• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Wednesday, September 30, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Sociale

“Plazhe të kristalta, fshatra historike dhe rrënoja antike”, revista prestigjioze sjell Shqipërinë në fokusin e turizmit botëror

by E S
10/05/2026 19:04
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Riviera Shqiptare po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje nga mediat ndërkombëtare të turizmit. Revista prestigjioze amerikane “Travel + Leisure” ka botuar një reportazh të shkrimtares Ada Calhoun, e cila e përshkruan bregdetin shqiptar si një nga destinacionet më të bukura dhe ende të pazbuluara të Evropës, duke e cilësuar si një alternativë të përballueshme ndaj Côte d’Azur në Francë.

Autorja rrëfen përvojën e saj gjatë një udhëtimi njëjavor në Himarë, ku mbeti e impresionuar nga peizazhet natyrore, mikpritja shqiptare dhe qetësia që ofron zona jashtë sezonit turistik.

“Plazhi i Livadhit është një nga më të bukurit në rivierë, me guralecë të bardhë, ujëra të kthjellëta dhe kodra të mbuluara me ullinj,” shkruan Calhoun.

Ajo përshkruan gjithashtu rrugën panoramike përmes Qafës së Llogorasë si spektakolare, me pamje mbresëlënëse drejt detit Jon dhe pyjeve me pisha.

Në reportazh, autorja viziton Himarën e Vjetër, ku eksploron rrënoja antike dhe kisha historike si ajo e Shën Sergjit dhe Shën Bakut.

Një tjetër ndalesë ishte Qeparoi i Sipërm, fshati karakteristik me shtëpi guri dhe rrugica të ngushta, që sipas saj ruan ende atmosferën autentike të Shqipërisë së dikurshme.

Ajo vlerëson përpjekjet për restaurimin e banesave tradicionale dhe kthimin e tyre në bujtina turistike.

Calhoun ndalet edhe në restorante tradicionale familjare, ku provon gatime shqiptare si djathi i skuqur me mjaltë, peshku i freskët dhe rakia tradicionale. Për të, këto eksperienca kulinare janë pjesë e pandashme e kulturës shqiptare.

Në fokus të reportazhit është vendosur edhe Butrinti, qyteti antik i mbrojtur nga UNESCO, i njohur për trashëgiminë greke, romake, bizantine dhe veneciane.

Autorja e përshkruan si një vend gjigant, ku historia e lashtë ndërthuret me natyrën e bukur mesdhetare.

Përveç natyrës dhe historisë, artikulli vë në dukje edhe kostot relativisht të ulëta të pushimeve në Shqipëri krahasuar me destinacionet e tjera mesdhetare.

Ky faktor, sipas saj, po e bën rivierën shqiptare gjithnjë e më tërheqëse për turistët ndërkombëtarë.

Në fund të artikullit, Calhoun e përshkruan udhëtimin në Shqipëri si një përvojë çlodhëse dhe rigjeneruese: “U largova nga vendi me ndjesinë e qetësisë dhe dëshirën për t’u rikthyer sërish.”

Artikulli i plotë “Travel + Leisure”:

Kjo rivierë evropiane, ofron plazhe mahnitëse, rrënoja të lashta dhe çmime çuditërisht të ulëta, shkruan Ada Calhoun në një artikull të botuar më “Travel + Leisure”.

Në bregdetin e Shqipërisë, plazhet e qeta, ujërat blu dhe fshatrat prej guri rizgjojnë një vend – i cili dikur ka qenë i izoluar.

Ndërsa dielli perëndonte mbi detin Jon, unë po shijoja një birrë “Korça” në shezlongun tim të butë në plazh, vetëm pak hapa larg dallgëve që përplaseshin lehtë në breg.

Aty pranë, fëmijët lundronin mbi dyshekë në ujërat e kthjellëta blu, duke bërtitur nga gëzimi, ndërsa prindërit e tyre pushonin nën çadra.

Dy vajza të reja me këmisha të gjera kaluan pranë bregut me guralecë të bardhë, duke biseduar në shqip ndërsa dielli fshihej pas horizontit rozë.

