• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Saturday, June 27, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Opinion

Po cili sovran?

by Marenglen Kasmi
26/06/2026 21:45
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Marenglen Kasmi

Në politikë rëndësia e një ngjarjeje nuk matet gjithmonë me atë që ndodh në shesh, por edhe me mënyrën se si ajo vazhdon të jetojë në debatin publik. Kjo duket se po ndodh edhe me protestën e nisur për Zvërnecin. Ndërsa pjesëmarrja në bulevard është tkurrur ndjeshëm dhe protesta ende nuk ka prodhuar ndonjë rezultat të drejtpërdrejtë politik, ajo vazhdon të dominojë studiot televizive, portalet dhe rrjetet sociale. Në një farë mënyre, protesta është zhvendosur nga bulevardi në ekran.
Filloi si protestë ambientaliste. U mobilizua me mjeshtëri nacionalizmi deklarativ, duke bërë thirrje se “po shitej Shqipëria”, “po bëhej tradhti kombëtare”, “të mbrojmë Shqipërinë nga rreziku” etj. Ishte pikërisht ky apel ndaj nervit patriotik që solli masivizimin e menjëhershëm të protestës.
Patriotizmi është një nga ndjenjat më fisnike të shoqërisë. Dimë shumë raste kur ai ka bashkuar popuj për kauza të drejta, por po aq edhe raste kur është përdorur si instrument mobilizimi për objektiva politike.
Nuk ve në dyshim ndjenjat patriotike të qytetarëve që morën pjesë në protestë. Besoj se shumë prej tyre dolën në shesh me bindjen se po mbronin një interes publik. Nëse patriotizmi do të kishte mbetur boshti i protestës, edhe sot debati do të përqendrohej te projekti, dokumentacioni, ndikimi mjedisor dhe mbrojtja e pasurive publike. Pra, do të kërkohej transparencë e negocim me qeverinë, çka drejtuesit e protestës e refuzojnë në mënyrë kategorike. Në vend të kësaj, pothuajse e gjithë energjia politike është përqendruar te konfrontimi me kryeministrin Edi Rama. Pikërisht ky transformim më shtyn ta quaj këtë proces pseudopatriotizëm, pasi protesta u thirr nën petkun e patriotizmit se “atdheu ishte në rrezik meqë po e shiste Edi Rama”, ndërkohë që me kalimin e kohës u pa se kauza fillestare ia la vendin objektivave më të gjera.
Ky transformim i protestës mund të lexohet në dy rrafshe.
Rrafshi i parë lidhet me momentin në të cilin ndodhet Shqipëria. Procesi i anëtarësimit në BE është në mbyllje. Madje, me shumë gjasa brenda këtij pesëvjeçari, çka do të përbënte një arritje e kredit të paçmuar politik të kësaj mazhorance. Por këtu nuk bëhet fjalë për përfitim politik, por për të ardhmen europiane të popullit shqiptar. Prandaj, shqetësimi kryesor duhet të jetë impakti që mund të ketë një protestë me potencial të lartë destabilizues të rendit demokratik.
Tashmë protesta i ka shpallur qëllimet e saj: dorëheqjen e Kryeministrit dhe të qeverisë, krijimin e një qeverie teknike tranzitore, ndryshime kushtetuese, referendum, reformim të Kodit Zgjedhor, ndryshim të ligjit për partitë politike dhe kufizim mandatesh për Kryeministrin.
Këto kërkesa përfaqësojnë një projekt të gjerë për riorganizimin e sistemit politik dhe kushtetues të vendit. Një evolucion i tillë sjell edhe pyetje të reja: kush e përfaqëson këtë platformë, mbi çfarë legjitimiteti ndërtohet ajo dhe si lidhet me procedurat kushtetuese ekzistuese?
Pikërisht këtu qëndron edhe rreziku më i madh. Është normale që një protestë të kërkojë largimin e një qeverie apo zgjedhje të parakohshme. Problemi fillon kur kërkohet rrafshimi i gjithë sistemit politik e institucional dhe rindërtimi i tij nga e para, duke pretenduar se kështu kërkon “sovrani”, pasi “sistemi politik i ngritur në këto 35 vite është e keqja e Shqipërisë”. Po cili sovran? Kush i ka dhënë një grupi protestuesish të drejtën të flasë në emër të gjithë popullit shqiptar?
Në demokraci, sovrani nuk flet përmes vetëshpalljes, por shprehet përmes zgjedhjeve, referendumit dhe institucioneve që vetë Kushtetuta ka parashikuar. Për këtë arsye, një protestë që synon ndryshime kaq të thella nuk mund të mbështetet vetëm te pretendimi se “kështu do populli”. Ajo duhet ta provojë këtë përmes mekanizmave demokratikë.
Dhe këtu lidhet edhe çështja e integrimit europian. Shqipëria ndodhet sot në një moment vendimtar të negociatave me Bashkimin Europian. Pikërisht tani, më shumë se kurrë, vendi ka nevojë të tregojë se është në gjendje t’i zgjidhë konfliktet politike brenda institucioneve dhe sipas rregullave të demokracisë kushtetuese. Bashkimi Europian nuk vlerëson vetëm reformat që bën një vend, por edhe mënyrën se si ato realizohen. Nëse fillon të krijohet ideja se institucionet shqiptare nuk kanë më legjitimitet dhe se ato mund të zëvendësohen nga një “vullnet popullor” i shpallur nga grupe të caktuara, atëherë nuk rrezikohet vetëm stabiliteti i brendshëm. Vihet në pikëpyetje edhe besueshmëria e Shqipërisë si një vend që po ecën drejt standardeve europiane. Dhe ky do të ishte paradoksi më i madh, pasi në emër të shpëtimit të Shqipërisë do të dëmtohej pikërisht objektivi më i rëndësishëm strategjik që ajo ka, anëtarësimi në BE.
