Pesë akademikë dhe studiues të njohur shqyrtojnë figurën e liderit komunist. “Javanews” po risjell për publikun përmbajtjen e një prej rubrikave me debate të revistës “JAVA”, në lidhje me shqyrtimin e figurës së Enver Hoxhës.
Deri sot nuk del që Enver Hoxha të ketë nënshkruar traktate apo marrëveshje të hapëta apo të fshehta, të cilat të kenë cenuar interesat e kombit apo të atdheut, siç ndodhi me pushtetin e Ahmet Zogut. Në thelb, tërë ato kthesa që ne njohim tregojnë se Enver Hoxha synonte të konsolidonte pushtetin partiak, në thelb autoritetin personal pa e shkelur, përkundrazi, duke e respektuar pavarësinë e Shqipërisë dhe interesat e kombit. Në rast se Enver Hoxha del para gjyqit të historisë, ai duhet dënuar për dhunën që përdori ndaj popullit të vet pas Luftës së Dytë Botërore, por jo për shërbimin që ai i bëri atdheut gjatë periudhës së parë si udhëheqës i Partisë Komuniste Shqiptare….
Enver Hoxha luftoi si pasardhës i nacionalistëve rilindës
Roli i Enver Hoxhës në Luftën e Dytë Botërore dhe pozicioni i tij në të gjithë rezistencën antifashiste rrëfehet më së miri nga historiani i njohur, i cili e shikon në të dyja planet figurën e liderit komunist…
Nga prof. Kristo Frashëri
Dalëngadalë po mbushen 70 vjet nga fitorja më 29 Nëntor 1944 e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, e cila nuk mund të mohohet se i solli Shqipërisë pavarësinë kombëtare të shkelur nga okupatorët fashistë italianë më 7 prill 1939. Dalëngadalë po mbushen gjithashtu 70 vjet nga vendosja më 29 Nëntor 1944 e diktaturës së Partisë Komuniste, e cila, në vend të demokracisë së premtuar e sfiliti popullin shqiptar më tepër se 45 vjet me pushtetin e saj autoritar. Ajo që i lidh të dyja këto periudha të veçanta historike është roli udhëheqës që luajti në të dyja periudhat e njëjta parti – Partia Komuniste Shqiptare, më vonë Partia e Punës e Shqipërisë, dhe në mënyrë kategorike udhëheqësi i saj Enver Hoxha, i cili e drejtoi partinë në të dyja periudhat me anëtarë të ndryshëm në Komitetin e saj Qendror. Megjithatë, të dyja këto periudha patën përmbajtje historike të ndryshme.
E PARA, kishte si bosht politik çlirimin e Atdheut nga okupatorët nazifashistë dhe vendosjen në Shqipërinë e pavarur të regjimit demokratik popullor.
E DYTA, pati si pikësynim ndërtimin në kushtet e Shqipërisë së pavarur të shoqërisë socialiste për të arritur në vendosjen e rendit komunist. Kemi të bëjmë me dy periudha, të cilat nuk janë të lidhura domosdoshmërisht me njëra-tjetrën. Lufta Nacional Çlirimtare në parim mund ta sillte, por edhe mund të mos e sillte vendosjen e regjimit komunist. Nga ana e tij, regjimi i pasluftës, demokratik ose jodemokratik, varej nga përbërja e udhëheqjes së Luftës Nacional Çlirimtare. Nëse rolin kryesor në çlirimin e vendit do ta luante, si në Francë, një parti e ashtuquajtur borgjeze, Shqipëria do të kishte shpëtuar nga regjimi komunist. Në të njëjtën kohë, karakteri i pushtetit varej dhe nga situata ndërkombëtare në të cilën u ndodh pas luftës çështja shqiptare. Nëse Fuqitë e Mëdha do ta kishin përfshirë Shqipërinë, ashtu si Greqinë, në zonën e ndikimit britanik, vështirë se këtu mund të vendosej regjimi komunist.
Të dyja periudhat dallohen midis tyre edhe në një drejtim tjetër të rëndësishëm. Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare nën udhëheqjen e Partisë Komuniste e realizoi misionin e saj parësor. Shqipëria u çlirua dhe pavarësia u mëkëmb. Përkundrazi, në periudhën e dytë, Partia Komuniste në programin madhor për të mëkëmbur në Shqipëri në vend të demokracisë popullore, një regjim socialist, dështoi. Edhe pse regjimi komunist pati suksese në fushën teknologjike, ai i shkaktoi dhembje të mëdha shoqërisë shqiptare. Karakteri i vrazhdë i regjimit komunist jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e Europës lindore, tashmë është vënë mjaft qartë në dukje. Kush më shumë e kush më pak, pothuajse të gjithë ata që e përjetuan pas luftës diktaturën komuniste e kanë dënuar regjimin komunist të Enver Hoxhës. Edhe autori i këtyre radhëve nuk u pajtua me parimet e tij komuniste që në ditët e Luftës së Dytë Botërore.
Megjithatë, në këtë mes ka një keqkuptim. Jo pak qytetarë nuk e dallojnë rolin e ndryshëm që luajti Partia Komuniste gjatë dy periudhave të saj historike – gjatë luftës dhe pas luftës. Të persekutuarit, nga urrejtja e shkaktuar prej vuajtjeve që pësuan pas luftës gjatë regjimit komunist dhe në solidaritet me ta, jo pak qytetarë të revoltuar nga shkelja brutale e të drejtave të njeriut e shohin me syze të errëta edhe Luftën Nacional Çlirimtare. Një këndvështrim i tillë për periudhën e parë, pra për Luftën Nacional Çlirimtare, është shkencërisht dhe moralisht i padrejtë. Urrejtja është këshilltarja më ogurzezë e arsyetimit politik. Është afërsisht njësoj sikur të hedhësh në plehra foshnjën së bashku me shpërgënjtë. Të urresh Luftën Nacional Çlirimtare vetëm se në udhëheqjen e saj luajti rol Partia Komuniste Shqiptare, është një padrejtësi që i bëhet historisë. Ata harrojnë se dëshmorët e Luftës Nacional Çlirimtare e dhanë jetën e tyre të shtrenjtë për lirinë e Atdheut dhe jo për regjimin komunist, i cili më 29 Nëntor 1944 nuk vezullonte ende në horizontin politik shqiptar.
Nga ky këndvështrim politik lind pyetja: Përse nuk është e drejtë ta gjykosh veprimtarinë që zhvilloi Partia Komuniste Shqiptare gjatë Luftës Nacional Çlirimtare me syzet mëkatare që ajo zbatoi, pas Luftës së Dytë Botërore gjatë regjimit komunist? Ta shohim!
Një nga tiparet kryesore që të bie në sy kur lexon jetëshkrimin e Enver Hoxhës janë kthesat e tij politike, të shpeshta dhe të papritura. Para se të themelohej Partia Komuniste Shqiptare, pra, para 8 nëntorit 1941, Enver Hoxha simpatizonte pikëpamjet social-demokrate ashtu siç propagandoheshin në Europë në periudhën midis dy Luftërave Botërore pa qenë militant i tyre. Përkundrazi, kur më 8 nëntor 1941 Enver Hoxha u ndodh në radhët e Komitetit Qendror të PKSH-së, ai u shfaq menjëherë si një bolshevik i brumosur në shkollën staliniste – si një militant stalinist, jo për programin bolshevik që pati Revolucioni i Tetorit, por për platformën aspak bolshevike që kishte miratuar Kominterni në pragun e Luftës së Dytë Botërore.
Siç dihet, platforma e re që Kominterni miratoi në pragun e Luftës së Dytë Botërore kërkonte nga partitë komuniste të të gjitha vendeve të botës mobilizimin e tyre jo për të ndërmarrë revolucionin socialist të ngjashëm me Revolucionin sovjetik të Tetorit, por për të organizuar Frontin Antifashist Nacional Çlirimtar në luftë kundër agresorëve hitlerianë dhe aleatëve të tyre fashistëve italianë dhe militaristëve japonezë. Veç kësaj, platforma e re kishte nga pikëpamja e aleancave një diapazon më të gjerë se ajo e shpallur nga Internacionalja e Tretë Komuniste më 1919. Platforma e re i ftonte Partitë Komuniste të krijonin një front të përbashkët me të gjitha partitë e spektrit antifashist, të majta apo të djathta, qytetare apo fshatare, laike apo klerikale, politike apo shoqërore, për të përballuar bashkërisht agresorët e bllokut nazist-fashist-militarist. Fronti i përbashkët antifashist i cili më parë u quajt Fronti Popullor, me fillimin e Luftës së Dytë Botërore u pagëzua me emrin Fronti Antifashist Nacional Çlirimtar. Gjithnjë sipas platformës së re, për të zgjeruar diapazonin e aleancave, partitë komuniste porositeshin nga Kominterni që të zotoheshin publikisht se në mbarim të luftës regjimi politik do të vendosej jo me një revolucion proletar, por me një plebishit popullor. Partia Komuniste Shqiptare e miratoi këtë platformë që në ditën e themelimit të saj. Merita e platformës, nuk ishte e Enver Hoxhës, as e komunistëve shqiptarë, as e Partisë Komuniste Jugosllave, por e Moskës bolshevike. Atë platformë e sollën nga Moska nëpërmjet Beogradit në Tiranë dy emisarët e njohur të Titos, Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha.
Ndërkaq, Kominterni ua linte si detyrë partive komuniste hapësirën që platformën e re ta vinin në zbatim në përshtatje me kushtet konkrete të vendeve të tyre. Mund të thuhet se autorësia e mënyrës sesi u zbatua platforma e re e Kominternit në kushtet e Shqipërisë i takon kryesisht Enver Hoxhës. Kjo, për arsye se platforma e re nuk mbështetej si ajo e vitit 1919 mbi internacionalizmin proletar, por mbi idetë nacionaliste për të cilat E. Hoxha për nga formimi ideologjik ishte më i përshtatshëm se anëtarët e tjerë të udhëheqjes së PKSH-së.
Në të vërtetë, Enver Hoxha e udhëhoqi Luftën Nacional Çlirimtare jo si një bolshevik i frymëzuar nga internacionalizmi proletar, por si një pasardhës i nacionalistëve rilindës i fshehur brenda një lëvozhge internacionaliste. Ky kombinacion ideologjik i dha dorë PKSh-së të tërhiqte në Konferencën e Pezës në themelimin e Frontit Antifashist Nacional Çlirimtar, në shtatorin e vitit 1942, kontingjentin e parë të nacionalistëve dhe demokratëve shqiptarë jokomunistë. Megjithatë, Enver Hoxha ndërsa i konsideronte nacionalistët aleatë të domosdoshëm, në të njëjtën kohë ai kujdesej t’i pranonte ata në Frontin Nacional Çlirimtar si individë dhe jo si grup apo si parti antikomuniste.