E veshur me bikini të kuqe, me flokët e lagura të mbledhura sipër kokës, hodha një peshqir gri mbi këmbë dhe u përpoqa të kujtoja saktësisht se si kisha përfunduar vetëm në Shqipëri — një vend ish-komunist, për një kohë të gjatë i izoluar në Ballkan, — pa pasur një vendim tjetër për të marrë përveçse ku do të haja darkë.

Djali im ishte në prag diplomimi në universitet dhe sapo kisha kaluar një ndarje të dhimbshme.

Libri im më i fundit kishte përfunduar dhe do të publikohej pas disa muajsh.

Për herë të parë që nga fëmijëria, e gjeta veten pa asnjë përgjegjësi.

Siç ndodhi, një grua që më kishte intervistuar pranë apartamentit tim në lagjen “East Village” të Manhatanit, për jetën si shkrimtare, përmendi rastësisht se po hapte një bar plazhi në Himarë, një fshat bregdetar – në atë që ajo e konsideronte si pjesën më të dëshirueshme të Rivierës Shqiptare.

Dhe kështu, në aktin tim të parë si një nënë beqare, rezervova një udhëtim njëjavor në shtator, pa ditur shumë për vendin, përveç faktit që plazhet thuhej se rivalizonin bregun e Côte d’Azur – por me gjysmën e çmimit.

“Ku po shkon ?” më pyesnin njerëzit. Një mik zviceran më tregoi se kishte lundruar në detin Jon kur kishte qenë i ri dhe se vendi kishte qënë i mbuluar nga errësira (zona të tëra të Shqipërisë mbetën pa energji elektrike deri në vitet 1970).

Edhe unë kisha rezervat e mia, ndërsa drejtoja makinën time të bardhë Škoda – të marrë me qira nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës – pas pothuajse 12 orësh udhëtim ajror.

Në fillim, rruga ishte relativisht e zakonshme, me autostrada periferike të mbipopulluara.

Por pjesa e fundit ishte plot kthesa të frikshme në një peizazh të lashtë, ndryshe nga çdo gjë që kisha parë më parë.

Në Qafën e Llogorasë, me pyllin e pishave në njërën anë dhe një humnerë drejt detit në anën tjetër, më duhej t’i kujtoja vetes të mos i hiqja sytë nga rruga e ngushtë malore me kthesa.

Pas rreth katër orësh udhëtim, mbërrita në hotelin “Prado Luxury Hotel”, një nga dy pronat moderne që janë hapur së fundmi në plazhin e Livadhit, një hark i gjerë me guralecë të çelët i rrethuar nga kodra të mbuluara me ullinj.

Megjithatë, suita ime dukej sikur vinte nga një epokë tjetër, me mure të veshura me imitacion druri, banak imitues mermeri dhe një mbulesë krevati ngjyrë jeshile të zbehtë paksa të konsumuar.

Por kush kishte kohë të merrej me detaje të tilla, kur kishte dritare nga dyshemeja në tavan dhe një ballkon të gjerë përballë detit?

Hoteli me 57 dhoma reklamonte gjithashtu një dyqan cigaresh, spa, sushi dhe një restorant që e quante veten me “pesë yje”.

Restoranti im i preferuar rezultoi të ishte vetëm një minutë larg në këmbë.

“Jester’s Taverna” është një bar plazhi i thjeshtë me çati kashte – ku hëngra açuge me spec të kuq, peshk të pjekur dhe djathë të skuqur me mjaltë e susam.

Kur i bëra kompliment zonjës së lokalit për çajin – ajo më dha një shishe të madhe rozë për ta marrë me vete në dhomë.

Mëngjesin tjetër, shkova drejt një prej shezlongëve bezhë dhe hapa një libër.

Piku i sezonit veror kishte përfunduar, ndaj atmosfera ishte mjaft e qetë, me grupe turistësh që dukeshin kryesisht nga Evropa Lindore dhe çifte të reja shqiptare që shëtisnin përgjatë plazhit.

Edhe shërbimi i ushqimit dhe pijeve dukej sikur po mbyllte sezonin veror, megjithëse arrita të thërrisja një kamerier dhe, në një moment, një shitës ambulant shiste libra në gjuhë të ndryshme – të cilat i mbante në çantën e shpinës.

Në mesditë, bëra një pushim nga plazhi dhe shkova me makinë në Himarën e Vjetër, ku eksplorova një labirint rrënojash të shekullit V para Krishtit pa takuar asnjë njeri.

