Nga Mero Baze
Ka 24 orë që gjithë njerëzit që janë gëzuar realisht për ndëshkimet personale ndaj katër udhëheqësve kryesorë të UÇK-së po përpiqen ta gjejnë të keqen te krijimi i Gjykatës Speciale, te udhëtimi me helikopter i Edi Ramës drejt Kosovës, te vendosmëria e Hashim Thaçit për ta bërë atë gjykatë etj., për t’i hapur dritaren në horizont “largpamësisë” së Albin Kurtit, që ishte kundër kësaj gjykate. Me këta kritikë është përfshirë sot edhe Sali Berisha, i cili mund të justifikohet se mosha bën të vetën dhe ndoshta ka harruar qëndrimet e tij për Gjykatën Speciale kur ajo u miratua.
Pas dështimit të votimit të parë në Kuvendin e Kosovës, më 26 qershor 2015, Berisha e cilësoi mosmiratimin si “një votim në kundërinteres të Kosovës dhe kombit shqiptar” dhe, më 28 qershor, ai u bëri thirrje deputetëve që ta votonin Gjykatën, duke arsyetuar se Kosova nuk mund të dilte kundër kërkesës së SHBA-së dhe Bashkimit Europian. Sipas tij, refuzimi rrezikonte ta paraqiste Kosovën si një “shtet zuzar” dhe ta vinte në përplasje me aleatët që kishin mundësuar çlirimin dhe pavarësinë e saj.
Lulzim Basha dhe Parlamenti i Shqipërisë, po ashtu, ishin unanimë në mbështetje të krijimit të Gjykatës Speciale dhe kanë bërë gjënë më të mirë.
Heroi i Gjykatës Speciale është njëkohësisht edhe viktima më e madhe e saj, Hashim Thaçi. Ai e udhëhoqi me dorë të fortë disiplinën brenda shumicës parlamentare në favor të krijimit të Gjykatës Speciale, si një mision për Kosovën, dhe sot i ka dalë fjala.
Gjykata Speciale hodhi poshtë shpifjet e Dick Martyt për transplante organesh dhe krime kundër njerëzimit, që vinin në dyshim moralin e luftës për çlirimin e Kosovës. Vendimi i Gjykatës Speciale i hoqi përjetësisht Kosovës njollën e zezë që Rusia dhe Serbia, përmes Dick Martyt, kërkuan t’ia vinin Kosovës.
Të gjithë ata që duan t’i thonë Hashim Thaçit “mirë të gjeti, se vetë e miratove”, duhet t’i thonë, në fakt, “Mirë ia bëre që e shpëtove Kosovën për herë të dytë, duke paguar me jetën tënde dhe lirinë tënde.”
Ai sot është dy herë hero i Kosovës, një herë duke e çliruar atë dhe dje duke e mbrojtur përsëri lirinë e saj, si një detyrim i një populli që luftoi për çlirimin e vendit të tij.
Vendimi mizor i Gjykatës së Hagës ndaj lirisë personale të katër udhëheqësve të Kosovës është një nga ato vendimet bizare të një grupi prokurorësh që duan të justifikojnë rrogat e tyre dhe ndoshta edhe axhendat e tyre kundër Kosovës, por që nuk ia dolën.
Kështu që, sa më shumë të kujtoni se Hashim Thaçi ishte pro Gjykatës Speciale, sa më shumë të kujtoni se Edi Rama ka shkuar me helikopter në Kosovë për t’u dhënë mbështetje deputetëve të tjerë të lëkundur, aq më shumë nder u bëni.
Sa më shumë të shtireni sikur Sali Berisha ka qenë kundër dhe i doli fjala, aq më të rrjedhur dukeni, pasi i keni me zë, figurë dhe shkrim deklaratat e tij shumë korrekte në atë kohë. Sot Alzheimeri bën të vetën dhe pleqëria nuk gjykohet.
Kurse, sa për Albin Kurtin, sa më shumë t’ia përmendni rolin e tij si “Kasandër” kundër Kosovës për Gjykatën Speciale, aq më shumë e turpëroni si një udhëheqës antiperëndimor të Kosovës. Ai nuk ishte në merak për fatin personal të Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit apo Kadri Veselit kur e kundërshtonte. Ai ka dashur dhe i do të vdekur. Ai ishte i interesuar që Kosova të izolohej, të shkatërrohej dhe të degradonte nga një shtet i krijuar nga Perëndimi në një shtet batakçi.
Dil Albin e mburru sot, se ishte Kasandra e Kosovës dhjetë vjet më parë!
Nuk ia arriti dot atëherë. Por po përpiqet ta arrijë tani me mjete të tjera, duke e bërë sot Kosovën vendin më të izoluar nga Perëndimi në Ballkan, madje më shumë se Serbia, që e ka njërën këmbë në Rusi dhe tjetrën në Bruksel.
Dhe kjo e bën Kasandrën e Kosovës një njeri me axhendë kundër Kosovës së hapur ndaj Perëndimit.
Donte ta bënte këtë atëherë, kur u miratua Gjykata Speciale, duke e bllokuar atë, por nuk ia arriti. Ka pesë vjet në pushtet që e ka arritur, duke e lënë Kosovën pa institucione, pa qeveri, duke shkuar nga zgjedhjet në zgjedhje vetëm që t’i bindë gjithë botës se ky vend nuk e meritonte të bëhej shtet.
Ky është edhe frymëzuesi i gjithë këtij kori kasandrash të vonuara, që befas u kujtuan se nuk duhej miratuar Gjykata Speciale. Gjykata Speciale duhej miratuar, pasi Kosova po vihej në shënjestër të asgjësimit të pavarësisë së saj, si një shtet që kishte kryer krime kundër njerëzve, deri në trafik organesh. Këto akuza ranë përjetësisht.
Kosova nuk mund të sillej si një person i shpallur në kërkim, që i arratiset drejtësisë. Ajo u përball me të dhe e fitoi atë betejë.
Fati personal i katër udhëheqësve të Kosovës është ai fat që i kanë caktuar vetes kur vendosën të vdisnin për Kosovën. Tani po vuajnë humbjen e lirisë së tyre për lirinë e Kosovës. Për këtë ata meritojnë piedestale dhe jo kritika; meritojnë monumente për largpamësinë e tyre dhe jo kërkim ndjese pse nuk dëgjuan Kasandrat që duan ta fusin Kosovën në burgun e Perëndimit.