***
Deri sot nuk del që Enver Hoxha të ketë nënshkruar traktate apo marrëveshje të hapëta apo të fshehta, të cilat të kenë cenuar interesat e kombit apo të atdheut, siç ndodhi me pushtetin e Ahmet Zogut. Në thelb, tërë ato kthesa që ne njohim tregojnë se Enver Hoxha synonte të konsolidonte pushtetin partiak, në thelb autoritetin personal pa e shkelur, përkundrazi, duke e respektuar pavarësinë e Shqipërisë dhe interesat e kombit. Në rast se Enver Hoxha del para gjyqit të historisë, ai duhet dënuar për dhunën që përdori ndaj popullit të vet pas Luftës së Dytë Botërore, por jo për shërbimin që ai i bëri atdheut gjatë periudhës së parë si udhëheqës i Partisë Komuniste Shqiptare. Analistët e ditës mund të thurin akuza sipas shijeve të tyre. Por argumenti i tyre kryesor se Enver Hoxha duhet dënuar si udhëheqës i Luftës Nacional Çlirimtare për gabimet e rënda që kreu pas Luftës Nacional Çlirimtare si udhëheqës i diktaturës komuniste, nuk qëndron. Ai është një ‘non sens’ historik. Këtë logjikë, kandari i historisë nuk e pranon.
-*-*-*
Jo rehabilitim, por rivlerësim
Kundër historianëve bardh e zi
Nga Fatos Tarifa*
Pyetjes së revistës JAVA nëse, në kuadër të 70 vjetorit të Çlitimit të Shqipërisë, figura e Enver Hoxhës duhet të rehabilitohet apo jo, dëshiroj t’i përgjigjem duke hapur një parantezë dhe duke e shtrirë arsyetimin dhe analizën time përtej figurës së tij si individ, me fjalë të tjera, duke e vlerësuar Hoxhën në kontekstin historik e politik të periudhës së Luftës së Dytë Botërore dhe, sidomos, të periudhës së gjatë të “diktaturës së proletariatit” që e pasoi atë.
Parantezë
Koncepti dhe praktika e rehabilitimit politik lidhen me―dhe janë aplikuar zakonisht në―vendet dhe partitë komuniste, në të cilat, për shkak të ndryshimeve në linjën politike që shkaktonte “lufta e klasave” brenda një vendi, ose në radhët e një partie komuniste, anëtarë të veçantë të udhëheqjes politike mund të humbisnin terren e të diskreditoheshin, të përjashtoheshin nga partia dhe nga organet drejtuese të shtetit, madje edhe të asgjesoheshin fizikisht, duke u zëvendësuar me individë që përkrahnin linjën e re brenda partisë dhe shtetit komunist. Ndonjë ose disa prej tyre, më vonë, mund të rehabilitoheshin, duke iu njohur sërish vlerat dhe kontributet e tyre në luftë ose në ndërtimin e socializmit. Në Bashkimin Sovietik, disa prej figurave më të njohura që u rehabilituan nga Gorbachovi, në vitin 1988, ishin Zinovievi, Kamenevi, Buharini, Radeku dhe, shumë kohë para tyre, Marshalli Tukashevski, i cili u rehabilitua nga Hrushovi, në vitin 1961, Në Kinë, një figurë e tillë ka qenë Ten Sjaopin, i cili, pasi u poshtërua publikisht në kohën e Revolucionit Kulturor, nën akuzën e ideatorit të një “rruge të tretë” reformiste, u rehabilitua më vonë (pas vdekjes së kryetarit Mao) dhe u bë lideri kryesor i Republikës Popullore të Kinës.
Në rastin e Enver Hoxhës, termi “rehabilitim”, në kuptimin e përdorur më sipër, nuk mund të aplikohet, pasi kjo figurë nuk u dënua ndonjëherë nga partia politike që ai udhëhoqi dhe as nga regjimi shtetëror që ai e themeloi dhe e drejtoi deri në vdekjen e tij. Si njëra, dhe tjetri nuk ekzistojnë më. Në rast se bëhet fjalë për rehabilitimin e Enver Hoxhës, si një personalitet i rëndësishëm në historinë politike të Shqipërisë gjatë shekullit të 20-të, pas kryqëzatës që nisi kundër figurës së tij dhe zhvlerësimit thuajse të plotë të rolit të rij në periudhën e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe pas saj, atëherë nuk bëhet fjalë për rehabilitim të kësaj figure, por për rivlerësimin e saj. Kjo nuk është detyrë e politikanëve të sotëm, as e komentatorëve të medias. Kjo është detyrë ekskluzive dhe shumë e vështirë e historianëve, e sociologëve dhe e studiuesve të politikës, veçanërisht të marrëdhënieve shtet-shoqëri.
Analizë
Si sociolog, figurën e Enver Hoxhës dhe të kujtdo prej drejtuesve të tjerë komunistë në vendet e Europës Qendrore e Lindore, nuk mund ta shoh e ta vlerësoj të shkëputur nga konteksti historik dhe politik që u krijua gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Në analizat e mia, edhe më parë, kam venë dhe vë në bazë të arsyetimit konceptin e legjitimitetit politik, të formuluar nga Max Ëeberi. Nga ky këndvështrim, dëshiroj ta vlerësoj figurën e Hoxhës edhe sot. Si një sociolog i politikës, jo si një politikan dhe as si një historian i politizuar.
Hapësira dhe koha në dispozicion e bëjnë të pamundur një trajtim tërësor të kësaj çështjeje. Por, një gjë mund të thuhet me siguri. Enver Hoxha ka qenë figura historike më e rëndësishme në shoqërinë shqiptare të shekullit të 20-të. Më e rëndësishme nuk do të thotë domosdo figura më e ndritur, por ajo figurë që ka luajtur një rol më të madh (dhe për një kohë më të gjatë) në historinë e këtij vendi se çdo personalitet tjetër, para ose pas tij. Natyra e sistemit politik që ai krijoi dhe drejtoi për 40 vjet me radhë dhe roli i tij si individ në atë sistem, kanë pasur një ndikim shumë më të madh në zhvillimin historik, politik e shoqëror të këtij vendi sesa ato të çdo individi tjetër. Prandaj, do të ishte historikisht―dhe intelektualisht―e gabuar dhe jodialektike që roli i kësaj figure shumë të rëndësishme në historinë shqiptare të shekullit të 20-të të trajtohej bardhë e zi, ose që ai të mohohej krejtësisht, duke e konsideruar atë thjesht si një diktator dhe vetëm si vrasës. Jepini, Cezarit atë që i përket Cezarit dhe Perëndisë atë që i përket Perëndisë.
Së pari, roli dhe kontributi i Enver Hoxhës në krye të Lëvizjes së armatosur Antifashiste Nacional-Çlirimtare është i pamohueshëm. Shqipëria, bashkë me Jugosllavinë, ishin të vetmet vende në Europën Lindore që u çliruan pa ndërhyrjen e Ushtrisë së Kuqe. Sidoqoftë, ndërsa trupat sovjetike marshuan përmes Beogradit (edhe pse në mbarim të Luftës së Dytë Botërore Jugosllavia nuk mbeti nën pushtimin sovjetik, si vendet e tjera të rajonit), në Shqipëri nuk shkeli as edhe një ushtar rus. Në këto dy vende, komunistët përbënin forcën e vetme politike që e kundërshtoi pushtimin fashist nga fillimi i Luftës deri në fund të saj. Ata organizuan dhe drejtuan lëvizje të fuqishme partizane në vendet përkatëse, ndërkohë që forca të tjera politike—çetnikët në Serbi, në Mal të Zi dhe në pjesë të tjera të Jugosllavisë dhe ballistët e legalistët në Shqipëri—bashkëpunuan me pushtuesit fashistë italianë dhe atanazistë, duke u mundur bashkë me ta. (Lufta civile mes komunistëve dhe Guomindanit në Kinën e viteve 1947-1949 mund të konsiderohet një shembull i ngjashëm). Asnjë forë tjetër politike në Shqipërinë e periudhës së Luftës së Dytë Botërore, asnjë lëvizje e organizuar dhe asnjë individ nuk mund të pretendojnë merita më të mëdha në përpjekjet për çlirimin e vendit nga ushtritë fashiste e naziste sesa Partia Komuniste, Lëvizja Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe vetë drejtuesi i tyre, Enver Hoxha.
Së dyti, nuk ka dyshim se pjesëmarrja dhe roli udhëheqës në luftën kundër fuqive të Boshtit shërbeu për partitë komuniste, pothuajse në të gjitha vendet e Europës Lindore, jo vetëm si një burim prestigji politik dhe si një hap i rëndësishëm drejt marrjes së pushtetit (në Shqipëri dhe Jugosllavi ky ka qenë, madje, faktori vendimtar), por edhe si një nxitës i fuqishëm për t’u paraqitur si shpëtimtarë të kombit dhe si e vetmja forcë legjitime për të ushtruar pushtetin politik pas vitit 1945. “Kudo në Europën Lindore”, shkruan Alfred Meyer, “partitë komuniste dolën me një lloj prestigji dhe fuqie që nuk e kishin pasur kurrë më parë, dhe me një imazh që e kishin fituar nga roli i tyre udhëheqës në luftrat guerrilase dhe nga martirizimi. Në fakt, kudo në Europë (dhe jo vetëm në Europë) partitë komuniste, pas Luftës, mund të pretendonin me sukses se ishin parti patriotike. Në këtë kuptim, komunizmi u bë i respektueshëm”. Në veprën e tij tashmë klasike, Rendi politik në shoqëritë në ndryshim, Sammuel Huntington shkruan se partitë komuniste në vendet e Europës Lindore arritën të hidhnin “rrënjë të thella në radhët e popullsive të tyre dhe se, në fakt, ishte për shkak të aftësisë së elitave komuniste që ato arritën shumë shpejt të vendosin regjime të reja funksionale dhe legjitime, mbi bazën e pjesmarrjes së gjerë masive, mbi gërmadhat e regjimeve të diskredituara”.