Hodha një sy brenda Kishës së Shën Sergjit dhe Shën Bakut, ku rrezet e diellit depërtonin nga një dritare e vogël pas altarit dhe dukej sikur i jepnin jetë muraleve të zbehta post-bizantine.

Për drekë, një rekomandim më çoi në një mezebar familjar të quajtur “Café Kanda”.

Nuk kishte menu. “Mamaja ime do të gatuajë për ju!”, tha kamerieri. “Doni peshk, karkaleca, perime, patate?” Ai solli kunguj të skuqur të ngrohtë dhe speca të mbushur me djathë të freskët dhe një kocë deti të pjekur që babai i tij e kishte kapur atë mëngjes.

Pothuajse çdo person me të cilin bisedova më ofroi një gotë raki, pije e fortë tradicionale e bërë nga rrushi dhe çdo gjë tjetër që gjendej.

Ndërsa po paguaja faturën — shumica e vendeve ende preferojnë pagesat cash — kamerieri më ofroi një gotë nga rakia që familja e tij e distilonte në apartament nga rrushi, uthulla dhe vaji i ullirit.

U përpoqa të mos derdhja asnjë pikë, nga frika se mos digjte tavolinën.

Meqë përdor çdo justifikim për të blerë libra, kisha marrë me vete disa vepra të Ismail Kadare, i cili shpesh quhet “zëri i Shqipërisë” dhe është nominuar 15 herë për Çmimin Nobel në Letërsi.

Pasi lexova “Prilli i Thyer”, një roman që eksploron gjakmarrjen rituale, dhe “Kronikë në Gur”, një rrëfim gjysmë autobiografik i Luftës së Dytë Botërore përmes syve të një djali të vogël, vendosa të vizitoja një fshat tradicional malor.

Gruaja që më kishte folur fillimisht për Shqipërinë më kishte rekomanduar Qeparoin e Sipërm, një fshat gjysmë të braktisur ku mbërrita pas pothuajse 40 minutash udhëtimi – përmes një rruge të pjerrët dhe të rrezikshme që e ndaja me gomarë dhe lopë.

Po të mos ishte rruga aq e ngushtë, ndoshta do të isha kthyer mbrapsht.

Por atëherë do të kisha humbur mundësinë për të eksploruar këtë fshat magjik – me rreth 85 banorë, kryesisht gra të moshuara të veshura me rroba tradicionale të zeza.

Do të kisha humbur gjithashtu takimin me Erald Maknorin, një sipërmarrës elegant që po shndërron disa nga vilat prej guri të shekullit XVIII në shtëpi pushimi me qira.

Dy prej tyre kanë edhe pishina private.

Ai më bëri një tur nëpër fshat dhe, në një moment, më tregoi një kishë ortodokse greke të ndërtuar në vitet 1700.

E pyeta nëse ishte ende funksionale, duke ditur se Islami është feja më e përhapur në Shqipëri.

“Po, dy murgj vijnë çdo të diel dhe mbajnë meshë për gratë e moshuara”, tha Maknori.

Ai më tregoi edhe shtëpinë e tij, një vilë e restauruar me shumë kujdes, me kopsht të rrethuar, trarë druri të ekspozuar dhe — nuk munda të mos e vija re — libra të Kadaresë.

Kurioziteti im për kulturën shqiptare më çoi edhe në Butrint, një qytet antik rreth dy orë në jug që njihet nga UNESCO për shtresëzimet e ruajtura mirë të historisë greke, romake, bizantine dhe veneciane.

Vendi është gjigant. Pasi eksplorova Tempullin e Asklepit dhe amfiteatrin e shekullit III para Krishtit nën diellin përvëlues të mesditës, u ktheva me nxitim drejt plazhit.

Në ditën time të fundit, dola në kërkim të dhuratave dhe gjeta një dyqan të vogël me një tabelë të pikturuar me dorë ku shkruhej “Produkte të bëra në shtëpi”.

Brenda, një grua e moshuar me syze me kornizë të errët shiste liker me shije limoni, kavanoza me reçel fiku dhe çaj mali — të gjitha të prodhuara nga produktet e oborrit të saj.

Marmelata e saj me portokall të egër ishte një zbulim i vërtetë, njëkohësisht e ëmbël dhe e athët, me aromë agrumesh dhe lulesh, me nuanca karafili.