Rrafshi i dytë lidhet me vetë kulturën politike shqiptare. Me kalimin e viteve, politika është bërë gjithnjë e më e personalizuar. Debati mbi programet dhe institucionet ka lënë vend gjithnjë e më shpesh për debatin mbi individët. Në këtë kuptim, Edi Rama është bërë figura rreth të cilit rrotullohet jeta politike shqiptare.
Në vend që debati të zhvillohet mbi modele qeverisjeje ose alternativa politike, ai reduktohet te largimi i kryeministrit. Disa nga kritikët më të ashpër kanë qenë dikur bashkëpunëtorë të afërt, aleatë politikë apo mbështetës publikë të Kryeministrit. Kjo nuk e delegjitimon kritikën e tyre, por tregon se konflikti politik shqiptar shpesh ndërthuret me marrëdhënie personale, inate të vjetra e zhgënjime dhe antagonizma të akumuluar ndër vite. Si pasojë, në shumë raste kufiri midis kundërshtimit politik dhe antagonizmit personal bëhet gjithnjë e më i paqartë.
Kërkesa për dorëheqjen e Kryeministrit është plotësisht legjitime në demokraci. Çdo protestë mund ta artikulojë dhe çdo opozitë ka të drejtë ta vendosë në qendër të aksionit të saj politik. Problemi është se ajo nuk paraqitet më si një alternativë politike që duhet argumentuar, por si një e vërtetë e vetëkuptueshme, e cila nuk pranon më debat.
Pikërisht kjo prirje vihet re në diskursin politik shqiptar. Krijohet përshtypja sikur largimi i Edi Ramës nuk është më një objektiv politik që duhet kërkuar me argumente, por një domosdoshmëri morale që çdo qytetar duhet ta pranojë pa diskutim. Kush nuk bashkohet me këtë kërkesë trajtohet si dikush që nuk e kupton realitetin ose si “patronazhist”. Në këtë mënyrë, debati demokratik zëvendësohet nga një logjikë përjashtuese, ku ndarja nuk bëhet më mes alternativave politike, por mes atyre që konsiderohen në anën e “drejtë” dhe atyre që vendosen automatikisht në anën e “gabuar”. I gjithë ky proces shoqërohet me zhurmë mediatike dhe akuza të paprovuara.
Kjo është arsyeja pse është problematik përdorimi i shprehjeve si “populli e ka vendosur”, “gjithë shqiptarët e duan largimin e tij” ose “ne flasim në emër të qytetarëve”. Në një demokraci askush nuk gëzon monopolin e përfaqësimit të popullit. Populli nuk është një trup homogjen që mendon me një zë të vetëm. Ai përbëhet nga qytetarë me bindje, interesa dhe zgjedhje të ndryshme. Pikërisht për këtë arsye demokracia moderne është ndërtuar mbi pluralizmin dhe mbi procedurat, jo mbi pretendimin se një grup i caktuar mishëron vullnetin e të gjithëve. Slogani “në emër të popullit” ka shkaktuar jo pak dhimbje në Shqipëri, prandaj kjo gjë duhet artikuluar me kujdes.
Një element tjetër që vërehet është idealizimi i protestës. Përpara se të analizohej seriozisht evolucioni i saj, ajo u paraqit si zëri autentik i shoqërisë shqiptare, si shprehja më e pastër e ndërgjegjes qytetare dhe si prova se vendi kishte hyrë në një epokë të re politike. Kjo prirje për ta idealizuar protestën ka zëvendësuar analizën e protestës me narrativën romantike. Protesta nuk duhet të idealizohet apriori ose të përdoret për të nxjerrë përfundime që vetë zhvillimi i saj ende nuk i mbështet. Aq më tepër kur objektivat e saj kanë ndryshuar disa herë dhe natyra e saj politike mbetet ende objekt debati.
Kjo na kujton një nga idetë më të rëndësishme të Karl Popper-it. Ai argumentonte se pyetja themelore e demokracisë nuk është “kush duhet të qeverisë?”, sepse kjo pyetje ka tundimin të prodhojë gjithmonë figura të shpallura si shpëtimtare ose si mishërim i vullnetit të popullit. Pyetja e vërtetë është si mund t’i ndryshojmë qeveritë pa dhunë, pa rrënuar institucionet dhe pa vënë në pikëpyetje vetë rendin demokratik?
Prandaj, debati nuk duhet të jetë nëse Edi Rama duhet të largohet apo jo. Kjo është një çështje që qytetarët e vendosin përmes zgjedhjeve demokratike dhe mekanizmave kushtetues. Debati duhet të jetë nëse jemi ende në gjendje të mbrojmë një kulturë politike ku edhe kundërshtimi më i fortë ndaj pushtetit zhvillohet brenda logjikës së pluralizmit, të institucioneve dhe të shtetit të së drejtës. Apo po rrëshqasim drejt një kulture ku çdo konflikt reduktohet te Edi Rama dhe ku vetë ideja e demokracisë fillon të zëvendësohet nga bindja se “populli” flet vetëm përmes atyre që duan ta largojnë Edi Ramën nga Kryeministria me çdo kusht e me çdo çmim, sado i lartë qoftë ai?