Ndërsa në të gjitha revolucionet komuniste të Europës Qendrore e Lindore partitë komuniste erdhën në pushtet në saje të pranisë së Ushtrisë së Kuqe, vetëm Shqipëria dhe Jugosllavia u vunë nën kontrollin e lëvizjeve të rezistencës, të dominuara nga komunistët. Gjatë Luftës, sa herë që partizanët në këto dy vende çlironin një zonë të caktuar, ata organizonin komitete për administrimin e çështjeve lokale dhe për ruajtjen e rendit. Kur lufta po i afrohej fundit, u bë e qartë se komunistët, në këto dy vende, kishin ngritur autoritetet qendrore përkatëse: KANÇ (Këshilli Antifashist Nacional-Çlirimtar i Shqipërisë) dhe AVNOJ (Këshilli Antifashist për Çlirimin Kombëtar të Jugosllavisë). Pavarësisht faktit se regjimi që u vendos në Shqipëri pas Luftës mori trajtat më ekstreme të radikalizmit jakobin, nuk mund të mohohet se Enver Hoxha, ashtu si edhe Tito në Jugosllavi, kishte dhuntitë dhe karizmën e një lideri politik të pazakontë. Në Shqipëri dhe në Jugosllavi, fryma partizane e kohës së luftës dhe aspekti nacional i saj krijuan, parti komuniste të forta dhe të mbështetura gjerësisht në masat.
Së treti, vakumi politik që u krijua në Shqipëri dhe në Jugosllavi pas Luftës së Dytë Botërore kontribuoi në mënyrë vendimtare në marrjen e menjëherëshme të pushtetit nga komunistët. Këtu nuk mund të mohohet natyra karizmatike e Titos dhe e Hoxhës, gjë që, sidomos në periudhën post-revolucionare, pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, luajti një rol të rëndësishëm, duke krijuar një bazë më të qëndrueshme për legjitimitetin dhe autoritetin e tyre politik sesa në vendet e tjera të Europës Lindore. Ky faktor pati një rëndësi të veçantë, si në krijimin e bazës së legjitimitetit për regjimet komuniste të Titos dhe të Hoxhës, ashtu edhe në përcaktimin e rrugëve të tyre të pavarura, ikonoklastike gjatë dekadave që pasuan. Siç vinte në dukje Milovan Gjilasi, “atje ku një revolucion komunist ka arritur fitore në mënyrë të pavarur, është e pashmangshme një rrugë zhvillimi e veçantë”. Asnjëri nga regjimet komuniste në Europën Qendore e Lindore (ndoshta me përjashtim vetëm të regjimit të Gomulkës në Poloni), nuk krijoi një autoritet karizmatik përmes “kultit të individit” të udhëheqësve të tyre, siç ndodhi me Titon në Jugosllavi dhe me Hoxhën në Shqipëri. Këta të fundit konsideroheshin nga një masë e gjerë e popullsisë si udhëheqës të vërtetë popullorë dhe shiheshin prej saj si mishërim i revolucionit, si heronjtë që i kishin udhëhequr popujt e tyre në luftën kundër mizorive të pushtuesve fashistë e nazistë dhe në përpjekjet për të dalë nga prapambetja e së kaluarës autoritariste.
Së katërti, ndër të gjitha vendet e Europës Lindore, Shqipëria kishte qenë vendi më i prapambetur nga pikëpamja ekonomike e sociale. Kjo, nga njëra anë, ndikoi që lëvizja partizane, e drejtuar nga komunistët, të gjente një mbështetje të fortë popullore, sidomos në radhët e fshatarësisë dhe të shtresave të varfra të qyteteve, gjendja e të cilave ishte, pa dyshim, më e vështira. Nga ana tjetër, një rrethanë e tillë bëri që arritjet ekonomike e shoqërore, gjatë fazës fillestare të ndërtimit socialist, të dukeshin edhe më të mëdha, duke i dhënë mjaft legjitimitet udhëheqjes së Partisë Komuniste dhe vetë Hoxhës, që ishte dhe mbeti në krye të saj. Këtu është me interes të vë në dukje pikëpamjen që ka argumentuar Alfred Meyer se, për të vlerësuar shkallën e legjitimitetit të pushtetit në vendet komuniste të Europës Lindore, është e rëndësisjme që të veçohet ai grup shoqëror, ose ato grupe shoqërorë, qendrimet e të cilëve janë më thelbësoret për mbajtjen në këmbë të sistemit. Në Shqipëri, një grup i tillë ishte fshatarësia, e cila ishte jo vetëm numerikisht më e madhja, por edhe grupi më i rëndësishëm shoqëror në përcaktimin e suksesit të rendit të ri politik që u vendos pas Luftës. Të shpërfillur e të shfrytëzuar për shekuj me radhë, ishin pikërisht masat e fshatarëve të varfër, dhe ndoshta klasa punëtore industriale e krijuar rishtazi, pas Çlirimit të vendit, ata që përfituan më shumë se çdo grup tjetër në fazën e hershme të ndërtimit socialist. Nuk ka dyshim se, ashtu si edhe partitë komuniste në vende të tjera të Ballkanit, edhe në Shqipëri, Partia Komuniste kishte rrënjë më të thella dhe mbështetje më të fortë në radhët e fshatarësisë, se sa të çdo grupi tjetër shoqëror. Dhe, në gjykimin tim, sa më agrar e i pazhvilluar të ishte një vend, aq më shumë besim në vetvete dhe aq më shumë forcë do të kishte partia komuniste dhe pushteti i saj. Mungesa në vendet e Ballkanit e një klase të mesme, ose e një borgjezie të vogël, në përmasa të konsiderueshme, kontribuoi për marrjen dhe mbajtjen më lehtë të pushtetit nga partitë komuniste, të cilat nuk hasën pothuajse në asnjë opozitë të organizuar, ose në kërcënime politike ndaj pushtetit të tyre, siç ndodhi me vendet më të zhvilluara socialiste: në Hungari, në Poloni dhe në Çekosllovaki.
Për shkak të prapambetjes shumë të thellë ekonomike e shoqërore të Shqipërisë para Luftës dhe fill pas saj, përmirësimet e bëra në kushtet e jetës së popullsisë, ose perceptimi i tyre nga masa e gjerë e popullsisë, gjatë dy dekadave të para pas Çlirimit, ishin tepër të mëdha dhe realisht të ndjeshme. Rritja e shpejtë ekonomike gjatë viteve 1950 dhe 1960, e cila dukej e jashtëzakonshme në kontrast me nivelet skajshmërisht të ulta të fillimit, si dhe arritjet e konsiderueshme në fushën e barazisë sociale, të strehimit, të punësimit, të shëndetësisë, të luftës kundër analfabetizmit, të arsimit e të kulturës, ishin shokuese për masën e gjerë të popullit. Për të gjitha këto―dhe jo pa arsye―merita iu njoh udhëheqjes komuniste të Enver Hoxhës, duke ia rritur atij së tepërmi popullaritetin dhe duke krijuar një nivel të lartë legjitimiteti për regjimin e tij.
Së pesti, nuk duhet harruar se, ndryshe nga sa mendojnë disa autorë shqiptarë, kryesisht historianë, të cilët e vërteta historike i tremb, në vend që t’i çlirojë, modernizimi i shoqërisë shqiptare filloi, në të vërtetë, jo në periudhën midis dy luftrave botërore, në kohën e sundimit të mbretit Zog, por pas Luftës së Dytë Botërore, në periudhën e socializmit shtetëror. Në teorinë sociale, modernizimi kuptohet si ai proces transformues, i cili e shndërron një shoqëri nga gjerndja e saj agrare e rurale, në një shoqëri urbane, të industrializuar e të sekularizuar. Modernizimi i një shoqërie është i lidhur ngushtë me industrializimin e saj dhe industrializimi i Shqipërisë dhe shndërrimi i saj nga një vend agrar shumë i prapambetur, në një vend industrial-agrar, nisi dhe u krye në kushtet e socializmit shtetëror. Ky transformim çoi pashmangësisht në shndërrime të mëdha kulturore e sociale, në arsimimin masiv të popullsisë, në krijimin e universiteteve të para shqiptare, në shndërrime të thella në marrëdhëniet familjare, në një ndarje të re e më të specializuar të punës etj.―të gjitha këto, tipare të një shoqërie moderne, ose në modernizim e sipër.
Të thuash, siç bënte pak kohë më parë historiani Ferit Duka, se koha e Zogut ishte ku e ku (më e mirë) në krahasim me atë të Enver Hoxhës (pra se Shqipëria e para Luftës së Dytë Botërore ishte shumë më e mirë se ajo e pas-Luftës), do të thotë të gjykosh ahistorikisht, në mënyrë metafizike e të përciptë. Sepse, ndërsa Zogu, ky monark i pailuminuar dhe jonacionalist, iu shmang historisë kombëtare në një moment vendimtar për popullin shqiptar, të cilin, si mbret i vetëshpallur i tyre, duhej ta udhëhiqte në luftën kundër pushtuesit fashist dhe jo ta grabiste e ta braktiste, Enver Hoxha, edhe pse kishte njëmijë e një të këqia dhe ishte vërtet një diktator, ishte dhe mbetet një figurë historike shumë më e rëndësishme se Zogu dhe qendron më lart se ai. Do të ishte miopi historike dhe një cinizëm intelektual i pabazë të mohoje arritjet e jashtëzakonshme që u kryen në Shqipëri, gjatë pjesës më të madhe të periudhës së socializmit shtetëror. Këto arritje, duan apo s’duan ta besojnë një pjesë e historianëve dhe e studiuesve shqiptarë të sotëm, edhe ndër ata që e kanë jetuar atë kohë, u bënë të mundura jo thjesht përmes një ushtrimi totalitarist të pushtetit, por edhe, madje kryesisht, përmes punës dhe entuziazmit të një mase të gjerë të popullsisë.
Siç vë në dukje sociologu i njohur amerikan dhe miku im, Daniel Chirot, sot, kur komunizmi, si sistem shoqëror, nuk ekziston më në vendet e Europës Lindore, shpesh harrohet se “pushteti komunist nuk do të ishte ushtruar dot kurrë, madje as që do të kishte qenë i mundur, në rast se nuk do të kishte ekzistuar një kontigjent i konsiderueshëm besuesish të devotshëm’ si dhe pranimi i tij nga një numër i madh njerëzish, pra pa bashkëpunimin e drejtpërdrejtë apo të tërthortë të miliona fshatarëve, punëtorëve dhe intelektualëve në të gjitha vendet e Europës Lindore”. Jo vetëm kaq, por, vijon më tej Chirot, “pa një besim të fortë dhe pa një mbështetje masive për partitë komuniste në këto vende, [besim dhe mbështetje që] që erdhën duke u dobësuar gjithnjë e më shumë”, është “vështirë të mendosh se vetëm forca do t’i mbante komunistët në pushtet për një kohë kaq të gjatë”. Për sa kohë që populli i thjeshtë dhe kuadrot e administratës besonin në angazhimin e drejtuesve të Partisë dhe të shtetit socialist për të ndërtuar një jetë më të mirë dhe një shoqëri të begatë, ata i mbështetën politikat e tyre—madje, në disa vende, me entusiazëm të pazakontë dhe me patos revolucionar, sidomos në fillim—duke siguruar një bazë të fuqishme legjitimiteti për drejtuesit komunistë.
