Pas 11 vite nga vrasja e Elvis Dedaj alias Muharrem Habili që në Durrës njihej me nofkën “Loshja”, me ndihmën e dy bashkëpunëtorëve të Drejtësisë, Skerdi Tasi dhe Nuredin Dumani, SPAK ka arritur të zbardhë dy autorët e ngjarjes, ndërsa një tjetër me emrin Enea Prifti të verë nën hetim.
Gazetari i “Ora News” Elton Qyno ka mësuar se vrasja e Elvis Dedaj është kryer nga Henrik Hoxhaj dhe Festim Qoli alias “Festja”, të cilët tashmë janë marrë të pandehur dhe ndodhet në pritje të gjykimit me pjesën tjetër të personave që janë pjesë e dosjes “Dumani”.
Ndërsa një punonjës policie, Nazmi. Sh, sipas rrëfimit të penduarit Skerdi Tasi, ka ndihmuar për largimin e armëve të krimit nga zona e “Shkëmbit të Kavajës” duke i hedhur në një kanal të ujërave të zeza.
Shkak i vrasjes së “Loshja” ishte bërë një borxh financiar mes dy miqve Qoli-Dedaj.
Por situata dhe konflikti i këtyre dy njerëzve është përkeqësuar kur, Qoli është vënë në dijeni nga Plaurent Dervishaj se Elvis Dedaj kishte ofruar 700 mijë euro për vrasjen e të fortit të Durrësit, Festim Qoli.
Ditën e vrasjes Elvis Dedaj kishte udhëtuar nga Durrësi në Tiranë, për të dërguar të fejuarën Paula M. për të dhënë provim.
Pas rikthimit në Durrës dhe lënies së të fejuarës tek shtëpia në lagjen nr. 6, Durrës, rreth orës 14:45 minuta është nisur në drejtim të “Shkëmbit të Kavajës”, ku i ndjeri ka shkuar në plazhin “Rio”.
Pasi në këtë vend kishte marrë lokal me qira dhe pas qëndrimit këtu përreth një orë është larguar i vetëm në rrugën dytësore Golem-Plepa, ku dhe ka mbetur i vrarë.
Dedaj ka marrë në trup 6 plumba, duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Atë ditë ai kishte me vete një armë pistoletë “Glock”, por pa mundur ta verë në përdorim.
I penduari Skerdi Tasi ka pohuar në SPAK, se Elvis Dedaj e ka vrarë me automatik “Skorpions” Henrik Hoxhaj, i cili kishte qenë në makinë bashkë me Festim Qolin, i cili e ka nxitë e shtyrë Henrikun ta bënte krimin për të.
Tasi, ka thënë para prokurorëve se këtë gjë ia kishte thënë vetë Henrik Hoxhaj, si për ti dhënë provën se edhe më parë kishte kryer vrasje. “…duke më thënë se megjithëse të ndjerin e kishte pas kumbar të të birit, kishte pranuar t’a vriste për Festimin të cilin e konsideronte si vëlla…”-është shprehur Tasi.
Henrik Hoxhaj, ishte paguar për këtë nga Festim Qoli megjithëse i fundit i kishte thënë se Elvisin (të ndjerin) e kishte patur shok.
Tasi ka treguar se Henriku, i kishte qëlluar atë në parakalim me “Skorpions” dhe pastaj kishte zbritur nga makina dhe duke çaluar me një këmbë, i ishte afruar tek xhami dhe e kishte qëlluar sërish në kokë.
Ndërsa i penduari tjetër Nuredin Dumani, gjatë marrjes në pyetje ka treguar në SPAK se Elvis Dedaj ishte ekzekutuar nga Henrik Hoxhaj dhe në makinë me të si shofer kishte qenë Festim Qoli.
Sipas Dumanit, Enea Prifti, kishte njoftuar me telefon Festim Qolin për vendndodhjen e viktimës, pasi më parë Enea, kishte drekuar me viktimën Elvis Dedaj.
Dumani ka treguar se Henriku ka qëlluar mbi viktimën. Pas vrasjes Henriku e Festimi, janë larguar me automjetin ”Mistubishi” të cilit më pas i kanë vënë flakën.
“…makina “Mitsubishi” është parkuar në garazhdin e Agim Gjinit, i cili e kishte nxjerrë ditën e ngjarjes duke ja dhënë Festim Qolit. Pas ngjarjes Festim Qoli ishte larguar për në Shkozet dhe tek Hotel “Aleksandria” kishte marrë makinën tip “Linkoln…”-tregon Nuredin Dumani.
Për krimin që kreu Festimi i kishte dhënë Henrikut shumën prej 100.000 euro. Ndërsa dy armët që u patën përdorur në krim i patën hedhur tek Shkëmbi i Kavajës, mbi rrugën kryesore. Sipas tij njërën prej armëve e kishte gjetur dhe marrë në atë zonë një punonjës policie Nazmi. Sh. bashkë me një person tjetër të panjohur, të cilat i kishin hedhur në një kanal të ujërave të zeza tek mbikalimi në Shën Vlash.
Sipas Nuredin Dumanit, shkak për kryerjen e kësaj vrasjeje kishte qenë fakti se Festim Qolit i kishte rënë në vesh nga Plaurent Dervishaj, se Elvis Dedaj kishte ofruar rreth 700 mijë euro për të vrarë Festim Qolin.
Për këtë ngjarje, Henrik Hoxhaj, nuk ka pranuar të flasë duke treguar në SPAK se s’mund të merrte përsipër krime që nuk i kishte kryer dhe s’kishte marrë pjesë.
Për shkak të refuzimit për të bashkëpunuar, SPAK në muajin Korrik vendosi ta heqë Henrik Hoxhaj nga statusi i bashkëpunëtorit, duke i komunikuar atij akuzën e “Vrasjes me paramendim” kryer në bashkëpunim ndaj Elvis Dedaj, Aredin Beharit, dhe disa personave të tjerë./m.j