Një ngjarje e rëndë është regjistruar në qendër të Shkodrës, pranë shatërvanit, ku raportohet për një plagosje të dyfishtë me thikë mes adoleshentësh.
Sipas informacioneve paraprake, konflikti ka ndodhur mes disa të rinjve, ku dyshohet se të gjithë janë nën moshën 18 vjeç. Gjatë përplasjes, janë përdorur thika duke lënë të plagosur dy persona, raporton korrespondenti i Top Channel Klodian Zhivani.
Të dy të rinjtë janë transportuar në spital, ndërsa aktualisht raportohet se ndodhen janë jashtë rrezikut për jetën.
Forcat e policisë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave, si dhe për identifikimin e autorit dhe shkaqeve që çuan në konflikt.
Rreth orës 19:50, në Spitalin Rajonal Shkodër janë paraqitur për ndihmë mjekësore, të dëmtuar me mjet prerës (thikë), shtetasi E. P., 19 vjeç, dhe një 17-vjeçar, të cilët aktualisht ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe, nga veprimet e para hetimore, dyshohet se këta shtetas janë dëmtuar me mjet prerës në lagjen “Qemal Stafa”, gjatë një konflikti të çastit.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe kapjen e autorëve.