Max Ëeber, i cili trajtoi gjerësisht rëndësinë që ka legjitimimi i pushtetit, ka argumentuar në mënyrë bindëse se sistemet e pushtetit nuk i bazojnë pretendimet e tyre për kontroll mbi shoqërinë thjesht te forca fizike. Pushteti i çveshur, ose imponues, pushteti pa legjitimitet, është një tipar i rrallë në shoqërinë njerëzore. Shumë më i zakontë është pushteti konsensual, ose autoriteti, i cili pranohet me dëshirë dhe që, për rrjedhojë, është i legjitimuar. Kjo, nga pikëpamja e Ëeber-it, është baza e shumicës së rendeve shoqërore. Sado të fuqishme që t’i kenë mjetet e tyre të imponimit fizik dhe instrumentet e dhunës, të gjithë sunduesit preferojnë dhe kërkojnë pranimin e vullnetshëm të autoritetit të tyre, të së drejtës për të sunduar e komanduar. Edhe David Hume, megjithëse e pranonte rolin e forcës imponuese, argumentonte se “asgjë tjetër përveç pëlqimit dhe sensit të avantazhit, që rezulton nga qetësia dhe rregulli, nuk mund ta bëjë shumicën që t’i nënshtrohet një sunduesi”. Kjo, siç ka vënë në dukje Carl Friedrich, vlen si për sistemet totalitariste, ashtu edhe për shtetet demokratike, sepse “që të dy ushtrojnë pushtet, i cili, në një masë të madhe, është imponues dhe, në një masë po aq të madhe, është konsensual”. Në veprën e tij Demokracia në Amerikë, Alexis de Tocqueville, gjithashtu, theksonte se, “Një qeveri e cila nuk ka mjete të tjera për të garantuar bindjen [e qytetarëve ndaj saj] përveç luftës së hapur duhet të jetë shumë pranë falimentimit”.
Së gjashti, historianët dhe studiuesit e sotëm të shkencave sociale në Shqipëri, për të cilët oportunizmi politik është bërë një sëmundje profesionale (dhe paradoksalisht një sëmundje e preferuar për shumicën e tyre), harrojnë, ose nuk duan të marrin në konsideratë një fakt shumë të rëndësishëm, që ndikoi në legjitimimin e sistemit socialist dhe të udhëheqjes komuniste, jo vetëm në Shqipëri, por, ku më shumë e ku më pak, në të gjithë botën komuniste. Ky faktor ishte vetë doktrina komuniste, e cila u shndërrua në një besim të gjallë, madje u transformua në një forcë të jashtëzakonshme, që i shtyu miliona njerëz inteligjentë, kudo në Europën Lindore, të punonin me pasion, pasi ata besonin sinqerisht se e ardhmja i takon komunizmit, ndërsa kapitalizmi, sistemi i shtypjes dhe i shfrytëzimit, lëngonte në shtratin e vdekjes. Sipas Ëalter Laqueur-it, një prej historianëve amerikanë më të shquar në kohën tonë, “Komunistët nuk ishin një parti politike si gjithë të tjerat; ata premtonin jo thjesht një qeverisje të mirë dhe një ekonomi të begatë, por një botë të re lirie, drejtësie dhe lumturie për të gjithë…Në këtë parajsë tokësore, të çliruar nga prangat e shtypjes e të shfrytëzimit, çdo individ (dhe shoqëria në tërësi) do të mund t’i zhvillonte plotësisht aftësitë e veta. Më në fund, qeniet njerëzore do të bëheshin plotësisht njerëzore”.
Të mos harrojmë se, në periudhën midis dy luftrave botërore dhe për një kohë më pas, idetë komuniste u përqafuan edhe nga një numur i madh intelektualësh e shkrimtarësh të shquar në Perëndim, si Henri Barbuse, George Bernard Shaë, Lion Feuchtëanger, Sidney dhe Beatrice Ëebb, Romain Rolland, Thomas Mann, Theodore Dreiser dhe vetë Albert Einstein. Duke shpjeguar këtë dukuri dhe ndryshimin e mëvonshëm të sentimenteve politike në radhët e intelektualëve perëndimorë, Ëalter Laqueur shkruan se: “Në fillim, komunizmi perceptohej si një lëvizje radikalisht socialiste (pra humaniste), anti-imperialiste, madje pacifiste, që aspironte ndërtimin e një bote të re mbi rrënojat dhe pabarazitë e botës së vjetër. Fillimisht, mbështetja erdhi pothuajse krejtësisht nga e majta, nga liberalët socialistë dhe radikalë. Por, ndërkohë që pushteti sovjetik u bë më shtypës dhe ndaloi të gjitha grupet majtiste në Bashkimin Sovjetik, duke syrgjynosur, burgosur ose ekzekutuar udhëheqësit e tyre, social-demokratët perëndimorë, disa prej të cilëve kishin qenë instinktivisht antikomunistë qysh në fillim, më në fund i kthyen shpinën Bashkimit Sovjetik”.
Së shtati, nuk mund të lë pa përmendur se, në të gjithë Europën Qendrore e Lindore, duke filluar nga fundi i viteve 1950 e më pas, u bënë ndryshime të udhëheqësve kryesorë, për shkak se, sa herë që Kremlini humbiste besimin tek udhëheqësit e partive komuniste të këtyre vendeve, ai mundohej të rivendoste kontrollin ortodoks mbi to, duke i zëvendësuar ata udhëheqës që përpiqeshin t’u rezistonin kërkesave sovjetike, ose të ndiqnin rrugë të ndryshme në ndërtimin e socializmit, me vegla më të bindura ndaj Moskës. Në dallim prej tyre, Tito dhe Hoxha, të vetmit udhëheqës komunistë në Europën Lindore që e kishin braktisur kampin sovjetik, ishin, po ashtu, të vetmit që vazhduan të sundojnë me dorë të fortë, madje duke e konsoliduar pushtetin e tyre gjithnjë e më shumë. Nëse këta dy udhëheqës u sfiduan ndonjëherë seriozisht ose jo nga kundërshtarët e tyre politikë, kjo është një temë e debatueshme. Sidoqoftë, nuk mund të mohohet se miti i tyre karizmatik legjitimues mbeti pothuajse i paprekur përsa kohë që ata ishin gjallë.
Përfundim
Në përfundim, dëshiroj t’i kthehem sërish drejtpërsëdrejti çështjes së rivlerësimit të periudhës së socializmit shtetëror dhe të figures së Enver Hoxhës. Bindja ime është se, çdo periudhë dhe çdo figurë politike në historinë e një vendi mund e duhet të rivlerësohen me kalimin e kohës. Por kjo nuk është as aftësia dhe as detyra e politikanëve, që ngrihen dhe bien nga pushteti me ndryshimin e stinëve politike, as detyrë e medias dhe, madje, as detyrë e atyre që kryejnë sondazhe të opinionit publik.
Kjo, siç theksova më sipër, është detyrë ekskluzive e historianëve, e sociologëve dhe e studiusve të politikës. Në Shtetet e Bashkuara, për të mësuar se si vlerësohen sot presidentët amerikanë të 200, 100 apo 50 viteve më parë, nuk pyetet njeriu që është sot në krye të Shtëpisë së Bardhë, as punonjësit e administrates së tij, as autorët e teksteve shkollore të historisë, as publiku i gjerë amerikan, por historianët e institucionit të Presidencës amerikane dhe studiuesit e shkencës politike. Le t’ua lëmë studiuesve shqiptarë të historisë e të politikës të vlerësojnë e rivlerësojnë periudhat e zhvillimit historik të shoqërisë shqiptare dhe personalitetet kryesore të tyre, ndër to edhe figurën e Enver Hoxhës. Si individë dhe si qytetarë, ne mund të kemi dhe kemi të gjithë mendimet dhe sentimentet tona. Por këto janë thjesht mendimet dhe sentimentet tona, të përftuara e të përjetuara subjektivisht, jo gjykime e vlerësime objektive, të mbështetura në prova e fakte të pranuara përtej perceptimeve dhe interesave tona.
Unë mendoj se mendimi i shprehur nga Ismail Kadare, në librin e tij Nga një dhjetor në tjetrin, se ndoshta është ende tepër herët të flitet për shkaqet e shembjes së komunizmit në Europën Lindore dhe në Bashkimin Sovjetik është i drejtë. Pasi, siç argumenton shkrimtari ynë i madh, “largësia që na ndan prej tij është ende e vogël për të zotëruar e gjykuar gjithë pejsazhin e historisë midis të cilit ai lindi, u zgjerua, u zhvillua dhe u shemb. Ekrani i ngjarjeve është tepër pranë për të kapur përmasat dhe saktësinë e tyre. Ende nuk dihen fitoret dhe disfatat e tij, sepse, pikërisht për arsyet që u përmendën më lart, syri mund të gabojë, dhe aty ku ai është fitimtar mund të duket si i mundur dhe, përkundrazi, aty ku ngjan i pamposhtur, mund të jetë i thyer ndërkaq”.
Edhe pse të shkruara rreth 20 vjet më parë, unë gjej te këto fjalë një tingull aktual dhe një mësim të vyer për historianët dhe studiuesit tanë të ngjarjeve e të dukurive shoqërore.
*Fatos Tarifa është Profesor i Sociologjisë dhe i Marrëdhënieve Ndërkombëtare
në Universitetin e Nju Jorkut Tiranë,
dhe anëtar i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave.
-*-*
ENDE HERËT, POR EDHE TEPËR VONË
Nga Ardian Vehbiu
I përkas një brezi i cili nuk ka nevojë të këshillohet me historianët, për të përpunuar një gjykim të vetin për Enver Hoxhën – ngaqë i kam kaluar tridhjetë vjetët e parë të jetës sime në Shqipërinë e udhëhequr prej këtij burri me dorë të sigurt, nëmos të hekurt.
Nuk më kanë përndjekur, as burgosur; nuk më kanë hequr me përdhunë nga shtëpia, as ndarë nga familja, as detyruar të mohoj të dashurit e mi; nuk më kanë internuar, as pushuar nga puna, as qarkulluar në bazë; nuk më kanë marrë as fabrikat, as tokat, as florinjtë; e megjithatë, besoj se e kam kaluar rininë, ose pjesën më të bukur të jetës, i privuar nga liritë dhe të drejtat e mia njerëzore elementare.
