Janë zbardhur dëshmitë e dy shtetasve të përfshirë në plagosjen e ndodhur mbrëmjen e kaluar në Shkodër. Bëhet fjalë për 45-vjeçarin Genc Hoxha, i cili mbeti i plagosur lehtë në këmbë, dhe Izvin Gucija, pronari i një servisi, i cili dyshohet si autori i plagosjes.
Sipas deklarimit të Gucijës para policisë, gjithçka ka nisur pas një mosmarrëveshjeje për 10 mijë lekë të vjetër. Ai ka treguar se Hoxha kishte shkuar në servisin e tij për të rregulluar grupin e timonit të automjetit. Sipas tij, ai i kishte shpjeguar klientit se nuk kishte pjesë të re, por vetëm një të përdorur, dhe pas kontrollit të makinës i kishte marrë 10 mijë lekë të vjetër.
Pronari i servisit ka deklaruar se në momentin që Hoxha po largohej, mes tyre kishte nisur një debat. Sipas tij, 45-vjeçari e kishte pyetur “pse më sheh” dhe e kishte fyer, ndërsa ai kishte zgjedhur të mos reagojë pasi ishte agjërueshëm.
Sipas dëshmisë së Gucijës, një ditë më pas ata janë takuar sërish në një rrugicë pranë servisit. Ai pretendon se Hoxha e ka fyer përsëri dhe ka tentuar ta godasë me sende të forta. Në ato momente, sipas tij, ai ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar në drejtim të këmbës së 45-vjeçarit, duke pretenduar se veproi në kushtet e vetëmbrojtjes dhe pa qëllim për ta vrarë.
Nga ana tjetër, Genc Hoxha e ka kundërshtuar këtë version. Ai ka deklaruar se nuk ishte shkaktari i konfliktit dhe se po përpiqeshin vetëm të sqaronin një debat të mëparshëm, kur pronari i servisit nxori armën dhe qëlloi në drejtim të tij. 45-vjeçari mohon gjithashtu se e ka fyer apo kërcënuar Gucijën, duke thënë se kishte pasur një sjellje normale.
Policia ka bërë të ditur se në vendngjarje është gjetur një gëzhojë arme zjarri, ndërsa është sekuestruar edhe pistoleta e përdorur në plagosje. Arma është dorëzuar nga autori i dyshuar në momentin e arrestimit, vetëm pak minuta pas ngjarjes, pranë banesës së tij.