Atë mbrëmje, duke parë edhe një tjetër perëndim perfekt dielli nga shezlongu im, u ndjeva mirënjohëse për atë pushim në Shqipëri.

Kur u ktheva në shtëpi — me valixhen plot me marmelatë dhe liker me shije limoni — u ndjeva e ushqyer shpirtërisht, më e qetë dhe gati për gjithçka që do të vinte më pas!

Next Post
Operacioni në portin e Tenerifes, evakuohen pasagjerët e anijes MV Hondius pas shpërthimit të Hantavirusit

Operacioni në portin e Tenerifes, evakuohen pasagjerët e anijes MV Hondius pas shpërthimit të Hantavirusit

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

“Udhërrëfyes për vendet që kanë bërë përparim”- Von der Leyen: Shqipëria ka ecuri fantastike në proces! Vijoni me reformat dhe dialogun politik

“Udhërrëfyes për vendet që kanë bërë përparim”- Von der Leyen: Shqipëria ka ecuri fantastike në proces! Vijoni me reformat dhe dialogun politik

September 30, 2026
“Sistemi po lufton korrupsionin”- Rama në konferencën me Von der Leyen: Të vendosur për integrimin në BE! Presidenten e informova edhe për projektin e Zvërnecit

“Sistemi po lufton korrupsionin”- Rama në konferencën me Von der Leyen: Të vendosur për integrimin në BE! Presidenten e informova edhe për projektin e Zvërnecit

September 30, 2026
Presidentja e Komisionit Evropian zbarkon në Shqipëri për turin Ballkanik, Von der Leyen pritet me ceremoni zyrtare nga Rama! Në fokus integrimi në BE

“Rama po punon fort për ta bërë ëndrrën realitet!”- Von der Leyen pas vizitës në Shqipëri, reagimi: Fokusi te reformat, nga drejtësia te…

September 30, 2026
Pas takimit, Dodik zbulon se çfarë bisedoi me Putinin: U diskutua për energjinë, ekonominë dhe bashkëpunimin politik

Pas takimit, Dodik zbulon se çfarë bisedoi me Putinin: U diskutua për energjinë, ekonominë dhe bashkëpunimin politik

September 30, 2026
“Shqipëria e tepron me paraburgimin”, ekspertët e KiE: Po shkelen standardet e lirisë personale

Zbardhet projektligji i Qeverisë, masat aktuale të paraburgimit do të kalojnë në verifikim! Zbulohen procedurat dhe fazat

September 30, 2026
“Ky është abuzim dhe jo argëtim!”- Ish-deputetja e PD: Ne jemi popull i frustruar s*ksualisht, kemi burra ordinerë! Përgjegjësi penale për videot në rrjete

“Ky është abuzim dhe jo argëtim!”- Ish-deputetja e PD: Ne jemi popull i frustruar s*ksualisht, kemi burra ordinerë! Përgjegjësi penale për videot në rrjete

September 30, 2026
“Abuzoi me mua kur isha 9 vjeç”, Diddy përballet me 100 akuza të reja për sulm seksual

Sean “Diddy” Combs po bën jetë VIP pas hekurave? Raporti: Masazhe, alkool, celular dhe shërbime nga të burgosur të tjerë

September 30, 2026
Përmbytje katastrofike në Turqi, shirat e rrëmbyeshëm sjellin kaos në disa qytete, zona të tëra nën ujë!

Përmbytje katastrofike në Turqi, shirat e rrëmbyeshëm sjellin kaos në disa qytete, zona të tëra nën ujë!

September 30, 2026
U dorëzua pas 8 muajsh në arrati për vdekjen e ish-bashkëshortes Xhuana Nikolli, Policia del me njoftim për arrestimin e Eraldo Fizit: Dyshohet se…

U dorëzua pas 8 muajsh në arrati për vdekjen e ish-bashkëshortes Xhuana Nikolli, Policia del me njoftim për arrestimin e Eraldo Fizit: Dyshohet se…

September 30, 2026
Tensionet në Lindjen e Mesme rrisin çmimin e naftës, Brent ngjitet në 93 dollarë për fuçi

SHBA kërkojnë nga Europa lirimin e rezervave të naftës

September 30, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com