I frymëzuar sa nga Stalini, aq edhe nga diktatorët e djathtë të Europës Perëndimore në vitet Tridhjetë, Enver Hoxha ndërtoi një shtet të bazuar në dhunën dhe terrorin totalitar; jo aq si shpagim për ndonjë farë krimi, qoftë edhe të mendimit, sa ndëshkim i verbër dhe jo rrallë pedagogjik; duke i shndërruar dramat personale dhe fatet e thyera të individëve dhe familjeve anembanë Shqipërisë në një lloj teatri për turmën, sa të zbavitur aq edhe të lemerisur.
Ky terror policor depërtonte si gaz helmues në të gjitha hallkat dhe qelizat e jetës, publike dhe private; duke i bërë njerëzit të vështronin me dyshim të afërmit, miqtë dhe shokët, dhe të ngryseshin e të gdhiheshin me ankthin se mos kishin thënë diçka që tashmë ish bërë pjesë e dosjes së tyre, apo mos vallë një i afërm i tyre kish rënë ndërkohë në fatkeqësi, ishte shpallur armik ose, më rëndë akoma, arratisur.
Një shoqëri si e jona, e përshkuar fund e krye nga llahtara e ndëshkimit dhe miti i arratisjes, ishte në realitet shoqëri e modeluar sipas logjikës së mbrapshtë të burgut, ku të gjithë ne vuanim dënimin kushedi për krime që ende s’i kishim kryer.
Për të ruajtur pushtetin e vet prej armiqve realë dhe imagjinarë, Hoxha e rrethoi Shqipërinë me mure; por muret më të larta ua ndërtoi përreth mendjeve tona – çfarë unë, personalisht, nuk do t’ia fal dot kurrë.
Vendi erdhi dhe u mbyll në vetvete; jeta shpirtërore dhe më pas ajo materiale u varfëruan deri në mjerim. Pa përmendur pastaj se, që kur kish ardhur në fuqi, pas Luftës II Botërore, Hoxha ishte kujdesur që t’i hiqte qafe elitat e trashëguara nga vitet tridhjetë – duke i poshtëruar dhe tredhur, dërguar të punojnë në ara dhe këneta, deri edhe shfarosur fizikisht dhe duke e themeluar politikën e vet kulturore mbi parimin e “tokës së djegur.”
Kjo, së bashku me shkëputjen e kontakteve me botën, e shpjegon boshllëkun intelektual, në të cilin u formuan disa breza shqiptarësh me radhë, mes të cilëve imi; dhe e kam të pamundur të shlyej nga mendja urinë intelektuale, që ndieja përballë librarive të mbushura me librat e mërzitshëm të liderit; dhe dëshirën deri në torturë për të udhëtuar jashtë Shqipërisë dhe për të parë botën, të cilën nuk e realizoja dot.
Kjo jetë prej burgu nuk ishte gjë fatalitet historik, as iluzion i pak të përkëdhelurve në Tiranë; por diçka që Hoxha vetë e kish dëshiruar dhe zbatuar në praktikë, në emër të realizimit të vizionit të tij politik dhe, sidomos, për të mbajtur fort pushtetin.
Autarkia e Hoxhës dhe gjymtimi i marrëdhënieve ekonomike me botën çuan – këtë herë pashmangshëm – në varfërimin e madh të tregut; dhe tregu nuk është thjesht çështje konsumi ose ekonomike, por edhe vendi ku njerëzit takohen mes tyre dhe shkëmbejnë mall, ide dhe të drejta; ose vendi i lirisë dhe i barazisë.
Një varfërim i tillë, që i shkoi shoqërisë shqiptare deri në palcë, dha ndihmesën e vet të trishtuar në përftimin e njeriut të ri me kominoshe në tru – të “çliruar” nga vargonjtë e traditës, të pronës private, të fesë dhe të moralit borgjez, dhe të gatshëm për çdo sakrificë, në emër të interesit të përgjithshëm; interes që, në fakt, nuk ishte veçse imperativi për të mbajtur Hoxhën dhe klikën e tij në pushtet.
Të gjitha përpjekjet e mirëfillta për emancipim, të shoqërisë shqiptare pas përmbysjes në fillimvitet 1990, kanë synuar distancimin, në mos shkëputjen nga efektet e enverizmit, si doktrinë dhe si praktikë politike dhe sociale. Jemi përpjekur të kultivojmë dhe të mbrojmë lirinë e mendimit, pluralizmin dhe respektin për Tjetrin, në një shoqëri ende të përshkuar tej e ndanë nga monizmi; jemi rrekur të sjellim meritokracinë, në një klimë sociale ende të mbytur nga nepotizmi, klientelizmi, barazitizmi dhe anti-intelektualizmi; jemi orvatur të rikthejmë në jetë institucionet fetare, me shpresë se ato do të ndihmojnë për të zëvendësuar frikën me moralin, si shtysa motivuese të veprimit publik; jemi munduar të normalizojmë marrëdhëniet me botën dhe të shërohemi nga kompleksi i inferioritetit; kemi luftuar për të ngritur në këmbë shtetin ligjor dhe për të kultivuar respektin për ligjin, përkundrejt arbitraritetit të djeshëm dhe arrogancës së forcës.
Dhe ende nuk dimë, për fat të keq, nëse këto përpjekje për të rehabilituar një shoqëri të sëmurë do të japin apo jo rezultatet që duam; sikurse nuk dimë nëse mund të rikthejmë vërtet mes nesh institucionet që dikur u shkatërruam, apo thjesht jemi duke lëshuar në botë ose karkasat e tyre të zhvarrosura, zombie-t e tyre.
Përballë këtyre sfidave, ndonjëherë të pamundshme për t’u fituar, rrëzimi simbolik i statujës së Enverit, në 1991, duket si lojë fëmijësh – meqë lideri totalitar ia kish ngritur tashmë të lartë dhe të fortë statujën e vet shoqërisë shqiptare në mendje; imazhin prej patriarku të rreptë, babai fuqiplotë dhe bariu shpëtimtar, Moisiu që do t’i udhëhiqte shqiptarët nëpër shkretëtirë, drejt Tokës së Premtuar.
Me autoritetin, karizmën dhe brutalitetin e vet, Hoxha duket se përmbushi, kështu, një zbrazëti mitologjike të vjetër, në vetëdijen kolektive të shqiptarëve – çka edhe do të shpjegonte tundimet e sotme këmbëngulëse për rivlerësimin e tij.
Është ende herët, megjithatë, që historianët ta vlerësojnë Hoxhën si burrë shteti dhe udhëheqës; në një kohë që, për momentin e tanishëm, idetë e Hoxhës, metodat e tij, vizionet dhe paranojat e tij, frymëzimet e tij dhe bëmat e tij në krye të shqiptarëve mbeten toksike.
Shoqëria shqiptare, kultura dhe mediat, nuk kanë arritur të ndihmojnë publikun për t’i normalizuar marrëdhëniet me një lider të llojit të Hoxhës, i cili nuk mund të gjykohet, as të vlerësohet, me metrin që përdorim për politikanët e sotëm. Përtej propagandës, thashethemeve që dalin në tabloidet, dhe dokumenteve lakuriqe të dhëna jashtë çdo konteksti, mungon pikërisht kornizimi i trashëgimisë enveriste dhe analiza e pasojave të gjysmë shekulli totalitarizëm në shoqërinë e sotme shqiptare. Dhe kjo do të mund të arrihet jo aq duke folur për Enverin dhe simbolikat enveriane qoftë edhe ironikisht, sesa duke rrëfyer, herë me dokumente dhe herë me art, për jetën e shqiptarit nën Enverin; jo aq për gjurmët e tij në histori, sesa për impaktin e tij në shoqëri. Ashtu edhe historianët do të kenë kohë të punojnë më të qetë.
Ardian Vehbiu
-*——-
ENVER HOXHA i KOSOVËS
Këtë herë gjeografia e fushëpamjes për liderin komunist ka rrokur Kosovën. Akademiku i njohur kosovar, rrëfen mënyrën e perceptimit të Enver Hoxhës nga kosovarët, para dhe pas shkëputjes prej autoritetit serb…
Nga Mehmet Kraja*
1.
Enver Hoxha i Kosovës nuk është i njëjtë me Enver Hoxhën e Shqipërisë, as në bëmat e tij, as në përfytyrimin e njerëzve. Janë dy pamje që nuk i shëmbëllejnë njëra-tjetrës. Në vendin e tij, pra në Shqipëri, Enver Hoxha vriste dhe burgoste, mbante popullin e vet të izoluar dhe në mjerim, kufizonte liritë dhe të drejtat, ushtronte dhunë politike dhe ideologjike. Në raport me Kosovën, ai kishte pamje tjetër, dukej i butë dhe i këndshëm, vishej mirë, mbante cilindër, kostum gri dhe pallto kashmiri, qeshte me dhëmbin e floririt dhe, në përgjithësi, dukej i pëlqyeshëm për një lider dhe kryetar shteti. Përveç pamjes së sofistikuar, në drejtim të Kosovës, përmes Radio-Tiranës, përmes Televizionit Shqiptar, fjalimeve, komenteve, librave për marksizëm-leninizmin, letërsisë dhe muzikës, përçonte dy mesazhe kryesore, të akceptueshëm lehtë nga kosovarët: i pari ishte një qëndrim të ashpër ndaj Jugosllavisë, e cila nuk u jepte të drejta të mjaftueshme shqiptarëve; dhe, i dyti, se Shqipëria ishte nëna e kosovarëve, e dashur dhe e dhembshur deri në sakrificë. Ambalazhi ideologjik dhe nacionalist i këtyre mesazheve nuk përbente pengesë për kosovarët, sepse atëbotë nacional-komunizmin e përdornin të gjithë. Natyrisht, kosovarët nuk ishin budallenj, as aq të paemancipuar, siç pretendohet të paraqiten tash së fundi. Ata kishin kufizimet e tyre, por në raport me Shqipërinë nuk kishin shumë zgjidhje. Ata duhej të besonin se ekzistonte një Shqipëri ideale, ndryshe do të binin pre antishqiptarizmit jugosllav, sepse alternativë e Shqipërisë dhe e Enver Hoxhës ishte Tito dhe Jugosllavia, me një fjalë shpërbërja e identitetit. Ata që sot ua ngarkojnë fajin kosovarëve se ishin të manipuluar, se shumica syresh ishin ose titistë, ose marksistë-leninistë dhe se, në raport me shqiptarët e Shqiptarët mbajnë përgjegjësi që nuk e denoncuan regjimin e Enver Hoxhës, flasin marrëzira. Ne në Kosovë mund të mos e besonim propagandën e Enver Hoxhës, mund të ishim skeptikë ose dilemorë, mund të ishim edhe naivë, por nuk kishim si të mos i besonim shkrimtarët më të mirë të Shqipërisë, gjuhëtarët më të mirë, kompozitorët më të mirë, piktorët më të mirë, të cilët, shkas e pa shkas madhëronin prijësin e tyre. Nëse ata gënjenin, dhe gënjenin mjeshtërisht, ne nuk mund të quhemi fajtorë që i besonim.