Next Post
“Qeveria duhet të dëgjojë kërkesat racionale,” Minxhozi: Protesta ka krijuar presion, por nuk po prodhon alternativë përtej PS dhe PD

"Qeveria duhet të dëgjojë kërkesat racionale," Minxhozi: Protesta ka krijuar presion, por nuk po prodhon alternativë përtej PS dhe PD

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

AZHBR hap aplikimet për Skemën Kombëtare 2026, deri në 500 mijë lekë mbështetje për fermerët

AZHBR hap aplikimet për Skemën Kombëtare 2026, deri në 500 mijë lekë mbështetje për fermerët

June 27, 2026
Momente të pazakonta në protestë! Apel në frëngjisht për Macron dhe fjalim nga një turist britanik (VIDEO)

Momente të pazakonta në protestë! Apel në frëngjisht për Macron dhe fjalim nga një turist britanik (VIDEO)

June 27, 2026
Protesta për Zvërnecin, Spaho: Një lëvizje e manipuluar dhe komplot kundër Shqipërisë

“Jam shkarkuar padrejtësisht”, Spaho: Kam qenë kundër protestës që ditën e parë

June 27, 2026
Vuçiç: Do të jem president vetëm për disa javë

Vuçiç: Do të jem president vetëm për disa javë

June 27, 2026
VIDEOLAJM/ Dita e 28-të, pamjet me dron zbulojnë pjesëmarrjen në protestë

VIDEOLAJM/ Dita e 28-të, pamjet me dron zbulojnë pjesëmarrjen në protestë

June 27, 2026
Zv.kryeministrja Koçiu njofton projektin e ri në Librazhd: 40 banesa për familjet në nevojë

Zv.kryeministrja Koçiu njofton projektin e ri në Librazhd: 40 banesa për familjet në nevojë

June 27, 2026
Ish-zyrtarja e PD-së: Protestat me “helm dhe djallëzi” po dëmtojnë Shqipërinë!

Ish-zyrtarja e PD-së: Protestat me “helm dhe djallëzi” po dëmtojnë Shqipërinë!

June 27, 2026
Sulmet me dronë ndaj anijeve në Hormuz rrisin alarmet për përshkallëzim, Trump: Irani shkeli marrëveshjen e armëpushimit

Tension tregtar SHBA–BE, Trump kërcënon me tarifa 100% për shërbimet dixhitale

June 27, 2026
“Vendi i shqiponjave nuk ka kohë për të humbur”, Rama ndan mesazhin e qytetarit lidhur me protestat

Turizmi në Shëngjin shënon rritje, Rama: Resortet me 5 yje, jo vetëm domosdoshmëri ekonomike po edhe gjeostrategjike

June 27, 2026
Tension në Lindjen e Mesme, Bahreini akuzon Iranin për sulme me dronë

Tension në Lindjen e Mesme, Bahreini akuzon Iranin për sulme me dronë

June 27, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In