Policia e Fierit i vuri prangat një 49-vjeçari i cili akuzohet si bashkëpunëtor i Altin Nika, i cili plagosi të premten me armë zjarri Dashamir Muçën.
Mësohet se i arrestuari ka ndihmuar autorin e plagosjes të largohej nga vendi i ngjarjes
“Në vijim të veprimeve për ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, në lagjen “11 janari”, ku mbeti i plagosur me armë zjarri shtetasi D. M., 50 vjeç, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Fier arrestuan në flagrancë shtetasin B. H., 49 vjeç, banues në Mallakastër, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
Nga hetimet ka rezultuar se ky shtetas ka ndihmuar autorin e ngjarjes, shtetasin A. N. alias M. V., 52 vjeç, të largohej nga vendi i ngjarjes.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti me të cilin është larguar autori, brenda të cilit u gjetën 1 armë zjarri pistoletë, 1 krehër, 12 fishekë dhe 1 pistoletë paralizuese”, tha policia e cila thekson se po punon për kapjen dhe ndalimin e autorit 52-vjeçar.
NGJARJA SIPAS POLICISË
Zyrtarisht u bë me dije nga Policia e Fierit se dje në mesditë është shënuar një plagosje me armë zjarri brenda në qytet. Dyshohet së përplasja nisi për një konflikt të çastit. Siç bëhet me dije nga Policia, mësohet se autori është Altin Nika, i cili ka plagosur me armë zjarri Dashamir Muçën, që ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.
Menjëherë pas ngjarjes, Policia është vënë ndjekje të autorit duke ngritur disa pika postblloku, ku njëra prej tyre është në hyrje të qytetit të Vlorës dhe duke kryer kontrolle në automjete të ndryshme. Ngjarja ka ndodhur pranë një parukerie, e cila ishte e të plagosurit dhe punonte bashkëshortja e tij.
“Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika të shumta kontrolli, në të gjithë territorin e qarkut, me qëllim kapjen e tij. Rreth orës 13:15, në lagjen ’11 janari’, dyshohet se pas një konflikti të çastit, shtetasi A. N., 52 vjeç, ka plagosur me armë zjarri, shtetasin D. M., 50 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve”.
Policia thekson se po vijon puna intensive për kapjen e shtetasit Altin Nika, i cili dyshohet se ka marrë rrugën kryesore në drejtim të Vlorës. Grupet e Policisë kanë qëndruar në terren për të bërë të mundur arrestimin e tij, por pa mundur ta kapin.
Sipas burimeve, Policia ka marrë një sërë dëshmish në lidhje me të dy personat, ndërkohë që janë sekuestruar edhe një sërë pamjesh filmike, të cilat pretendohet të hedhin dritë mbi atë moment.
Po ashtu janë marrë dëshmitë e familjarëve të të dyja palëve, ndërkohë që deri orëve të vona të së djeshmes Policia nuk ka mundur dot të marrë një dëshmi konkrete nga personi i plagosur.
/e.d