2.
Kosovarët, për dekada të tëra, mbajtën të parrënuar mitin për Shqipërinë, mitin për Atdheun. Ata kishin nevojë të besonin në këtë mit, sepse në këtë mënyrë mbronin përbërësit kryesorë identitarë. Për nevojat e tyre, kosovarët krijua përfytyrimin e Shqipërisë ideale. Ndonëse sot mund të duket e thjeshtë, ngritja dhe mbajtja e këtij miti nuk ishte aq e lehtë, sepse kundër tij, atëbotë, ishin ngritur të gjithë. Kundër Shqipërisë ishte Jugosllavia, politika e saj, ndikimi i saj i fuqishëm në botë, propaganda e saj. Në dukje të parë, Jugosllavia përçmonte regjimin e Enver Hoxhës, por në prapavijë vepronte me projektet antishqiptare të Çubriloviqit dhe Andriqit, të cilët asnjëherë nuk i shpalli të pavlershëm, nuk i vendosi ad acta. Po të binin pre e propagandës jugosllave, kosovarët lehtësisht do të bëheshin jo më varrmihësit e Enver Hoxhës dhe të regjimit të tij, por të vetë Shqipërisë.
Së këndejmi, pamje e idealizuar e Enver Hoxhës, për shkak të pietetit dhe të sentimentit ndaj Shqipërisë, jetoi më gjatë te kosovarët, sepse ata nuk deshën që Shqipëria të dukej e shëmtuar as më 1991, kur shqiptarët e Shqipërisë vërshuan ambasadat, mbushen anijet me refugjatë dhe u bënë vendi që eksporton më së shumti prostituta në Europë; por as më 1997, kur shqiptarët e Shqipërisë rrënuan shtetin me simbolin serb të tre gishtërinjve; dhe as sot, kur statusin e vendit kandidat në BE do ta marrin më vonë se çdo shtet tjetër i Ballkanit. Kosovarët tani kanë shtetin e tyre, por shumica syresh, paradoksalisht, edhe sot e duan Shqipërinë më shumë se Kosovën.
- 3.
Tani që Shqipëria është kjo që është, kosovarët janë këta që janë dhe Enver Hoxha ishte ai që ishte, çfarë mbetet sot të sqarohet në këto relacione? Natyrisht që kosovarët kanë nevojë t’i sqarojnë disa pika shumë të ndjeshme të historisë së tyre në raport me Shqipërinë, por para se këtë ta kërkojnë nga historianët e Shqipërisë, duhet të hedhin dritë të mjaftueshme mbi disa ndodhi të errëta të pjesës së tyre të historisë në raport me Shqipërinë, që nga Lufta e Dytë Botërore dhe prapa. Së pari, ata duhet të hulumtojnë dhe të japin përgjigje, se cili ishte roli i kosovarëve në lëvizjen komuniste të Shqipërisë, që nga Ali Kelmendi e deri te Elhami Nimani, Fadil Hoxha, Emin Duraku, Ymer Pula, Hajdar Dushi etj., dhe përse ata ishin të infiltruar aq shumë në grupet komuniste, veçmas të Shkodrës dhe të Tiranës, ndonjëri syresh duke marrë pjesë edhe në themelimin e Partisë Komunsite të Shqipërisë? Së dyti, përse komunistët kosovarë, pas çdo takimi që kishin me komunistët e Shqipërisë, ngarendnin kush e kush më parë t’i raportonin Boro Vukmiroviqit dhe Pavle Joviqeviqit në Vitomiricë, ose gjetiu? Së treti, përse kosovarët, që donin bashkimin me Shqipërinë, pranuan që përgatitjet për Konferencën e Bujanit t’ua bënte Pavle Joviqeviqi dhe përse e pranuan kompromisin absurd, që garantuese e të drejtës së Kosovës për vetëvendosje të ishte edhe UNÇ e Jugosllavisë? Së katërti, përse kosovarët nuk dhanë asnjëherë një shpjegim të qartë dhe të vlershëm, si ndodhi që vendimet e Bujanit u anuluan aq thjeshtë dhe aq njëzëri, po prej tyre, në mbledhjen e “Këshillit Krahinuer Populluer” në Prizren, në korrik të vitit 1945? Së pesti, nëse Shqipëria e tradhtoi Kosovën, kur aradhet e saj shkuan në veri deri në Vishegrad, duke krijuar terren të përshtatshëm për reprezaljet e brigadave partizane-çetnike serbe-malaziase, përse nuk thuhet qartë se çfarë bëri Fadil Hoxha, si komandant, në këtë rrethanë?
4.
Natyrisht që ka edhe shumë pika të tjera të errëta, të veprimtarisë së Enver Hoxhës në raport me Kosovën dhe ndriçimi i tyre nuk mund të bëhet as me paragjykime nihiliste dhe as me mbështetje neo-komuniste. Deri më tani, përgjatë viteve të fundit, historianët janë përpjekur të shmangin shqyrtimet historike bardh-zi, por, si pa të keq, janë akomoduar në një zonë gri, e cila, pandehin ata, iu siguron mbrojtje të mjaftueshme nga fshikullimet e dyanshme. Por e vërteta është se ata janë akomoduar në një neglizhencë lapidare, e cila nuk gjen një shembull të tillë në botën e sotme. Që të mos merren me improvizime, siç bëjnë tani, ata do të duhej, së pari, të shternin së lexuari dokumentet, që ende as i kanë parë me sy, as i kanë prekur me dorë. Si mund të flasin për Enver Hoxhën historianët e Shqipërisë, dhe të pretendojnë se janë duke bërë shkencë, kur ende nuk i kanë lexuar ditarët dhe shënimet e tij në Arkivin e Shtetit? Si mund të pretendojnë se bëjnë shkencë historianët e Kosovës, kur asnjëri prej tyre nuk i ka parë me sy dhe prekur me dorë shënimet serbisht të Miladin Popoviqit, gjatë tri viteve të qëndrimit në Shqipëri, që po ashtu tashmë dihet se gjenden në Arkivin e Shtetit? Prandaj, në mungesë të një pune të mirëfilltë shkencore, krijohet hapësirë për historianët amatorë, të cilët ngatërrojnë dëshmi, spekulojnë, shpikin, trillojnë gjëra nga më të pabesueshmet dhe mbushin hapësirat mediale të Shqipërisë dhe të Kosovës me interpretime kuturu.
Por gjithsesi, çështja e radhës, e cila tani për tani nuk po gjen hapësirë për shqyrtim, ka të bëjë me rolin e trashëgimisë historike dhe politike të komunizmit dhe të Enver Hoxhës në profilizimet aktuale politike, në Shqipëri dhe në Kosovë.
*Akademik
RIVLERËSIMET PËR ENVER HOXHËN JASHTË SISTEMIT
DO TË ISHIN TE JETËSHKURTËR
Në diskutimin e këtij numri, kushtuar figurës së Enver Hoxhës, kemi historianen Ana Lalaj përmes një shkrimi të hartuar me teza për “JAVA”-ën. Rivlerësimi i figurës së Hoxhës ka ardhur që nga koha, kur ra regjimi i tij, sipas historianes…
Prof. Dr. Ana LALAJ*
Ndërkohë që po diskutohet për figurën e Enver Hoxhës, opinionet ndahen nëse është ose jo koha për rivlerësimin e tij…
E kam ndjekur diskutimin që ka hapur Java dhe, sipas meje, rivlerësimi politik i figurës së Enver Hoxhës ka nisur qëkurse ra regjimi i tij. Sidomos kjo është bërë përmes medies ose në tribuna, ku janë përfshirë parti, organizata politike dhe individë. Por vlerësimi politik nuk është një me vlerësimin historik. Në pikëpamje historike, për studiuesin do të ishte ideale që periudha të trazuara, çaste kthesash në shoqëri dhe figurat përfaqësuese që merr ai në shqyrtim të ishin sa më larg në kohë. Por kjo nuk do të thotë që studiuesi duhet t’u shmanget ngjarjeve të afërta dhe personaliteteve bashkëkohës. Kjo vlen edhe në rastin e Enver Hoxhës për të cilin, në fakt, prej kohësh ka përpjekje për një rivlerësim edhe në plan historik, paçka se ata që janë përfshirë në këto angazhime gjenden të rrethuar sa nga nostalgjikë, po aq, a ndoshta më shumë, nga kundërshtarë të ashpër të tij. Në vetvete, kjo është një lloj trysnie, deri-diku psikologjike, por më shumë politike, që studiuesve u duhet ta përballojnë. Madje, sipas meje, historianëve seriozë kjo trysni nuk u bën aq keq dhe, sado e çuditshme të duket, trysnia vetiu kthehet në mbrojtëse kundër konformizmit, e cila grish të mos pajtohesh me askënd dhe me asgjë tjetër, përveç përpjekjeve për të shkuar tek e vërteta. Kësisoj, trysnia u vlen atyre për të qenë më këmbëngulës në kërkime, më të plotë në argumente, më të ftohtë dhe të drejtë në vlerësime.
Për Enver Hoxhën tanimë ka disa libra, por asnjëri prej autorëve nuk është studiues i mirëfilltë. Ndoshta do t’ia vlente një shpjegim…
Kjo nuk ndodh vetëm sot e as vetëm tek ne. Të parët që janë marrë me biografitë e njerëzve të famshëm ose të atyre që kanë bërë emër, për mirë a për keq, janë gazetarët, shkrimtarët etj., dhe të fundit vijnë studiuesit. Për shembull, gazetarët operojnë dendur me të dhëna empirike, shkrimtarët po ashtu, shto dhe emocionet. Ndryshon puna me studiuesit të cilëve, siç e thotë një filozof i përmendur, u duhet t’i lënë emocionet jashtë derës dhe që operojnë me mekanizmin e si-ve dhe të pse-ve, që është i njëjtë në të gjitha shkencat. Historiani është i detyruar të bëjë një lloj tomografie, që do të thotë të kapë të gjitha shtresëzimet në kohë, qoftë dhe brenda një periudhe historike, si dhe lidhjet shkakësore, pa të cilat nuk mund të shpjegohen as ngjarjet dhe as dukuritë historike. Në këtë vështrim, për historiografinë mendoj se nuk është parësore studimi i figurave historike, si Ahmet Zogu, Enver Hoxha apo të tjerë. Parësore është studimi i periudhave kur këta njerëz kanë sunduar. Me fjalë të tjera, nuk shoh boshllëk që ende historiografia nuk e ka thënë fjalën e saj për Enver Hoxhën. Boshllëku është se studimet për rastin shqiptar të komunizmit janë ende të pakta. Natyrisht, pjesë e studimeve të këtyre periudhave kohore ose të regjimeve politike janë edhe personalitetet, të cilët nuk i ndan dot nga koha e tyre.
