çini kokën e Hashim Thaçit.
I trokiti në derë dhe i dha tagrin që ‘lirimin e Thaçit ta zgjidhin bashkë’. Kurti dhe VV kanë luftuar me thikë në gojë kundër Thaçit. Kundër çlirimtarëve dhe vetë shtetit të ri të Kosovës.
Lëvizja Demokratike e Kosovës, që ideoi Republikën, ka harruar luftën dhe vetë atin e tyre, Ibrahim Rugovën. Këta e kanë harruar ‘kokën e tyre’, s’ka se si akuzohen pse dorëzuan kokën e Hashim Thaçit.
Dënimi i bujshëm dhe tragjik i çlirimtarëve është më së shumti dëshmi e veprës së keqe të viktimave që i shpëtuan tiranisë për shkak të luftës së çlirimtarëve. Të bëhet viktima ‘zot i keq’, ky është fundi.
Se ku ishte atëherë zoti i Merdanit, këtë e kërkon vetëm arti, jo mundësia.
Koha mund të kalojë duke kënduar në rrugët e Prishtinës, duke i kënduar flamurit dhe UÇK-së. Por kjo do të jetë mbulesa më djallëzore e profilit të Zotit. Ndërsa viktimat mund të mos përballojnë dot lirinë.