Duke hyrë në këto shtresëzime, është e mundur të studiohen edhe vetë personalitetet historike?
Sigurisht. Dhe me që po flasim për Enver Hoxhën, është një varg i gjatë raportesh të cilët duhen studiuar dhe analizuar. Mbi të gjitha, janë raportet e tij me sistemin, jashtë të cilave ai nuk mund të dilte dhe as mund të studiohet. Pastaj vijnë raportet e tjera të ndërvarura, më kryesoret liritë dhe të drejtat e njeriut, por jo vetëm këto. Përveç raporteve me demokracinë, janë edhe reformat në sistemin pronësor, reformat për progres ekonomik, arsimor, emancipim kulturor e social etj. Të gjitha këto marrëdhënie, në fund të fundit, përmblidhen në atë çfarë Enver Hoxha ka bërë ose nuk ka bërë për vendin e vet. Kjo përgjigje kërkon vështrime të thelluara dhe prandaj mendoj se mënyra më e mirë do të ishte të fillohej me analiza të pjesshme për fusha të caktuara dhe për politikat sektoriale, të brendshme dhe të jashtme. Dhe vetëm më pas mund të vijmë në përfundime pak a shumë të qëndrueshme.
Sa herë flitet për Enver Hoxhën, Kosova është njëra prej çështjeve të debatueshme. Si njohëse e historisë së Kosovës dhe lëvizjeve të atjeshme për të drejtat kombëtare, ndalemi më hollësisht në këtë temë!
Për gati një shekull Kosova ka qenë një aspiratë madhore e shqiptarëve. Por që prej 1913-ës do të duhej të kalonin afro tridhjetë vjet që të artikulohej për herë të parë kërkesa për t’u korrigjuar një padrejtësi historike. Ishte pikërisht Lufta e Dytë Botërore që e solli këtë mundësi dhe është karakteristike që të gjitha forcat e përfshira në këtë luftë, pa përjashtim, iu qasën çështjes së Kosovës. Të parët ishin italianët, të cilët erdhën me një projekt për Shqipërinë e Madhe. Ky projekt me ndihmën e gjermanëve u vu në zbatim më 1941 dhe me këtë rast Shqipërisë iu bashkua Kosova (pa Mitrovicën, të cilën e mbajtën nën administrim vetë gjermanët), një pjesë e Maqedonisë dhe e Malit të Zi. Ky bashkim u siguroi gjermanëve mbështetjen e shqiptarëve të Kosovës, të cilët e kishin hequr mbi kurriz egërsinë shkombëtarizuese serbe. Përveç pushtuesve, Kosovës iu qasën edhe faktorët politikë në Shqipëri dhe në Jugosllavi. Në maj 1942, Eqrem bej Vlora u emërua ministër për Kosovën, Dibrën, Plavën e Gucinë dhe atë vit në Kosovë u hapën 173 shkolla shqipe, për herë të parë qëkurse ishin mbyllur më 1918. Më tej, Balli Kombëtar e vuri në programin e vet kthimin e Shqipërisë së pasluftës në kufijtë e saj etnikë. Partia Komuniste nuk pati një platformë për Kosovën dhe kjo qe një dobësi e saj, por sidoqoftë ajo deklaroi se “çështja e Kosovës dhe e Çamërisë do të zgjidhet në bazë të Kartës së Atlantikut, në bazë të parimit të vetëvendosjes së popujve” (AQSH, F. 40/KP NCl. V. 1943, D.5, Mbledhja e Labinotit, shtator 1943). Ky deklarim ishte në pajtim me politikën e Aleatëve të Mëdhenj. Për Kosovën u shpreh edhe Partia Komuniste Jugosllave me një deklaratë të Titos në fund të vitit 1942, ku thuhej se ajo “nuk ka hequr dhe kurrë nuk do të heqë dorë nga parimi i vet që secili popull ka të drejtë të vetëvendosë deri në shkëputje” dhe se “çështja e Kosovës dhe e Metohisë, çështja e Sllovenisë, çështja e Bosnjës dhe e Hercegovinës do të zgjidhen lehtë, duke i kënaqur të gjithë” (Josif B. Tito, “Nacionalno pitanje u Jugoslaviji u svjetlosti narodnooslobodilačke borbe”, në Sabrana Djela, vol. 13, Beograd: Komunist; Zagreb, Naprijed, 1982, s. 95-101).
Pra, më 1942, në gojën e Titos Kosova është në rend të parë. Por një vit më vonë, kur lëvizja e tij ishte zgjeruar, duket se përpjekjet për tërheqjen e kosovarëve në luftë kishin dalë në plan të dytë. Tito prej kohësh po mendonte jo për mundësitë “vetëvendosëse” të popujve, po për zgjerimin e Jugosllavisë së ardhshme. Prandaj ai iu përgjigj ashpër një propozimi të emisarëve të tij në Shqipëri, Miladin Popoviç dhe Vukmanoviç Tempo, në gusht 1943, që në Kosovë të ngrihej një shtab shqiptar me qëllim që popullsia shqiptare e atjeshme të përfshihej në lëvizjen antifashiste dhe ky shtab të ishte i varur nga Shtabi i Përgjithshëm i Shqipërisë (Zbornik dokumentata i podataka o narodnooslobodilačkom ratu jugoslovenski naroda, Tom II, knjiga 10, Beograd 1962, str. 154-155). Në përgjigje, Tito shkroi dy letra, njërën për KQ të PKSH dhe tjetrën për Vukmanoviç Tempon. “Të ngresh sot çështjen e bashkimit, do të thotë të çosh ujë në mullirin e reaksionarëve të ndryshëm dhe të vetë okupatorit”, thuhej në letrën e parë. Të njëjtën gjë, por pak më gjerë, e përmban edhe letra e dytë (Shih: Josip Broz Tito, Sabrana Djela, Tom 18, Beograd 1984, f. 6 dhe 19). Duket se Tito i frikej precedentit që rezistenca kundër pushtuesit në Kosovë të drejtohej organizativisht nga Shqipëria. Natyrisht ai i ka bërë llogaritë, për të mbështetja e shqiptarëve ishte e rëndësishme, por humbja e mbështetjes serbe do të ishte fatale. Kështu, premtimet për vetëvendosje të Kosovës, të vitit 1942, u shkrinë si kripa në ujë.
A mund të thuhet se politika e komunistëve dhe e Enver Hoxhës gjatë luftës ka qenë e orientuar drejt për Kosovën?
Dokumentacioni i kohës së luftës sugjeron se në tërësi faktori shqiptar është udhëhequr nga motive atdhetare, që në një mënyrë ose një tjetër u manifestuan si nga qeveritë nën pushtim, nacionalistët, ashtu edhe nga komunistët. Por rrugët që u ndoqën nuk janë të njëjta. Nacionalistët e Kosovës, midis tyre atdhetarë të spikatur, si rrugëzgjidhje të aspiratave kombëtare zgjodhën bashkëpunimin me pushtuesin dhe kjo ishte e gabuar. Ndryshe ndodhi me komunistët, mjaft prej të cilëve vajtën që herët nga Shqipëria dhe u morën drejtpërdrejt me organizimin e rezistencës. Kjo ishte rruga e vetme e drejtë. Në tetor dhe nëntor 1944 në territoret shqiptare në Jugosllavi hynë 12 mijë luftëtarë të UNÇ, që bashkë me formacionet partizane vendase çliruan këto territore dhe ngritën atje këshillat antifashistë. Karakteristike është se popullsia iu bashkua luftës dhe zgjeroi me shpejtësi njësitë e veta partizane. Në fakt, ky ishte edhe refleks vetëmbrojtjeje dhe prania e forcave ushtarake nga Shqipëria ishte një lloj sigurie për popullsinë vendëse.
Por pikërisht këtu zë fill edhe drama. Në ndërkohë që divizionet nga Shqipëria po shtyheshin në veri drejt Bosnjës, në ndjekje të Gruparmatës “E” gjermane dhe me ëndrrën për t’iu bashkuar Ushtrisë së Kuqe, në Kosovën e çliruar hynë formacionet e ushtrisë jugosllave. Gjithë çfarë ndodhi që prej dhjetorit e më pas tanimë është e njohur. Njësitë e sapoformuara të partizanëve kosovarë morën urdhër të marshojnë në veri duke lënë qytetet dhe fshatrat të zbrazur. Popullsia e pambrojtur u vu nën terrorin e operacioneve ndëshkimore të ushtrisë dhe të njerëzve të OZNA-s. Provokimet degjeneruan në konflikte, siç ndodhi në Drenicë, që u pasua më tej me vendosjen e administratës ushtarake, nga shkurti deri në korrik 1945. Të kësaj kohe janë ndryshimet në përbërjen e këshillave nacionalçlirimtarë, ku shqiptarët u zëvendësuan me serbë, maqedonas a malazezë dhe sidomos mobilizimet të shumtën me forcë të 30 mijë shqiptarëve për t’u dërguar në front. Në fund të marsit 8 mijë vetë prej të mobilizuarve rishtas u grumbulluan në Prizren për t’iu bashkuar Armatës së 4-t jugosllave në Kroaci. Ata u ndanë në tre grupe dhe marshuan në rrugën Prizren-Kukës-Shkodër, prej nga hynë në Mal të Zi. Gjatë rrugës, në Tivar, me njërin prej grupeve u krye një masakër e tmerrshme. Vrasja e një ushtari të Brigadës së 10-të malazeze që shoqëronte kolonën, shërbeu si pretekst që Brigada të ekzekutonte në fushë të hapur të paktën gjashtëqind njerëz, të gjithë të paarmatosur. Përmbledhtas, kaq për pjesën jugosllave.
Divizionet nga Shqipëria shkuan në ndihmë të ushtrisë jugosllave me kërkesë të Titos. Por ato nuk u lejuan të marshojnë përtej Sanxhakut, pra nuk hynë as në Kroaci e Slloveni, e jo më të takoheshin në Berlin me Ushtrinë e Kuqe, siç e ëndërronin. Pasi u çlirua Vishegradi, më 15 shkurt 1945, ata morën urdhër të ktheheshin përsëri në Kosovë e Maqedoni dhe qëndruan aty deri në dhjetor të atij viti. Sipas meje, ky është momenti i parë dukshëm komprometues për Enver Hoxhën në raport me Kosovën. Në vend që ai të urdhëronte forcat ushtarake të ktheheshin në vendin e tyre, ai u vu në ndihmë të jugosllavëve që popullsia shqiptare të pranonte pushtetin serb. “Me Luftën Nacionalçlirimtare ne kemi humbur shumë në popullin shqiptar të Kosmetit”, shkruante ish-komandanti i Brigadës VII të Kosovës (AMPJSH, V. 1949, D. 202). Për hir të vërtetës, në arkivat tona ka një listë të gjatë emrash, kuadro të ushtrisë shqiptare (Zihni Muço, Reiz Malile, Rrahman Parllaku, Shefqet Peçi, Zoi Themeli, Arif Hasko etj.), të cilët kanë raportuar dhunën e organeve jugosllave ndaj popullsisë, përfshi dhe masakrën e Tivarit, dhe si po i shërbente dhuna ngjalljes së urrejtjes etnike. Por nuk kam hasur asnjë rast që drejtuesit e atëhershëm të partisë ose të shtetit shqiptar t’i shqyrtonin këto njoftime dhe të jepnin udhëzimet përkatëse, sipas rastit, duke i mbështetur ose kundërshtuar ato. Ky është momenti i dytë komprometues në raportet me Kosovën. Disa të dhëna që dolën pas thyerjes me jugosllavët u përdorën më shumë kundër ministrit të brendshëm Koçi Xoxe, megjithëse aso kohe ai nuk ishte ende në këtë pozicion. Të dhëna të tjera u sollën në momente të nxehta, siç ishte viti 1966, kur ra Rankoviçi dhe më në fund vetë Hoxha foli disi më gjerë në kujtimet e tij më 1982. Pra, mjaft vonë dhe për më tepër ndjehet që ai është më shumë pozita shfajësuese se reflektuese.
A shkojnë këto në favor të tezës se Enver Hoxha e shiti Kosovën, madje që në fundin e luftës?
Mënyra si është shtruar kjo tezë më duket disi vulgare. Unë nuk mendoj se Enver Hoxha e shiti Kosovën, jo thjesht se Kosova kishte mbetur jashtë shtetit shqiptar, qëkurse ai u krijua, që do të thotë se nuk kishte ç’të shiste. Kosova ka qenë historikisht një nyjë e vështirë, kockë e fortë. Çështja shtrohet se a mund të fitohej Kosova gjatë luftës, kur duket se për herë të parë u krijuan kushtet për këtë gjë? Dokumentet sugjerojnë se kjo ishte e vështirë, në mos e pamundur. Ajo që mund të them me siguri është se përpjekjet për ta fituar Kosovën, përpjekjet që asaj t’i mundësohej e drejta të vendoste për fatet e veta, këto përpjekje nga pushteti komunist në Shqipëri dhe personalisht nga Enver Hoxha ishin minimale deri inekzistente. Ne historianët e kemi detyrë të shqyrtojmë arsyet, kemi të bëjmë me realizëm të Hoxhës për t’iu shmangur të pamundurës, kemi të bëjmë me pozitën e pafavorshme në raport me fqinjët, por edhe në raportet ndërkombëtare, kemi të bëjmë me frikën e humbjes së pushtetit apo me çfarëdo tjetër? Kjo është normale dhe në kësi rastesh opinionet mund të ndahen, por të konkludosh se Enver Hoxha ka qenë një mbrojtës i projektit të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë dhe prandaj ai kishte refuzuar nënshkrimin e Aktit Final të Helsinkit, më 1973, siç mendon ndonjëri prej kolegëve, kjo më duket e tepruar. Arsyet pse Shqipëria e refuzoi Kartën e Helsinkit nuk ishin klauzolat penguese për mosndryshim kufijsh në Evropë, por krejt të tjera, të cilat njihen dhe më kryesorja prej tyre ajo që quhet shporta e tretë, që hyri falë këmbënguljes amerikane e që përmbante klauzolat për të drejtat e njeriut. Koha tregoi se ato i kontribuan një fryme më liberale në botën komuniste. Kësaj i frikej Hoxha dhe kishte të drejtë, por këtë nuk e përmendi asnjëherë, as në ditarët e tij e as në fjalimet.
Sidoqoftë, Hoxha ishte i pari që kërkoi bashkimin e Kosovës me Shqipërinë!
Po, madje dy herë, më 1946 dhe më 1949. Në qershor 1946, kur Enver Hoxha ishte në Beograd, ai e shtroi kërkesën në bisedimet zyrtare me Titon. Për hollësitë nuk dihet, sepse regjistrimi i bisedës nuk është bërë i njohur dhe unë nuk kam mundur ta gjej as në arkivat e Tiranës e as të Beogradit. Ata që e kanë trajtuar këtë moment, nuk janë marrë me përmbajtjen e kërkesës, por me “prapaskenat” e saj. Një e dhënë e tërthortë flet se ambasadori shqiptar në Moskë ka njoftuar se Stalini i ka kërkuar Titos ta bisedonte çështjen e Kosovës. Por procesverbali i bisedës Tito-Stalin në Kremlin, maj 1946, nuk e përmban këtë fakt. Ndoshta mund të ketë qenë dhe një sugjerim i ambasadorit sovjetik në Beograd, Lavrentiev, i cili ka biseduar me Hoxhën, më parë se ky të takohej me Titon. Asgjë më shumë. Megjithatë ka arsye të mendosh se Enver Hoxha vërtet ka qenë i nxitur ta shtronte këtë çështje, por fakti tregoi se ai nuk ishte i përgatitur ta mbronte atë. Arsyeja që studiuesit janë ndalur tek “intriga” e kërkesës dhe jo te vetë kërkesa është e shpjegueshme. Enver Hoxha e hapi gojën për Kosovën, kur kishte pasur të tjera raste më parë dhe e kishte mbajtur të mbyllur. Në dhjetor 1944 ushtritë e Titos hynë dhunshëm në fshatrat dhe qytetet e Kosovës dhe pikërisht në këtë kohë një delegacion i gjerë i Hoxhës vrapoi për në Beograd dhe atje u arrit një traktat aleance dhe ndihme reciproke, por që Stalini sapo e mori vesh e ndaloi publikimin e tij, sepse ende nuk ishte bërë mbledhja e Jaltës. Më 1945 ushtritë e Hoxhës kishin “asistuar” vendosjen e pushtetit ushtarak në Kosovë dhe kishin heshtur. Po atë vit, në korrik, u inskenua gjoja kërkesa e Asamblesë Krahinore të Kosovës e Metohisë që Kosova “t’i bashkohet Serbisë federale, si pjesë përbërëse e saj”. Më parë se të ekzekutohej ky akt, Misioni britanik në Shqipëri vërente: “Fakti që FNÇ (Fronti Nacionalçlirimtar) i Shqipërisë ra dakord për humbjen e këtij rajoni vital me popullsinë e tij mbizotëruese shqiptare, konfirmon si FNÇ është shitur tërësisht te Jugosllavia…” (NARA, 1945-1949, Roll 2. 875.01/6-845, British Military Mission ALBANIA Periodical Report No. 101/3, May 22, 1945).
Kjo është me pak fjalë historia e kërkesës për bashkim të Kosovës me Shqipërinë, më 1946. Pohimi se Hoxha paska këmbëngulur që kjo kërkesë të përfshihej edhe në Traktatin e Miqësisë dhe të bashkëpunimit midis dy vendeve është i pambështetur. Asgjë e shkruar nuk është gjetur deri më tani në favor të kësaj teze. E vërteta është se Hoxha kërkesën e tij aty e tha dhe aty e la. Ka gjasa që më pas të jetë penduar. Në dhjetor 1946, ai thirri një mbledhje të jashtëzakonshme të plenumit të Komitetit Qendror dhe aty u është drejtuar pjesëmarrësve: “A është në interesin tonë të kërkojmë Kosovën? Kjo nuk është progresive. Përkundrazi, duhet të bëjmë ç’është e mundur që kosovarët të vëllazërohen në Jugosllavi … Ne do ta shpjegojmë. Kush nuk e kupton, ne e kemi për detyrë ta luftojmë.” (AQSH, F. 14/AP-OU, V. 1946, D. 4) Pas thyerjes me jugosllavët, problemin e Kosovës Hoxha ia shtroi Stalinit, më 1949, fillimisht me një letër e pastaj në takim të drejtpërdrejtë, por këtë herë konteksti ishte tjetër. Ishte rasti që shqiptarët e Kosovës të kishin një motiv kundër Titos dhe motivi i bashkimit ishte më i forti. Madje, me atë rast Mehmet Shehu ishte shprehur se “klika e Titos mund të përmbysej vetëm me luftë të armatosur dhe se ajo duhej të fillonte në Kosovë e Meetohi” (Vostoçnaja Evropa v Dokumentah Rosijskih Arkivov 1944-1953, Tom II (1944-1948), Moskva-Novosibirsk, 1997, dok. Nr. 37). Për Hoxhën ishte rasti që t’i shkëpuste Stalinit premtimin e bashkimit, atë që nuk e kishte marrë gjatë dhe në fund të luftës. Por udhëheqësia e Kosovës nuk e mbështeti Hoxhën, ndërsa zëra të tjerë jashtë saj e shikonin një lëvizje në Kosovë një aventurë, që mund të ishte me pasoja. Por edhe Stalini këshilloi që “çështja e Kosovës të lihet në plan të dytë nga ana juaj”. Kjo ishte përpjekja e fundit për bashkim.
Në marrëdhëniet komplekse me Jugosllavinë a mund të themi se Hoxha vetë ishte drejtpërdrejt i implikuar?
Kjo është temë më vete. Ajo që mund të themi është se Hoxha iu nënshtrua të gjitha kërkesave jugosllave që prej dhjetorit 1947 e deri në prill 1948. Koçi Xoxe nuk ishte aspak më i përfshirë me jugosllavët se vetë Hoxha. Por Hoxha duhet ta ketë përjetuar peshën e nënshtrimit, përderisa në qershor 1948 letrat sovjetike drejtuar Titos ai quajti “shpëtimtare” për Shqipërinë. Varësia ndaj jugosllavëve u favorizua nga mungesa e të gjitha lidhjeve të tjera. Sidoqoftë, është një periudhë, e cila ka nevojë ende për shpjegime. Atëherë edhe Enver Hoxha, në kontekst të kësaj bisede që bëmë bashkë, do të ishte një figurë më e kapshme, më reale.
*Qendra e Studimeve Albanologjike
Instituti i Historisë
-*-